Xhim Kerri kërkon reformën, Edi Rama tregon pikturat!
Publiku sapo pa dje pasdite, tallavanë e shfaqjes së ministrave të Ramës nëpër ekranet televizive, duke përsëritur si papagaj se vizita ishte mbështetje për kryeministrin e se ata ishin në rrugë të mbarë. Qëndrim më qesharak dhe joetik s’mund të kish. Vëzhguesve u shkoi mendja tek pyetja: Pse i djeg Edi Ramës kaq shumë, sa po përpiqet ta privatizojë vizitën, a thua se ai s’kish qenë në zyrën e kryeministrit, si drejtuesi më i lartë ekzekutiv i shtetit shqiptar, por në Surrel, tek sarajet e tij të reja. Ishte një reagim aq irracional, saqë asnjë shembull s’gjendet në historikun 25-vjeçar të marrëdhënieve dypalëshe (pa përjashtuar as vizitën e Xhejms Bejkërit). Kujtesa e freskët e vizitës së Hillari Klintonit në 2012-n, konfirmoi aleancën mes dy popujve edhe për 100 vitet e ardhshme dhe foli për Shqipërinë, si një “demokraci në veprim”. Qeveria s’u përpoq ta nxirrte vizitën jashtë kontekstit të saj dhe bile vlerësoi edhe takimin e sekretares me shefin e opozitës Rama, pavarësisht se ky i fundit s’kish lënë protestë pa e frymëzuar me pak antiamerikanizëm. Për Edi Ramën s’vlejnë këto shembuj të sjelljes së mirë e të përmbajtur qeveritare, pasi miza që i djeg nën kësulë, deklarimi i sekretarit Kerri se Shqipëria është aq problem për korrupsionin sa edhe Nigeria, duhen errësuar sa më shpejt. Për këtë shërben tallavaja e ministrave dhe e disa gazetarëve të berihajit qeveritar, të cilët folën për “konfirmimin e kryeministrit si lider global”, për “Edi Ramën si partnerin që nxjerr për llogari të Amerikës gënjeshtrat e nxehta nga zjarri ballkanik”, për kryeministrin që “shtrin ndikimin e tij edhe në Lindjen e Mesme, për llogari të amerikanëve”…etj,etj. Tallavaja merrte si ilustrime të ekskluzivitetit të vizitës, “ciceronllëkun” tek salla e hartave, guidën tek shkarravinat e zyrës private, si dhe karshillëkun që i bënte Kuvendit, teksa e çoi Kerrin deri tek cepi i godinës, për ta takuar me disa njerëz të porositur. Këto hajgare janë me të vërtetë private, por s’shërbejnë për të shpjeguar me muzikë tallave, rëndësinë e vizitës së sekretarit të shtetit të SHBA në Shqipëri. Shënimi në librin e përshtypjeve i sekretarit Kerri është nga ana tjetër një leksion gratis për të kuptuar se vizita është ashtu siç e meriton të jetë, vizitë në Shqipëri e në respekt të popullit shqiptar. “Faleminderit popullit shqiptar për pritjen jashtëzakonisht zemërgjerë në vendin tuaj të bukur. Shtetet e Bashkuara janë shumë krenare për miqësinë tonë. Shqipëria është një aleate e shkëlqyer e NATO-s. Një partner në luftën kundër ekstremizmit dhe një mike e shkëlqyer. Përshëndetjet më të përzemërta, John Kerry” thuhet në shënimin e sekretarit të shtetit. Një shënim i denjë për 25 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, që s’ka aspak lidhje me panoramën prej Surreli që ministrat morën urdhër t’i jepnin vizitës. Çka ishin personale në fakt ishin mesazhet se Shqipëria është bërë po aq problem për korrupsionin sa Nigeria dhe se për reformën në drejtësi duhen votat e të gjitha palëve, “pa marrë parasysh ndërmarrjet kriminale” (burimi Top Channel), një theksim i fortë i gjendjes ku e katandisi Edi Rama parlamentin e Shqipërisë. Rregullimi i kësaj gjendjeje vjen duke neutralizuar faktorët që e kanë sjellë në këtë pikë, pra duke shpushtetëruar mikpritësin e sekretarit të SHBA. Një shembull i qartë i ecjes në kah të kundër të reformave i kryeministrit është tentativa më e re e tij për të kapur edhe me ligj RTSH-në, për t’ia dhënë atë “me koncesion” një miku personal të vëllait të tij. Logjika private me të cilën Edi Rama qeveris vendin polli dje tallavanë e ministrave nëpër ekrane, të cilët tentuan të zvogëlonin rëndësinë e vizitës së sekretarit të shtetit, duke e paraqitur atë gati-gati si diçka private, si një aferë personale. Tallavaja mund të vazhdojë edhe pak, derisa me të vërtetë shqiptarët të vendosin që reformat t’i përshpejtojnë, duke shpushtetëruar kryeministrin, por dje ata rimorën mesazhin se mikun më të madh e kanë përtejAtlantikut, edhe pse në Tiranë korrupsioni është i rëndë si në Nigeri, edhe pse në parlament ka segmente që veprojnë si ndërmarrje kriminale të fuqishme që puthin Shqipërinë nga mëngjesi në darkë.