Kosova

Kryeministri premton se Kosova nuk do të bosnizohet

Media e Lirë - Kryeministri Isa Mustafa garanton se Asociacioni apo Zajednica nuk ka gjasa të e bosnizoj Kosovën apo të themi më troç nuk ka atë mundësi që Brenda Kosovës së krijoj Republika Srpska siç ka krijuar në Bosnje.  Ai gjithashtu ai shtoi se gjatë dialogut në Bruksel delegacioni kosovar ka qenë shumë i kujdesshëm që të mos lejojë një gjë të tillë, dhe se për këtë çështje ka pas mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, përfshirë edhe të kancelares Merkel.

 

Kryeministri konsideron se Serbia me pranimin e kësaj marrëveshjeje përfundimisht e ka pranuar Planin Ahtisaari, dhe se këto zgjidhje derivojnë nga ky plan.“Në pako, te pjesa e pushtetit lokal përpunohet dhe sqarohet mjaft shumë relacioni i bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe është lënë mundësi mjaft e gjerë e formave të bashkëpunimit ndërkomunal”, tha Mustafa, duke shtuar se asgjë nga marrëveshja e asociacionit nuk del jashtë Kushtetutës së Kosovës. 

 

Ai ka shtuar se asociacioni nuk do të ketë asnjë element të pushtetit ekzekutiv apo të pushtetit të tretë dhe nuk do të ketë mundësi që të vendos në emër të komunave, gjë që do të krijonte asimetri të pushtetit.

Kryeministri ka folur edhe për ekonominë, duke veçuar reformat fiskale, Fondin për Garantimin e Kredive, Ligjin për Faljen e Borxheve, përmirësimin e ambientit të biznesit dhe rënien e normave të interesit nga bankat. Mustafa ka veçuar rëndësinë që do të ketë për zhvillimin ekonomik aprovimi i Ligjit për Investime Strategjike, i cili do të mundësojë që Qeveria të negociojë drejtpërdrejtë për ardhjen e investitorëve të jashtëm, në mënyrë që ata të mos dekurajohen nga procedurat.