İslamofobe

Sulm ndaj lirisë së fesë në Gjermani

Dega e Bavarisë së Poshtme e Alternativës për Gjermaninë (AfD) ka paraqitur projektin deri tani më antiislam për programin e partisë populiste të djathtë AfD dhe kjo parti kërkon ndalimin e “ndërtimit dhe aktivitetit” të xhamive.

Xhamitë i shërbejnë jo vetëm “ritualit të përbashkët të faljeve, por edhe përhapjes së doktrinës islame, të drejtuar në eleminimin e rendit tonë juridik, thuhet në dokumentin me titull “Guxim për përgjegjësi”. Autorët e propozimit më tej pohojnë se Kurani lejon “gënjeshtrën dhe mashtrimin”.

Veç kësaj, feja islame “në rrugën e saj të deklaruar për sundim të përbotshëm ka mbërritur tashmë në 57 prej 190 shteteve”, raporton DW.

 Hartuesit e projektprogramit shkruajnë se janë të ndërgjegjshëm se ky hap i ri shkel Ligjin Themelor të Gjermanisë, i cili garanton lirinë e fesë. Por politikanët e djathtë shkruajnë megjithatë se kjo liri duhet të ketë kufi.

Në fund të fundit, autorët e Ligjit Themelor nuk mund ta merrnin me mend “se në fushën e zbatimit të kushtetutës mund të hynin edhe fe, të cilat bëjnë thirrje për vepra penale (...) dhe që kanë si pikësynim sundimin e përbotshëm”.

Një grup ekstremist i veçuar brenda AfD, “Krahu” besohet se është përgjegjës për propozimin për programin. Kryetari i degës së AfD-së në Bavari, Petr Bystron u distancua nga dokumenti, por pranoi se kishte dijeni për të.

Në fund të prillit, AfD do ta miratojë në një kongres programin e saj bazë. Propozimi për ndalimin e ndërtimit të xhamive është deri tani propozimi më radikal për politikën ndaj fesë të AfD-së. Në shkresë thuhet shprehimisht: “Feja islame nuk bën pjesë në Gjermani”. Në Gjermani vlerësohet se jetojnë katër milionë myslimanë, këta janë pesë për qind e të gjithë popullatës. AfD kërkon edhe që femrave t'u ndalohet mbajtja e shamive dhe e çarçafit. Veç kësaj, politikanët në fjalë duan ta kufizojnë ndikimin e fesë islame: p.sh. imamët duhet të shkollohen vetëm në gjermanisht dhe vetëm në universitetet gjermane, kërkohet.