Kosova

Mbyllen OJQ-të që promovuan terrorizmin në bashkëpunim me BIK-un

Që nga paslufta në Kosovë kanë vepruar shumë organizata joqeveritare ndërkombëtare, në emër të rimëkëmbjes së vendit nga lufta. Në mesin e këtyre organizatave, rreth 14 syresh, kryesisht nga Arabia Saudite, kanë zhvilluar veprimtaritë e tyre në disa qytete e fshatra të Kosovës.

Në muajt e fundit të vitit 2015, Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së vendit dhe duke u bazuar në informacionet nga Policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, kishte urdhëruar tërheqjen e lejes për ushtrimin e veprimtarisë për këto 14 organizata joqeveritare. Këto  organizata janë urdhëruar të ndërpresin veprimtarinë, pasi që është konsideruar se kanë paraqitur rrezik për sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.

 Me disa nga organizatat, të cilave u është ndaluar veprimtaria, Bashkësia Islame e Kosovës ka pasur bashkëpunim të ngushtë.

Në këtë institucion fetar, thonë se pas luftës në Kosovë kanë vepruar organizata joqeveritare si nga Lindja, po ashtu edhe nga Perëndimi.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, theksoi se një numër i organizatave të tilla nuk kanë vepruar ashtu siç e kanë pasur misionin, por kanë vepruar ndryshe, duke propaganduar dhe duke shtrirë ndikimet e tyre edhe në aspektin fetar.

 “Këtu, më interesant ka qenë ajo se këtu kanë shtrirë ndikimin e tyre, kanë hapur edhe përfaqësi dhe kanë pasur bashkëpunëtorë të tyre lokalë dhe nëpërmjet tyre kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në Kosovë. [Sa kanë qenë të rrezikshme këto organizata] nuk kemi të dhëna konkrete, por që kanë ndikuar në indoktrinimin e të rinjve tanë, ajo është evidente”, shpjegon Sadriu.

(Lista e Organizatave Joqeveritare ndaj të cilave Departamenti për OJQ/MAP, me datë 26 tetor 2015, në bazë të kërkesës së Organit kompetent të sigurisë ka marrë vendim për pezullimin e veprimtarisë së tyre: 1. Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim(AKEA); 2. Al-wakaf al Islami; 3. Kalliri i Mirësisë; 4. Sinqeriteti; 5. Çelësi; 6. Pema e Bamirësisë; 7. Kosova Aid Devolopment(KAD); 8. Rinia Istogase; 9. Hektari-He; 10. Njëshmëria; 11. Parimi; 12. Gurma; 13. Mesxhidi Studentor).

Veprimtarinë e dyshimtë të disa organizatave, e sidomos të asaj Al-wakaf al Islami, disa hoxhallarë thonë ta kenë vërejtur shumë herët.

Idriz Bilalli, imam i xhamisë në qendër të qytetit të Podujevës, thotë se pas dyshimeve të para për veprimtarinë e organizatës Al-wakaf al Islami, është informuar Bashkësia Islame e Kosovës.

Bilalli thotë se organet kompetentët në BIK, kanë bashkëpunuar me organizatën në fjalë. Insistimet për bashkëpunim me organizatat e tilla, sipas Bilallit, kanë vazhduar herë pas here nga Bashkësia Islame e Kosovës, por, siç thotë ai, bashkëpunimi është kundërshtuar.

 “Kemi vërejtur se ato kanë një tendencë për të futur përçarje në xhematin tonë dhe në xhamitë tona dhe për këtë arsye jemi distancuar nga to”, deklaron Bilalli.