Familja Jashari nuk mori pjesë në inaugurimin e Thaqit president
Ceremonia e inaugurimit, nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar ku shumë karrige që ishin të rezervuara për familjen Jashari mbeten të zbrazëta pasi ata nuk e kanë përfillur ftesën e z.Thaçi. Ceremonia është injoruar edhe nga disa presidentë si, Recep Tayp Erdogan, Fili Vujanovic, Tomislav Nikoliq e Gjorgje Ivanov.
Mëngjesin e të premtes, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina është zgjuar në shtetrrethim. Më shumë se kurdoherë rrugët e kryeqytetit ishin të bllokuar me policë të shumtë dhe nuk dihej se jetojmë në demokraci të lirë apo në shtetrrethim. Përveç bllokimit të rrugëve që të çojnë në shesh, policia nuk ka lejuar as këmbësorët që të hyjnë në sheshin “Skënderbeu” e as në sheshin “Nëna Terezë”. Policë të shumtë janë parë jo vetëm nëpër rrugë por edhe mbi ndërtesat e larta si ajo e Qeverisë dhe Kuvendit. Dhe gjithë ky spektakël, ishte bërë vetëm sa për ta shënuar rastin e ceremonisë inauguruese të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ceremonisë i parapriu gazi lotsjellës i cili u hodh nga përfaqësuesit e VV –së.
Të pranishëm në sheshin “Skënderbeu” ishin vetëm dy homologët të tij, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe ai i Shqipërisë Bujar Nishani.