Kosova

Rrokullisen kamion me mallra serbe

“Nuk i lejojnë librat tanë, nuk i pranojmë prodhimet e tyre.” 

Vetëvendosje, ka treguar se ka rrokullisur një kamion me mallra serbe si kundërpërgjigje për librat që s’janë lejuar të shkojnë në Preshevë për nxënësit shqiptarë në shkollat shqipe.

Vetëvendosja – rrinë para të gjitha këtyre aktiviteve domethënëse, duke  përmbysur një kamion me produkte të Serbisë që shiten në Kosovë. Ky aksion është përgjigje ndaj aktit kriminal të Republikës së Serbisë, e cila dje i ktheu pas mbi 103.000 libra shqip, duke lënë pa shkollë nxënësit shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.


16 vite pas luftës, autorja e masakrave dhe e shkatërrimeve të mëdha në Kosovë, Republika e Serbisë, e kontrollon dhe e shfrytëzon Kosovën ekonomikisht me produktet e saj, pa e njohur atë. Në të njëjtën kohë, Republika e Serbisë, vijon të shantazhojë përmes minoritetit serb në Kosovë, duke kërkuar të ndërtojë një shtet brenda shtetit me projektin e Zajednicës.
Këto aksione të Republikës së Serbisë nuk gjejnë përgjigje reciproke nga Republika e Kosovës, udhëheqja e korruptuar e të cilës e ka çuar Kosovën në përulje. Jo vetëm që nuk po mundet Qeveria e Kosovës të vendosë regjim reciprociteti tregtar me Serbinë, duke kontrolluar kufijtë e vet, por as nuk po mundet të kujdeset për fëmijët shqiptarë në Serbi, të cilëve nuk ka mbërritur t'ju sigurojë as librat shkollorë, edhe pse ka negociuar dhe vazhdon të negociojë me Qeverinë e Serbisë për vite me radhë.

Për këto arsye, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të vazhdojnë aksionet e tilla deri sa Republika e Serbisë të pranojë reciprocitet me Republikën e Kosovës. Pabarazia dhe nënshtrimi janë të papranueshme. Ata nuk i lejojnë librat tanë, ne nuk do t'i pranojmë prodhimet e tyre.