Amerike

Përplasja e SHBA-së dhe Rusisë në konfliktin sirian

E ashtuquajtura “Pranvera arabe” që ka filluar në vitin 2011 së pari në Tunizi, dhe u përhap edhe në shtetet tjera arabe si  në Egjipt, Libi, Jemen, Bahrejn e Siri, bëri jehonë të madhe në botë. Më në fund edhe bota arabe ishte përfshirë në valet e ndryshimeve demokratike për të ç’rrënjosur sistemet diktatoriale që kanë sunduar me dekada  në  vende arabe. Ndryshimet demokratike në fillim patën sukses, ashtu që me protesta masive u rrëzuan diktaturat në Tunizi, Egjipt e Jemen, porse në Libi këto ndryshime demokratike hasën në vështërsi,  për ç’arsye pasoi  edhe intervenimi ushtarak i Britanisë së Madhe dhe Francës si dhe  SHBA-së, rezultat i së cilës ishte përmbysja e sundimit 40 vjeçar të kolonelit Muamer el Gadafit  me vrasjen e tij. Pas zgjedhjeve demokratike të mbajtura në Egjipt për here të pare në të cilin fitoi Muhamed Mursi, nuk shkoi as një vit ai u përmbys me puç ushtarak nga gjenerali Sisi. Ky grushtet i kryer nga ana e gjeneralit Sisi ishte shenjë e çartë se, edhe pse pranvera arabe kishte nisur për ndryshime demokratike, mori një kahje tjetër në të cilin ishin inkuadruar faktorët të ndryshëm vendimarrës botëror, por edhe ata rajonal, të cilët e  orientuan kahjen e lëvizjeve demokratike drejt qëllimeve të tyre gjeoplitike të përcaktuara më parë. Ngjarjet që ndodhën më tutje, në fillim në Libi, e sidomos në Siri, treguan çartë përzierjen e shumë shteteve  që ishin  kyçur në mënyrë direkte apo indirekte në zhvillimet në këto shtete. Kjo politikë ishte përcaktuar kohë më parë, me skenarin e hartuar të  Projektit të madh të  Lindjes së Mesme me të cilën do të bëhet  rivizatimi i kufijve në Lindjen e Mesme, për dallim nga ato të përcaktuara në vitin 1916 nga marrëveshja sekrete anglo-franceze(Pakti Sykes-Picot), në të cilin janë ndarë sferat gjeopolitike në mes tyre, Britanisë së Madhe dhe Francës,  pasojë e të cilit ishin themelimi i shteteve të reja në Lindjen e Mesme, pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane, gjatë Luftës së Parë Botërore. E pikërisht e ashtuquajtura Pranvera arabe ishte rasti ideal për  implementimin e këtij projekti në të cilën janë kyçur një varg shtetesh me impakt botëror dhe rajonal. Ky projekt i planifikuar më parë në të cilin janë paraparë ndryshime të mëdha të  kufijnjëve apo ndarja e shteteve të gjer tanishme në Lindjen e Mesme në një varg shtetesh më të vogla të përcaktuara sipas kritereve nacioanale,  sektare,  fisnore etj. Edhe pse në rastin e Tunizisë, Libisë, Egjiptit, Jemenit, Irakut e Sirisë, kemi një varg shtetet të implikuara si të atyre me impakt botëror por edhe rajonal,  në konfliktin e Sirisë kemi përplasje të drejtëpërdrejtë në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. Këtë përplasje direkte në mes këtyre dy fuqive botërore në konfliktin sirian  do të vështrojë nga katër aspekte që kanë impakt të drejtëpërdrejtë në konfliktin sirian.

Aspekti i parë është gjeopolitik, në të cilin dy fyqi të tanishme kanë impakt të drejtëpërdrejtë, nga njëra anë SHBA-ja në përpjekjen e zgjerimit të ndikimit të saj gjeopolitik edhe në Siri, ndërsa në anën tjetër është përpjekja e Rusisë që të ruajë ndikimin e saj gjeopolitik të gjertanishëm në Siri, që  nga periudha  e Luftës së Ftohtë, e sidomos ruajtjen e bazës detare në Tartus të Sirisë, të vetmen bazë detare ruse që e ka në detin Mesdhe, e tani edhe të bazës ajrore të ngritur në Hmeimin në Siri. Aspekti i dytë është energjetik, në të cilin prap janë të kyçur SHBA-ja dhe Rusia, por në mënyrë indirekte, pasi që në fillim të shekullit XXI janë zbuluar sasi të mëdha të rezervave të gazit natyror në Iran dhe Katar, dhe se  në lojë është gara në mes tyre  për ndërtimin e gazësjellsit gjer në brigjet e detit Mesdhe. Aspekti i tretë është i sigurisë, në të cilin është e kyçur sidomos SHBA-ja për mbrojtjen dhe ruajtjen e aleatit të saj kryesor në Lindjen e Afërt, Izraelit, nga rreziku i kërcënimit të ashtuquajtur nga ”gjysmëhëna shiite”, apo ndryshe ”boshti i së keqes” që në konfliktin sirian është duke ndodhur beteja vendimtare për thyerjen apo ngadhnjimin e ashtuquajtur të”gjysmëhënës shiite” apo”boshtit  të së keqes”. Aspekti katërt është sektar, i kamufluar në mënyrë perfekte, për të realizuar qëllimet e përcaktuara më parë politike, pasi që ”mjeti e arsyeton qëllimin”,  ishte ndezja e luftës sektare sunito-shiite në mes myslimanëve si kurrë më parë të shënuar gjer tani, në historinë e myslimanëve gjatë 14 shekujve nga paraqitja e Islamit si fe hyjnore e kumtuar nga  profeti Muhamed.

Aspekti i parë i konfliktit sirian është ai gjeopolitik në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës në njërën anë dhe të Rusisë në anën tjetër, dhe pikërisht në konfliktin sirian ndodh përplasja e haptë në mes tyre, e cila përplasje do të mund të sillte për pak pasoja të papara në historinë më të re të civilizimit njerëzor në përgjithësi. Edhe pse në Siri populli sirian u çue në protesta popullore kundër regjimit të diktaturës së Bashar Asadit, për të kërkuar lirinë dhe demokracinë sikurse në shtete tjera arabe, por se gradualisht me kalimin e kohës, ky revolucion i sapo filluar demokratik  devijoi në një luftë të mbrendshme civile dhe sektare, me ç’rast vullnetarët e shumtë të ardhur nga shumë shtetet e ndryshme të botës të cilët   kryesisht janë duke mbajtur dhe udhëhequr luftën kundër ushtrisë siriane të regjimit të Bashar Asadit, por jo për qëllime demokratike, por për qëllime ideologjike e sektare. Rasti i Sirisë tregoi haptas në skenë interesat e ndryshme dhe diametralisht të kundërta të palëve luftarake, prapa së cilës kemi përplasjen e SHBA-së dhe Rusisë. Në njerën anë kemi SHBA-në me aleatët e saj perëndimor, Britaninë e Madhe, Francën, etj., të mbështetur edhe nga aleatët rajonal sikurse Izraeli, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Jordania etj., të cilët e mbështesin  opozitën siriane dhe vullnetarët e shumtë mysliman të ardhur nga të katër anët e botës në luftën  e tyre kundër regjimit të Bashar Asadit, dhe në anën tjetër kemi Rusinë me aleatët e saj Kinën, Iranin, Libanin të cilët e mbështesin regjimin aktual të Bashar Asadit dhe për këta, Siria është vija e kuqe, të cilin në asnjë mënyrë nuk po  lejojnë të humbasin  ndikimin politik  që kanë, dhe të parandalojnë që eventualisht  Siria të mos kalojë në taborin gjeopolitik të SHBA-së. Pas plot 51 vitesh,  nga rasti i Kubës në vitin 1962, bota ishte seriozisht  buzë Luftës së Tretë Botërore, por tani në rastin e Sirisë, por me protagonist të njëjtë, të SHBA-së dhe Rusisë, dhe me kryetarët aktual, Obamën dhe Putinin. Si atëherë, ashtu edhe kësaj herë në çastin e fundit, mbisundoi logjika racionale, dhe bota evitoi kërcënimin më serioz të rrezikut të shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore, me ç’rast edhe pse  anijet luftarake të Rusisë ishin buzë brigjeve të bregdetit sirian dhe ishin  ballë për ballë  anijeve luftarake të SHBA-ve,  për një çast u shkrepën edhe dy raketa  balistike nga Deti Mesdhe, të cilat  i shkatëruan rusët , dhe në çastin  e fundit, kësaj radhe ishin SHBA-ja dhe Obama, të cilët u tërhoqën dhe i dhanë rast  marrëveshjes politike, e cila edhe u arrit pas disa ditësh bisedimesh në Gjenevë në mes  John Kerryt dhe Sergej Lavrovit, për asgjësimin e armëve kimike të regjimit sirian të Bashar al Asadit, i cili ishte një kompromis i arritur me të cilin u  shmang keqja më e mundshme, Lufta e Tretë Botërore. SHBA-ja me aleatët e saj, janë duke u përpjekur që me çdo kusht që të rrëzojnë regjimin e Bashar Asadit dhe të largojnë ndikimin e Rusisë, dhe aleatëve të saj, duke instaluar një qeveri “demokratike” e cila do të jetë nën ndikimin dhe kontrollin e tyre të drejtëpërdrejtë, e kundër  të cilit në mënyrë më të ashpër është duke rezistuar Rusia me aleatët e saj për të mos humbur ndikimin dhe kontrollin politik që kanë mbi Sirinë në përgjithësi dhe në regjimin e Bashar Asadit në veçanti. Siria është shembull i përplasjes direkte  në mes dy fuqive të tanishme në të cilin është në shprehje tentimi i zgjerimit të pozicionimit dhe ndikimit të SHBA-ve në njerën anë, dhe të mbrojtjes së pozitës dhe ndikimit të Rusisë në anën tjetër.Rivaliteti gjeopolitik pikësëpari në mes SHBA-ve dhe Rusisë për Lindjen e Mesme daton që nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore, apo e ashtuquajtur Lufta e Ftohtë, e cila  tani në fillim të shekullit XXI pas këndelljes së Rusisë, fuqishëm po rikthehet në botë me zgjerimin e saj gjeopolitik  në përgjithësi, e në Lindjen e Mesme në veçanti, dhe tani kemi një rivalitet të dukshëm në mes këtyre dy fuqive të mëdha për ruajtjen e ndikimit gjeopolitik  të gjertanishëm apo  të zgjerimit  gjeopolitik në Lindjen e Mesme. Rivaliteti i tyre shkon në atë drejtim, që SHBA-ja dëshiron të ruaj dhe të zgjerojë ndikimin e vet gjeopolitik në botën unipolare e udhëhequr vetëm nga ajo, ndërsa nga ana e saj Rusia  dëshiron që bota të mos jetë unipolare në të cilin dominon vetëm SHBA-ja si fuqi e vetme, por si fuqi që është dhe me forcën në rritje që e posedojnë, duan të kenë ndikim gjeopolitik, krahas SHBA-ve.

Aspekti i dytë i konfliktit sirian është aspekti energjetik, në të cilin në mënyrë jo të drejtpërdrejtë kemi poashtu përplasjen në mes SHBA-së dhe Rusisë, lidhur me pasuritë nëntokësore të vendeve arabe, kryesisht të naftës, e tani në kohën e fundit edhe të gazit natyror, i cili është zbuluar në sasi të mëdha në Iran dhe Katar. Aspekti energjetik konsiston në atë pasi që bota arabe në përgjithësi, e Lindja e Mesme në veçanti, për shkak të pasurive nëntokësore që posedojnë, është në përplasje indirekte në mes SHBA-së dhe Rusisë, për ruajtjen dhe zgjerimin e influencës së tyre në shtetet arabe, në një anë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, dhe në anën tjetër, të Rusisë dhe Kinës, të cilat vazhdimisht po angazhohen në zgjerimin e ndikimit të tyre në shtetet e botës arabe. Aspekti eneregjetik  sipas mendimit tim ndoshta është edhe krucial, në prapavi të luftës në Siri janë gërshetuar interesat e korporatave të fuqishme energjetike të cilët janë duke u përpjekur  për shtrirjen dhe ndërtimin e gazësjellsve të rinjë drejt Europës, me qëllim të përfitimit  të tyre nga distribuimi i naftës dhe gasit nga vendet e pasura arabe. Në njërën anë kemi korporatat e fuqishme botërore, në prapavi të cilëve qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët dëshirojnë  të ndërtojnë gasësjellësin prej Katarit në drejtim të Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Sirisë për të dalë në brigjet e detit Mesdhe dhe më tutje nëpërmjet Turqisë  të vazhdojnë  furnizimin e Evropës perëndimore me gazin nëntokësor, me të cilin do të ulet  varshmëria e furnizimit të Evropës me gazin nga Rusia. Në fillim të dekadës së parë të shekullit XXI-të, kryetari i Sirisë Bashar al Asadi refuzoi ofertën e Katarit për ndërtimin e gazësjellsit nga Katari në drejtim të Mesdheut , i cili do të duhej të kalonte nëpërmjet Sirisë. Asadi këtë ofertë e refuzoi nga shkaku se të njëjtën gjë i ka kërkuar edhe Irani për të ndërtuar gazësjellësin nga Irani, i cili do të kalon nëpërmjet Irakut,  drejt brigjeve të Sirisë në detin Mesdhe për të vazhduar më tutje nëpërmjet Turqisë , për furnizmin me gaz të shteteve të  Evropës perëndimore. Këtë ofertë nga Irani Bashar al Asadi nuk ka mundur të refuzonte, pasi që Iranin e kishte aleatin e ngushtë që nga koha e luftës irako-iraniane, i cili ishte i vetmi shtet arab që e ka përkrahur Iranin në atë luftë, dhe në prapavi e kishte edhe miratimin e heshtur edhe të Rusisë. Një prej shkaqeve ndoshta kryesore që është duke vazhduar  lufta në Siri, dhe për të cilin si protagonistët  kryesor të shteteve rajonale me impakt të drejtëpërdrejtë në konfliktin sirian, sikurse janë Arabia Saudite, Katari, Turqia,  Jordania, është  lufta për rrëzimin e kryetarit sirian Bashar al Asadit si faktor kyç për mosrealizimin e ndërtimit të gazësjellësit të Katarit drejt Mesdheut. Se cili opcion i ndërtimit të gazësjellësit do të ngadhnjejë,  nuk do të dihet gjer në përfundimin e luftës në Siri dhe zgjidhjen politike të saj. A do të jetë gazësjellësi nga Katari drejt Mesdheut apo gazësjellësi nga Irani drejt Mesdheut  do të tregojë koha pas përfundimit të katrahurës së paparë në Siri gjer tani. Aspekti energjetik është një faktor shumë i rëndësishëm në përplasjen në mes SHBA-së dhe Rusisë, ashtu që për të zmbrapsur Rusinë nga ndikimi i saj në Siri, krahas vënies së sanksioneve ekonomike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, SHBA-të e kanë ndikuar në Arabinë Saudite që të rris prodhimin e saj maksimal dhe  të ulë çmimet e naftës, ashtu që prej 115 dollarë sa ishte bareli i naftës në fillim të vitit 2015, ka rënë në 30 dollar në fillim të vitit 2016, që është një rënie drastike e paparë e çmimit të naftës për një kohë relativisht të shkurtër.Edhe pse Arabia Saudite me këtë lojë të çmimit të naftës vetveten e rrezikon, pasi që nga 300 miliard dollar sa ka fituar nga eksporti i naftës gjatë vitit të kaluar, ka ra në 100 miliard dollar. Në këtë garë me çmimet e naftës, shtrohet pyetja se kush do të mund të qëndrojë më gjatë, Arabia Saudite apo Rusia, edhe pse implikimet nga rënia drastike e çmimeve të naftës veq janë duke u ndier sikurse në Rusi ashtu edhe Arabinë Saudite, dhe se kjo nuk do të mund të qëndrojë afatgjatë, pasi që rënia drastike e të ardhurave nga eksporti i naftës do të imponojë që Rusia me Arabinë Saudite ndoshta  do të mund të merren vesh për këtë situatë të pavolitshme në tregjet botërore të naftës lidhur me çmimin e ultë të naftës, e cila ka impakt të drejtëpërdrejt në të dyja shtetet.

Aspekti i tretë i konfliktit sirian është aspekti i sigurisë, i cili kryekëput ka të bëjë me sigurinë e Izraelit nga rreziku i ashtuquajtur të “gjysmëhënës shiite” apo “boshti i së keqes”,  për të cilin  janë të interesuar  SHBA-ja në mënyrë të drejtëpërdrejtë për të ruajtë sigurinë e Izraelit, por në mënyrë indirekte edhe Rusia është duke u angazhuar për sigurinë e Izraelit,  konform rrethanave tjera politike në rajonin e Lindjes së Afërt.  SHBA-ja me aleatët e saj janë duke u përpjekur të thyejnë boshtin e rezistencës propalestineze, e përbërë nga e ashtuquajtura ”gjysmëhëna shiite” apo “boshti i së keqes”  nga Irani, Siria, Hezbollahu për Hamasin, që për momentin aktual paraqet të vetmin rrezik për sigurinë e Izraelit. Siria paraqet boshtin krysor të kësaj aleance, dhe me rrënjen e saj, automatikisht do të bjerë Libani (Hezbollahu), Gaza (Hamasi), dhe do të mbetej i vetmuar vetëm Irani, i cili edhe ashtu gjeografikisht është larg Izraelit. Irani njihet nga historia që në 250 vitet e fundit nuk ka sulmuar asnjë shtet fqinjë apo tjetër, por veç ka zhvilluar luftë mbrojtëse, sikurse që ishte rasti i fundit i luftës irako-iraniane që zgjati plot 8 vite, pas sulmit të Irakut kundër Iranit në vitin 1980. E ndaj kësaj përpjekjeje më së shumti është duke rezistuar Irani, i cili edhe haptas ka deklaruar se Siria paraqet  vijën  e kuqe për sigurinë e Iranit, dhe përkrahjen e rezistencës palestineze dhe se  nuk do të lejojë mposhtjen e Sirisë. Se me të vërtet Irani është një forcë ushtarake në rritje dhe me impakt të shtuar rajonal, dhe  dita ditës po rrit influencën e tij politik dhe ushtarak, flet edhe kjo e dhënë ushtarake në aspektin e zhvillimit dhe përsosjes së raketave balistike nga ana e Iranit.” Irani llogaritet i katërti në botë, pas SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, në zhvillimin  e raketave me rreze të gjata veprimi,  që për momentin e ka përsosur teknologjinë e lansimit të raketave balistike me rreze të gjata veprimi  gjer në 3 mijë kilometra, për të balancuar forcën e vet ushtarake në krahasim me shtetet e rajonit kundrejt  të cilët në aspektin e forcave ajrore dhe detare është në disavantazh”. Palestinezët së bashku me shtetet fqinjë arabe që e mbështetnin  klauzulën palestineze, Egjiptin, Sirinë, Jordaninë dhe Libanin , zhvilluan katër luftëra kundër Izraelit, në vitet 1948, 1956, 1967 dhe 1973, gjatë së cilave Izraeli okupoi jo vetëm pjesët  të mbetura palestineze, Gazën, Jerusalemin, Bregun Perëndimor, por edhe gadishullin e Sinajit të Egjiptit dhe rrafshnaltën e Golanit të Sirisë. Pas kësaj, Izraeli duke pa që në shtigje të gjata nuk do të mund të del përball të gjithë shteteve arabe fqinje së bashku, me ndihmën e aleatit  të tij kryesor, SHBA-së, zhvilloi një politikë afrimi një nga një me shtetet fqinje arabe që i përkrahnin palestinezët  në luftën e tyre për çlirim dhe kthimin e refugjatëve palestinez të dëbuar në trojet e tyr. Të parën që arritën, ishte marrëveshja me mbretin Hysejn të Jordanisë, në vitin 1970, me ç’rast ushtria jordaneze gjatë shtatorit 1970, që në histori njihet si ”shtatori i zi”, shuajti me gjak rezistencën palestineze kundër Izraelit që kryhej nga Jordania. Pas marrëveshjes së arritur në Camp David në vitin 1978 në mes Sadatit dhe Beginit, nën mbikëqyrjen e SHBA-së, u zmbraps edhe Egjipti nga përkrahja e gjer atëhershme palestineze, pasi që me këtë marrëveshje Izraeli lidhi paqen me Egjiptin, të cilit si kundërvlerë ia ktheu gadishullin e Sinajit. Mbreti Fejsal i Arabisë Saudite i cili ishte një mbështetës i fortë i kauzës palestineze,  i cili pas luftës së vitit 1973 arabo- izraelite shkaktoi embargon e naftës , si pasojë e kësaj u likuidua në atentatin e kryer nga oborri i ngushtë familjar  në vitin 1975, dhe pas kësaj edhe Arabia Saudite u zmbraps nga mbështetja palestineze. Por për krahasim nga shtetet arabe, në vitin 1979 ngadhënjeu Revolucioni Islamik në Iran, me ç’rast u përmbys regjimi i shahut Pahlavi, në vend të cilit në krye të Iranit erdhi  imam Homeini i cili udhëhoqi vendin plot 10 vite, gjer në vdekjen e tij në vitin 1989 . Me Revolucionin Islamik të Iranit në vitin 1979  ndryshuan shumë raporte politike, ushtarake, energjetike, në Lindjen e Afërt. Irani , i cili gjer në vitin 1979 së bashku me Turqinë ishin të vetmit shtete në Lindjen e Afërt, të dyja shtete jo arabe,  që nga themelimi i Izraelit në vitin 1948 me të cilin kishin marrëdhënie shumë të mira politike dhe diplomatike. Por, pas vitit 1990  Irani u vu në ballë të boshtit të rezistencës  kundër Izraelit, duke zëvendësuar Egjiptin, në përkrahje të mbështetjes aktive të rezistencës palestineze, krahas Sirisë e cila kishte mbetur e vetmuar nga shtetet arabe në përkrahje të Palestinës, e cila jo vetëm që nuk u zmbraps nga presionet e shumta  për të lidhur paqe me Izraelin, por  vazhdoi të mbështet edhe më tutje çështjen palestineze dhe popullin palestinez. Boshti i rezistencës apo i ashtuquajturi ”boshti i së keqes” i përbërë prej Iranit, Sirisë, Hezbollahut dhe Hamasit,  përkundër përpjekjeve të fuqishme për ta shkatërruar pikërisht këtë në konfliktin sirian,  po luftojnë në krah të ushtrisë siriane lojale BasharAsadit, për të mbijetuar boshti i  rezistencës aktive propalestineze kundër regjimit të Izraelit.

Aspekti i katërt i konfliktit sirian, dhe sipas mendimit tim më tragjik dhe katastrofal, është aspekti sektar i luftës  në mes vet myslimanëve në saje të ndarjeve sektare sunito-shiite, e cila në është maskuar nën petkun fetar sektar për të arritur tri aspektet të lartëcekura, gjeopolitike, energjetike dhe të sigurisë në konfliktin e tanishëm pesëvjeqar sirian. Dijetari dhe ish lideri politik  i doktrinës shiite në botën Islame imam Homeini në mënyrë  të qartë me kohë e ka sqaruar këtë problem të ndarjes së muslimanëve në bazë të doktrinës sunite dhe shiite: “Kush na ndanë neve muslimanëve në suni dhe shi’a, ai nuk i përket fesë Islame, sepse në Islam me rëndësi është devotshmëria ndaj Allahut . Vetëm të devotshmit janë të drejtë dhe më të afërm tek Zoti në këtë botë”. Humbësit më të mëdhenj në të gjithë këtë katrahurë janë myslimanët në përgjithësi të cilët nuk i kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë të gjitha lojërat dhe prapavijat e këtyre luftërave të cilët ndodhin me ta, apo janë aq të dobët dhe shkurt pamës, sa që merren më me dëshirë në mes vete t’i qërojnë hesapet për shkak të përkatësive të ndryshme sektare, duke mos kursyer  jetët e tyre dhe civilëve të pafajshëm të cilët i sakrifikojnë si rrëke për të realizuar interesat e ngushta raciste sektare. Këtë dobësi aktuale prezente në mes   myslimanëve më së miri e ka komentuar kryeministri izraelit Benjamin Natanjahu: ” gjersa myslimanët e sotshëm janë në kulminacionin e luftës  sektare në mes vete, ne kurrë më të përbashkuar nuk kemi qenë”. Përkundër kësaj, në shekullin XXI myslimanët e sotshëm janë duke kaluar  fazën të cilin e kanë tejkaluar të krishterët në mesjetë, para plot 4oo vite me paqen e arritur të Vestfalisë pas 30 vite lufte sektare në mes katolikëve dhe protestantëve. Bota Islame sot gjendet në kulminacionin e luftës sektare në mes  sunitëve dhe shiitëve, që nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin si fe e paqes, por veprimet e myslimanëve në mes vete sjellin vetëm dhunë, vrasje dhe viktima me pasoja të papara në botën Islame, duke  nisur që nga Pakistani, Afganistani, Iraku, Jemeni, Libani, Bahrejni, Arabia Saudite, e së fundi Siria si kulminacionit i luftës sektare fetare. Apelit “për luftën e shenjtë” i janë përgjigjur me dhjetëra mijëra luftëtar nga të gjitha anët e botës, dhe  pas luftës civile në Spanjë 1936-1938,  konflikti sirian është “per excellent”  me pjesëmarrjen më të madhe të luftëtarëve nga mbarë bota, në të cilin gjer tani llogaritet se kanë marrë pjesë mbi 100.000 luftëtarë  nga 83 shtete të botës, të cilën gjë e konfirmoi edhe para ca kohësh në raportin e vet të prezentuar Shtëpisë së Bardhë shefi i shërbimeve  Clapper: ” kanë luftuar gjer tani në krahun opozitar 115.000 luftëtar nga të cilët 3/4 e numrit  janë luftëtarë të ardhur nga mbarë bota”. Kësaj thirrjeje i kontriboi  edhe ish ministri britanez i punëve të jashtme, Dejvid Hag, para tre vitesh me deklaratën e tij pa kurrfarë sensi  diplomatik :”duhet mundësuar që sa më shumë vullnetarë të shkojnë nga mbarë bota në Siri për të luftuar kundër diktatorit Asad”. Kësaj thirrjeje për “luftë të shenjtë”  ranë pre edhe shqiptarët myslimanë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, por edhe boshnjakët mysliman në Bosnjë dhe Sanxhak. Të paktë ishin ata mysliman shqiptar që kundërshtuan nëpërmjet shkrimeve apo analizave të tyre në gazeta dhe portale, apo me  komentet e tyre në rrjetet sociale, se kjo luftë e proklamuar sektare sunito –shiite nuk është  “luftë e shenjtë”, por prapavijat e saj janë të natyrës gjeopolitike, gjeostrategjike, energjetike, të sigurisë, dhe se pas shfrytëzimit të vullnetarëve”xhihadistë” në luftë, ata që mbijetojnë gjallë, pasi të kthehen  do të burgosen dhe dënohen si xhihadistë, fundamentalistë, ekstremist, të shpallur si pjesëtarët të organizatave teroriste ISIS-i, al Nusra, etj. Kulminacioni i luftës sektare janë aksionet e kryera teroriste, e sidomos sulmet vetëvrasëse, që kjo formë e tillë e terorizmit sa është e tmershme po aq është edhe iracionale. Problemin e terrorizmit mjaftë mirë e ka analizuar  Alija Izetbegoviqi, ish lider boshnjak dhe ish kryetar i kryesisë së Bosnjës e Hercegovinës, i cili në mes tjerash ka thënë: “Terrorizmi është shprehje e pafuqisë sonë të tanishme dhe shkas i pafuqisë sonë eventuale të së ardhmes sonë. Ai nuk është vetëm amoral por është edhe joproduktiv. Amoral, pasi që vriten njerëz të pafajshëm,  joproduktiv, pasi që askund kurrë nuk ka mund të zgjidh asgjë. Terrorizmin e kanë hedhur poshtë të gjitha lëvizjet politike gjatë historisë. Kur’ani kategorikisht e ka ndaluar me thënien e njohur:” kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve. (Kur’ani 5:32)”. Konflikti sirian ka hyrë në fazën përfundimtare të saj, dhe më në fund përplasjet e SHBA-së dhe Rusisë lidhur me impaktet e tyre të drejtëpërdrejta do të përfundojnë me zgjidhje kompromisi. A është arritur ky kompromis në mes Washingtonit dhe Moskës apo jo, akoma nuk mund të them me siguri, por indiciet e tanishme tregojnë se një gjë e tillë ndoshta edhe ka ndodhur. Pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim në mes SHBA-së dhe Rusisë, të forcave qeveritare siriane  dhe kryengritësve opozitar sirian, duke përjashtuar nga kjo marrëveshje grupet e shpallura teroriste, ISIS-i, al Nusra e grupet tjera, si dhe fillimit të bisedimeve paqësore në Gjenevë, pasoi veprimi i papritur i kryetarit të Rusisë, Putinit, për të tërhequr shumicën e forcave ajrore ruse nga aksionet luftarake në Siri , e cila mund të jetë shenjë se është arritur një ujdi paraprake  në mes SHBA-së dhe Rusisë. Diplomacia amerikane kohëve të fundit ka pranuar se shërbimet sekrete amerikane konkretisht nuk e kanë identifikuar qeverinë e Bashar al Asadit si përgjegjës për sulme kimike në gusht të vitit 2013 në Gutën lindore të Sirisë, e cila ishte shkas për përplasje direkte në mes SHBA-së dhe Rusisë, por e cila për fat të mirë përfundoi me kompromis, në atë mënyrë që pas kërcënimit të Putinit se do të mbrojë me të gjitha mjetet Sirinë, Obama u zmbraps nga vendimi për të sulmuar Sirinë, dhe pastaj ishin John Kerry dhe Sergej Lavrovi që arritën marrëveshje kompromisi për eliminimin e arsenalit kimik të regjimit sirian. Diplomacia ruse nga ana tjetër, pasi që me hyrjen e saj direkte në mbrojtje të qeverisë siriane të Bashar al Asadit, pasi që e konsolidoi dhe e forcoi atë në një masë të duhur, u zbraps, duke deklaruar se objektivat i ka arritur,  përveq tjerash përveq bazës detare Tartus në Mesdhe, në Siri, tani e ka edhe bazën ajrore Hmeimin në Lataki të Sirisë, dhe se  nuk ka rrezik  për rrënien e Bashar al Asadit, por tani nëpërmjet bisedimeve paqësore që janë duke u zhvilluar në Gjenevë të Zvicrës do të kërkohet zgjidhja politike e konfliktit sirian. Kjo zgjidhje politike si do të jetë në fund, heret është për të konkluduar, por ka gjasa reale që të bëhet ndonjë ndarje e brendshme, decentralizimi i pushtetit qendror, në të cilin do të vinin në shprehje liritë më të mëdha të drejtave njerëzore si dhe pjesëmarrja në pushtet të të gjitha grupeve etnike, fetare, sektare, fisnore në Siri. Rusia duke marr parasysh se është në trusnin e madhe të sanksioneve ekonomike të vëna nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në njërën anë, e në anën tjetër edhe rrënies drastike të çmimit të naftës, imponuar nga Arabia Saudite, është e vetëdijshme së në  periudhën afatgjate e ka vështirë të qëndrojë, dhe tani do të përpiqet që të gjendet zgjidhje politike, ashtu që të mund të evitohet edhe impakti ekonomik i cili është krucial edhe për një shtet të fuqishëm siç është Rusia. Rusia duke bashkëpunuar ngushtë me koalicionin e ashtuquajtur ”gjysmëhëna shiite” apo ndryshe edhe “boshti i së keqes” ka arit të ndryshojë në favor të saj pozitën gjeopolitike në Lindjen e Afërt.

Në fund do të konkludojë se vrasjet e mbi 200.000 njerëzve në konfliktin sirian, plagosja dhe sakatosja e qindra mijëra njerëzve të tjerë,  miliona refugjat të shkapërderdhur si brenda Sirisë, ashtu edhe jasht Sirisë, të strehuar nëpër kampet e refugjatëve në Turqi, Liban, Jordani, e tani edhe mbi një milion refugjatë të ardhur  në Evropë, me miliona njerëz të cilët kanë mbet pa kulmë në krye, me dhjetëra mijë fëmijë të mbetur jetim, me dhjetëra mijëra gra të mbetura vejane, me ekonomi familjare të shkatëruara, fabrika, spitale, shkolla, xhami, kisha dhe trashëgimi tjera të pasura kulturore të shkatëruara dhe të rënuara , infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore të shkatëruar dhe të rënuar, paraqesin vetëm të ashtuquajtuara”dëme kolaterale” të cilët i sjell lufta, por të cilat fare nuk çojnë peshë për projektuesit dhe planifikuesit  të cilët me të gjitha mjetet e duhura dëshirojnë të realizojnë qëllimet e programuara më parë, çofshin ato të aspektit gjeopolitik, aspektit energjetik,  aspektit të sigurisë, apo edhe aspektit sektar të konfliktit apo luftës pesëvjeçare siriane.