Rama: Islami i Shqiptarëve është Islam Evropa dhe ne luftojmë grupet xhihadiste
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se kriza e refugjatëve mund ta prekë edhe Shqipërinë nëpërmjet rrugës së Ballkanit Perëndimor. “Lidhjet e rrjeteve të xhihadistëve janë shumë më efikase se sa lidhjet e vendeve evropiane, të cilat përpiqen t’i shkatërrojnë”, ka thënë Rama .
Rama ka thënë se Bashkësitë Myslimane të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë janë të lidhur me perceptimin e islamit evropian dhe demokratik, gjë që i bënë ata të qëndrueshëm nga propagandat xhihadiste.
Më tutje ai ka thënë se qeveritë lokale po bëjnë përpjekje kundër xhihadistëve dhe se Bashkëpunimi Evropian në terren është i nevojshëm për goditjen e rrjeteve të lidhura mirë dhe propagandave të grupeve terroriste, transmeton lajmi.net
I pyetur nëse është i frikësuar se kriza e dytë Evropiane, kriza në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet refugjatëve mund të zgjerohet edhe në Shqipëri, ai është përgjigjur se ajo është një mundësi.
“Ajo që sot shohim mund të mos ndodhte nëse do të kujdeseshim që kriza në Siri të mos zgjerohet”, ka thënë Rama, duke vlerësuar se egoizmat nacionalë parandalojnë aksionet e interesave të përgjithshme.