Shqipëri

Bilalli: Ta mësojmë islamin nëpër institucione e jo nëpër skuta dhe nga hoxhallarët

Fjalimi dhe ideja e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për futjet e Mësimit Fetarë në shkolla, nxiti shumë hoxhallarë e ekspert të fesë që të flasin  e debatojnë për këtë temë. Njëri ndër ta është e imami Idriz Bilalli.

Imami i xhamisë në “Met Podujeva”, në Podujevë, Idriz Bilalli ka thënë se në parim është pro edukimit fetar në shkolla, por sipas tij, duhet të bëhet kujdes se nga kush ligjërohet.

Bilalli, që është njëri nga imamët që ka dal publikisht kundër ekstremizmit, ka thënë se në hartimin e planprogramit për mësimin fetar duhet të marrin pjesë edhe akademikë dhe të gjitha institucionet.

“Në parim jam pro dhe e përkrahi idenë që në kuadër të plan programeve shkollore me qenë edhe edukata fetare apo mësimi mbi fetë, mirëpo ai plan program duhet të hartohet prej akademikëve, Ministrisë së Arsimit, me një komision me përbërje të gjerë dhe me qenë në kuadër të kurrikulave dhe plan programeve duke filluar nga niveli i ultë deri te shkollat e mesme”, ka thënë Bilalli për Indeksonline.

Sipas imamit më mirë është që mësimi fetar të bëhet nëpër institucione, se sa nëpër skuta. Ai mendon se mësimi mbi religjionin nuk duhet të ligjërohet nga gjithkush, për shkak të ideologjive.

“Të përgatiten kuadro dhe jo të japin këto lëndë hoxhallarët, mirëpo kuadrot të përgatiten prej një dikasteri të veçantë. Kjo do të ishte pozitive për një arsye, për mos t’i mësuar gjithkush fëmijëve tanë fenë, nëse duan të bëjnë deformimin e fëmijëve në emër të fesë dhe depërtimin e ideologjive te popullata, atëherë duhet me i fut në kornizë që ne e parashohim. Kjo është pozitive. Ka modele të mira në Gjermani, Austri, e në vendet perëndimore, por unë jam pro kësaj sepse fëmijëve tanë po ua mësojnë fenë individë të caktuar skutave dhe po i deformojnë”, ka thënë Bilalli.