Kulturë

Kryengritja e Imam Hysejnit, tragjedia e Qerbelesë, ndikimi në botë dhe tek shqiptarët

Kryengritja e Imam Hyseinit është një nga ngjarjet më frymëzuese, më shpresëdhënëse, ndërsa Tragjedia e Qerbelasë, është një nga tragjeditë më rënqethëse në historinë njerëzore në përmasa botërore, ndërsa në historinë islame, tek besimtarët muslimanë, në veçanti, kjo tragjedi përkujtohet çdo vit me lot në sy...

Ky përkujtim bëhet në dhjetë ditët e para të muajit Muharrem, sepse ngjarja e Qerbelasë ndodhi pikërisht në këtë muaj, në vitin 61 sipas apo në pjesën e parë të muajit Tetor të vitit 680, sipas kalendarit Gregorian.
Ky përkujtim quhet Matem, fjalë  perse, e cila në  gjuhën shqipe do të thotë zi. Zi mbahet dhe përkujtohet Lufta e Qerbelasë ndërmjet  ushtrisë Jezidit të Muavijes, nën komandën e Ubejd ibn Zijadit dhe kryengritësve në krye me Hysein ibn Aliun,...

Në këtë luftë të pa barabartë, e cila u zhvillue në Qerbela, me 10 Muharrem 61 ose 12 tetor 680, ra dëshmor, me shpatë në dorë, Hysein ibn Aliu, nipi i Muhammedit (a.s.) me 71 të tjerë,  në mes tyre edhe foshja gjashtë muajshe, djal, Ali el-Asghari...

Qerbelaja ndodhët rreth 100 km. në jugperendim të Bagdadit, kryeqytetit të Irakut, dhe hynë në kategorinë e vendëve më të shenjta për besimtarët muslimanë, pas Mekkes, Medinesë, Jerusalemit (Kudsit) dhe Nexhefit.

NDIKIMI NË BOTË

Lufta e Qerbelasë dhe kryengritja e Hysein ibn Aliut pati ndikim të madh, jo vetëm tek popujt muslimanë, por edhe tek të tjerët me besime të ndryshme, tek personalitetet me rëndësi, qoftë në Lindje apo në Perendim, që flasin me admirim...

Disa prej tyre janë :

Mahatma Gandi (1869-1948), udhëheqësi politik dhe shpirtëror i Indisë ka thënë :

« Detajisht e kam studiuar jetën dhe veprën e dëshmorit të madh islam, imam Hyseinit, pas një kujdesi të mjaftueshëm, ngjarja e Qerbelasë, më ka bërë me dije se nëqoftëse India dëshiron të arrij deri te fitorja duhet të ndjek rrugën dhe shembullin e Hyseinit... »

Charles Dickens (1812-1870), shkrimtar i njohur britanik, novelisti më popullor anglez në periudhën Viktoriane :

« Po të ishte qëllimi i imam Hyseinit arritja e të mirave të kësaj bote, në atë rast nuk e kuptoj pse me vete mori motrat, gratë dhe fëmijët ? Do të thotë, mendja gjykon që ai u flijua ekskluzivisht për shkak të Islamit.

Tomas Masarik (1850-1937) sociolog, filozof, politikan, luftëtar për pavarësinë e ish-Çekosllovakisë, kryetar i parë i saj, për imam Hyseini ka thënë :

« Megjithëse priftërinjtë tanë pikëllojnë besimtarët duke ua kujtuar Golgotën i Krishtit (hz. Isai (a.s.), por kurrë nuk mund ta arrijnë ekstazën që e arrijnë pasuesit e Hyseinit. Ndoshta arsye për këtë është fakti që fatkeqësia e Krishtit (hz.Isai (a.s.), në krahasim me atë të Hyseinit është si një fije kashte kundruall në bjeshke të madhe. »

NDIKIMI TEK SHQIPTARËT

Kryengritja e Imam Hyseinit,  Tragjedia e Qerbelasë, ka ndikuar edhe tek shqiptarët e besimit islam, në veçanti tek rendet mistike, tarikatet, siç janë kaderitë, nakshibenditë, sa’aditë, halvetitë, rifai’itë, bektashinjtë etj.

Në përgjithësi, shqiptarët muslimanë nga imam Hyseini dhe dëshmorët e Qerbelasë mësuan një mësim të madh, flijimin e vetes për hirë të së Vërtetës, për hirë të lirisë, kundër tiranisë, për hirë të drejtësisë, kundër hipokrizisë...
Për luftën e Qerbelasë janë shkruar shumë vepra të mallëngjyeshme në prozë e poezi. Epopenë  e parë fetare në letërsinë shqipe e shkroi Dalip Frashëri më 1842,  e cila quhet Hadikaja ( Kopshti), e cila ka 65.000 vargje....

Dalip Frashëri ishte dervish i tarikatit Bektashian, i cili  mori mësimet e tija në Teqen Bektashiane në Frashër, themeluar më 1824 nga  Baba Tahir Nasibiu (vd. 1835).

Baba Tahir Nasibiu e dërgoi dervishin e tij, Dalip Frashërin, në Konicë, ku Dalip Frashëri kryesoi teqen e fshatit dhe shkruajti një epikë letrare në gjuhën shqipe, por me alfabet arab....

Kjo epikë letrare është epopeja e parë fetare në letërsinë shqipe, të cilën e shkroi Dalip Frashëri më 1842, e shkroi me pseudonimin Hyxhretiu (emigranti), dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendëror të Shtetit në Tiranë....

Naim Frashëri (1846-1900) duket që është frymëzuar nga «Hadikaja » e Dalip Frashërit për thurrjen e epikës së tij me titullin « Qerbelaja », botuar në Bukuresht më 1898..

« Qerbelaja » e poetit Naim Bej Frashëri është një vepër në vargje e cila prekë shpirtin e secilit që e lexon. Qe disa vargje :

Eeufrat, o more lum' i shkretë
Mos këndo po qaj;
Derth lot e rënko për jetë
Mos qesh paskëtaj!
Se Hysejn' e Fatimesë
Me farët të ti,
E vranë komb' i pabesë,
Kombi faqezi...
Hyseni desh njerëzinë,
Dhe për të u vra,
Per të shpëtuar njerinë,
Ra në Qerbela...
Imamëtë dymbëdhjetë,
Nga der'e Aliut,
Hoqn' e vuanë ndë jetë,
Për nder të njeriut ...

Për nder të njeriut, dëshmori i Qerbelasë, Imam Hyseini e dha dhuratë zemrën e tij, ndërsa shpirti i tij dhe i dëshmorëve tjerë janë pasqyrë e shpirtit ku pasqyrohet deklarimi se:
“ S’ka Zot përveç Allahut Zotit ! Muhammedi është i dërguari i Tij !“Qerbelanë”, poeti, Naim Halid Frashëri e përfundon me këto vargje:

Për Hasan' e për Hysenë
Për ju e për mëmëdhenë
Të përpiqi nat' e ditë
Sa të dalemë në dritë.
Zot i math e i vërtetë
Mos na ler kurrë shkretë
Ti je Zot' i gjithësisë
Perendi e Shqiperisë
Urdhëri yt po të jetë
E po të duash ti vetë
Gjithë punëtë mbarohen
Gjëkundi nukë ndalohen.
Fali , fali Shqipërisë
Gjithë ç'ke të mirësisë.
edhe ju gjithë të mirët
Mos na lini n'errësirë
Zot i math, për Qerbelanë!
Për Hysejn' e për Hasanë
Për ata të dymbëdhjetë
Që hoqn' aqë në jetë!
Për gjithë ato mundime!
Për ngashërimenë time!
Shqipërinë mos e lerë
Të prishetë e të bjerë
Po të jetë gjallë përjetë;
Gjithë ç'i duhetë t'a ketë

Të rronj' e të mbretëronj
Të jetë lulëz e zonjë;
Fali ti vetez' uratë
Që të jetë hijegjatë
Shqipëtari trim me fletë
Si ka qenë le të jetë;
Të ket ' gjith' urtësinë
E ta dojë Shqiperinë
Të vdesë për Mëmëdhenë
Si Myhtari për Hysenë
Të ngjajnë me Ibrahimnë
Edhe me Eba-Myslimnë
Të jetë trim e i mirë
Po të mos jet' egërsirë
Të jet' i qyteteruar
I ditur ' e i mësuar
T'i apë nder Shqipërisë
U bëftë e Perëndisë.

Shpirtërat e bardhë të dëshmorëve të Qerbelasë, në krye me Imam Hyseinin, janë pranë Zotit. Nga thesari i Dritës Hyjnore ata na ofrojnë këshillën, moralin,virtytin për të ecur në Udhën e së Vërtetës në çdo rrethanë të jetës, duke mbjellur në ndërgjegjet tona farën e diturisë, devotshmërisë, trimërisë, drejtësisë, të përulësisë...