Rusia

Marrëdhëniet Rusi - Serbia dikur miq me strategji, por sot tronditën Serbinë

Televizionin që kontrollohet drejtpërdrejt nga qeveria e Putinit e ka penguar fakti që Vuçiq dhe qeveria serbe bashkëpunojnë me firmën e Tony  Blair, ish-kryeministrit britanik, transmeton lajmi.net.  Televizioni shtetëror “Rusia sot” (RT) gjatë ditëve të kaluara e ka sulmuar ashpër kryeministrin serb Aleksandar  Vuçiq dhe qeverinë e tij.
Ky televizion i Putinit, në termine më të shikuara, ka sulmuar Vuçiqin, duke mos kursyer fjalë kritike për shkak të bashkëpunimit me Blairin. Në dy emisione, Vuçiq është akuzuar se e “ka angazhuar për këshilltar njeriun i cili e ka bombarduar Serbinë”, ndërsa gjithë këtë e ka ilustruar me xhirime të viktimave, shkatërrimit të urave dhe qyteteve serbe gjatë bombardimeve të NATO-s.

Moska frikësohet se Beogradi krejtësisht po i kthehet Perëndimit, kurse si shkas për këto sulme mediale merret marrëveshja ndërmjet Vuçiqit dhe nënpresidentit amerikan Joe Biden për furnizimin e Serbisë me gaz amerikan. Po ashtu, nga BE-ja arrijnë mesazhe se Serbia duhet të marrë shembullin e BE-së për diversifikim të furnizimit me energjentë, pra që të mos varet nga Rusia.

 “Besojmë që arsye për këto sulme ruse ndaj Vuçiqit është pikërisht ajo që Serbia tash po përpiqet të gjejë burime tjera të gazit dhe kësisoj të mbrojë interesat e veta”, tha për gazetën beogradase Blic një bashkëbisedues nga Qeveria serbe.

Ky bashkëbisedues tregon se angazhimi i firmës së Tony Blairit nga ana e qeverisë serbe është bërë për të marrë këshilla për zbatimin e modelit të organizimit (Delivery unit), për të cilin besojnë se është më i miri.