Kardinali Jean-Louis Tauran në Mitingun e Riminit: Luftërat nuk janë fetare, por politike
Vijon, në Rimini të Italisë, Mitingu tradicional, nën shenjën e dialogut ndërfetar. Punimet i hapën një katolik, një hebre e një mysliman, që dëshmuan se fetë janë për ta ndërtuar, e jo për ta shkatërruar njeriun”. E pikërisht për rolin e feve foli, në ditën e dytë të Mitingut, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, sot, në mikrofonin e Radio Vatikanit tha:
Përgjigje: Në kohët tona nuk ka asnjë
konflikt, që të jetë me natyrë fetare. Të gjitha konfliktet, me të cilat, për
fat të keq, duhet të merremi, janë pasojë e arsyeve politike. Por, po ta vëresh
mirë botën e sotme, nuk mund ta kuptosh pa fetë. E ky është paradoksi i madh.
Një shekull më parë patën thënë: “Zoti vdiq!”. Por sot po e shohim se nuk ka
vdekur aspak, se është i gjithëpranishëm. Prej këndej, pikërisht ky paradoks,
na nxit të dialogojmë, sepse Zoti bën pjesë në jetën e njeriut të sotëm. Njeriu
është “frymor” fetar.
Pyetje: Atëhere pse ndodh që fetë të jenë të pranishme pikërisht në konflikt?
Përgjigje: Para së gjithash, nuk janë fetë
të pranishme, por ndjekësit e tyre, burra e gra me vulën e mëkatit të
rrjedhshëm. E prej këndej, e dimë - e thotë Kushtetuta Konciliare Gaudium et
spes - se dhuna do të jetë deri në fund të fundit të botës. Duhet, prandaj, t’i
bëjmë ballë kësaj dhune. Ta mundim të keqen, me të mirë.
Pyetje: Shumë qeveri “laike”, për të shmangur konfliktet, e shpërfillin
identitetin, edhe atë fetar: ju duket udhë e drejtë kjo?
Përgjigje: Jo, sepse në dialogun ndërfetar
gjëja e parë tek e cila duhet të ndalemi, - siç e ka kujtuar edhe rektori i
xhamisë së Lionit - është identiteti. Duhet ta dimë kush jemi, kujt i besojmë,
cilat janë vlerat universale, që na prijnë në jetë. Nuk ka dialog ndërfetar, ku
ka mëdyshje. Ne duhet ta kemi parasysh, ta dimë mirë përmbajtjen e fesë sonë.
Pyetje: Feja dhe demokracia: shpesh ndërmjet tyre, dialogu nuk është aspak i lehtë...
Përgjigje: ... me të drejtë: njeriu është i lirë e shpesh herë e keqja
sundon mbi të mirën. Ne duhet të veprojmë gjithnjë në mënyrë që forca e ligjit
të ketë epërsi mbi ligjin e forcës.
Pyetje: Integralizmi islamik, ç’ide ka për fenë?
Përgjigje: Integralizmi islamik, para së
gjithash, nuk është islam i vërtetë. Është çoroditje. Integralistët janë grupe
që, për fat të keq, gëzojnë mbështetjen e disa sektorëve, që nuk janë në favor
të demokracisë.
Pyetje: Mungesa e paqes sot varet edhe nga besëlidhja ndërmjet fesë e
pushtetit?
Përgjigje: Në disa raste, po. Pa harruar se fetë janë forcë e së mirës; e
këtë e shikojmë vazhdimisht... Ka gjithnjë shumë rëndësi që mjetet e
komunikimit të ngulin këmbë më shumë mbi këto aspekte pozitive: për shembull,
një familje myslimane në Bagdad, që strehon prej dy vjetësh një familje të
krishterë. Ky është fakt shumë i bukur, ose shembulli i etërve domenikanë, që
dy vjet më parë themeluan, në Bagdad, Akademinë e Shkencave Shoqërore, ku kanë
më se një mijë studentë, pothuajse të gjithë myslimanë. Këta shembuj janë rreze
drite në errësirë, prej këndej duhet folur për ta.