Kulturë

Irani përtërit traditën kulturore Shqiptare përmes Fondacionit “ SAADI SHIRAZI”

Media e Lirë -  Falë aktiviteteve të larmishme kulturore Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” ka fituar një reputacion dhe emër të mirë në të gjitha sferat e jetës, duke u afirmuar në nivelin më të lartë ndërkombëtar, gjë që nderon jo vetëm këtë Fondacion, por edhe Republikën Islamike të Iranit.

Fondacioni Kulturor Iranian Saadi Shirazi është themeluar në Tiranë në vitin 1994 si OJF (NGO. Ka qëllim, prezantimin e kulturës dhe qytetërimit Iranian dhe islamik në Shqipëri, ringjalljen e marrëdhënieve kulturore midis dy popujve të Iranit dhe Shqipërisë, si dhe forcimin e miqësisë midis kombeve të dy vendeve tona të lashta.


Fondacioni Kulturor Saadi Shirazi ne fazën e re të aktiviteteve të tij që nga viti 2003 është shndërruar në një vatër kulturore iraniane me ndikim të ndjeshëm në qarqet kulturore shqiptare si dhe shërben si forcues i marrëdhënieve kulturore dhe lidhjeve midis studiuesve dhe hulumtuesve të kulturës së dy shteteve, dhe gëzon reputacion në qarqet kulturore shqiptare

Veprimtaria dhe vlerat e  Fondacionit Saadi Shirazi  janë bërë të njohura jo vetëm në Shqipëri, ku ndodhet selia e Fondacionit dhe botohet revista “Perla”, por edhe në gjithë hapësirën shqiptare, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në diasporën shqiptare të vjetër e të re, që nga bota e arbëreshëve të Italisë, deri te mërgata shqiptare në SHBA.

Duke qenë pjesë përbërëse e Perandorisë së Bizantit dhe e Perandorisë Osmane, shqiptarët kanë pasur prej kohësh të hershme lidhje të shumëfishta me botën e Lindjes së Mesme, ku ka rrezatuar fuqishëm dielli i shkëlqyer i kulturës persiane.

“Perla” i ka dhënë rëndësi të dorës së parë pohimit dhe njohjes së traditës sonë në fushën e orientalistikës e të iranologjisë. Në një varg artikujsh është paraqitur dhe vlerësuar e komentuar puna e dijetarëve si Vëllezërit  Frashëri, Hafëz Ali Korça, Vexhi Demiraj, Haxhi Hafiz Ismet Dibra, Fan S. Noli, Osman Myderrizi, Tahir Dizdari, Hasan Kaleshi, Vexhi Buharaja, Bardhyl Pogoni, të cilët me veprimtarinë e tyre të pasur si orientalistë, filologë, teologë, historianë, përkthyes, kanë bërë shumë edhe për njohjen e kulturës, të gjuhës dhe letërsisë iraniane ndër shqiptarët.

Por gjithsesi trëndafili më i bukur në “Gjylystanin” e Fondacionit “Saadi Shirazi” mbetet revista “Perla”. Ky trëndafil me kujdesin e përhershëm të atyre që e mbollën dhe të drejtorit të sotëm z. Muhammad Azizi , nxjerr gjithnjë gonxhe të reja. “Perla” është tribuna e miqësisë dhe e respektit të ndërsjellë të dijetarëve shqiptarë e iranianë, që duke përtërirë traditat e lashta, ndërtojnë ura bashkëpunimi e mirëkuptimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.