Imamët dhe predikimi i ekstremizmit në Kosovë
Në Mitrovicë u organizua tryezë debati nga Qendra Kosovar për Studime të Sigurisë (QKSS), ku gjithashtu kishte përfaqësues edhe të BIK-ut dhe Policisë së Kosovës. Qëllimi i tërë këtij organizimi ishte metodat dhe mënyrat e parandalimit të ekstremizmit fetar në Kosovë.
Në këtë takim të rëndësishëm sot u tha se, “Bashkëpunimi ndër-institucional në drejtim të adresimit të sfidave të cilat ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm që nga fazat e hershme të zhvillimit të tij, qysh tek fëmijët e shkollave fillore janë rrugët më të mira për ta luftuar ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”.
Skënder Perteshi nga QKSS përmendi gjendjen e rëndë ekonomike, sistemin jo adekuat të edukimit, mos-njohuritë e duhura rreth fesë, mungesës së lirisë së lëvizjes, si ndër faktorët të cilët po ndikojnë në përhapjen e ekstremizmit në Kosovë
Përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës në Mitrovicë kërkuan që, si masë edukimi e të rinjve për t’u larguar nga elementet radikale, lënda Edukata Fetare të futet në kurikulën shkollore. Kryeimami i Mitrovicës Rexhep Lushta tha se ekstremizmi po vjen nga mosnjohuria e parimeve të vërteta fetare dhe gjendja e rëndë ekonomike në vend.
Ndërsa zyrtarë të Policisë së Kosovës nga Departamenti për Anti Terrorizëm thanë se gjatë hetimeve që janë bërë ndaj elementeve radikale në Mitrovicë, janë gjetur edhe vende të fshehta, jashtë objekteve fetare, ku imamë të caktuar u mbajnë të rinjve ligjërata të cilat, sipas tyre, bien ndesh me parimet e Islamit.
“Kur predikohet drejt feja islame, nuk ka nevojë të ligjërohet fshehtas me dritare të mbyllura”, tha Florim Shabani nga Njësia për Parandalimin e Ekztremizmit të Dhunshëm Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Në debat janë dhënë ide të ndryshme se si institucionet dhe shoqëria në Kosovë duhet të përballet me ekstremizmin përfshirë edhe atë që të zhvillohet mendimi kritik e analitik tek fëmijët rreth rreziqeve që mund të vijnë nga ekstremizmi.