Kosova

Tahiri: Nuk lejojmë të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë të hënën se në Kosovë nuk do të mbahen zgjedhjet e Serbisë. Sipas saj, për një gjë të tillë nuk ka mundësi as në baza ligjore e as në baza politike.

 

“Në Kosovë nuk mund të mbahen dhe nuk do të mbahen zgjedhjet e Serbisë sepse nuk ka mundësi për një gjë të tillë as në baza ligjore e as në baza politike. Ndërsa qytetarët që kanë dyshtetësi, jo vetëm në rastin e serbëve të Kosovës, por edhe shqiptarët kudo që janë në botë, kanë të drejtë të votojnë, por në atë rast nuk quhet mbajtje e zgjedhjeve në shtetin tjetër, meqë votimin e qytetarëve me dyshtetësi e garanton edhe Kushtetua e Kosovës”, ka thënë Ministrja për Dialog Edita Tahiri

 

 

Ajo ka vlerësuar se zyrtarët e lartë serbë e kanë keqpërdorur marrëveshjen për normalizim ndërmjet të dyja vendeve duke bërë deklarata nacionaliste gjatë vizitave në Kosovë. Në këtë fazë dialogu Kosovë  - Serbi duhet të fokusohet ekskluzivisht në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Ajo ka bërë me dije se në kuadër të temave për fazën e ardhshme të dialogut do të jenë: demarkacioni i kufirit, kompensimi i dëmeve të luftës, ndarja e pasurisë, si dhe njohja reciproke në mes të dy shteteve. “Dinamikat e dialogut në përgjithësi nuk janë në nivelin e mëparshëm, por janë më të ulëta për shkak se Serbia ndodhet në proces zgjedhor. Megjithatë, në disa fusha është punuar sa i përket zbatimit të marrëveshjeve, por me një ngadalësim të theksuar”, ka vlerësuar ajo.