Kosova

Kisha ortodokse serbe inkuadrohet në përpjekje për të parandaluar pranimin e Kosovës në UNESCO

Kisha ortodokse serbe do të përgjigjej thirrjes së shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiqit për t’u inkuadruar në luftën diplomatike për parandalimin eventual të pranimit të Kosovës në UNESCO, ashtu që do të kërkojë përkrahjen e të gjitha kishave ortodokse serbe në botë, por edhe të Vatikanit, ka deklaruar ipeshkvi serb Irinej.

Irinej ka thënë se Ivica Daçiqi me plot të drejtë ka njoh “qëllimin dinak të përvetësimit të trashëgimisë sakrale kulturore të kishës ortodokse” me pranimin eventual të Kosovës në UNESCO.

“Mendoj që qeveria jonë, në bisedimet me UNESCO-në, në ekipin e biseduesve duhet të inkuadrojë, në kuadër të pjesëmarrësve aktiv, e jo të konsulentëve, edhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, Akademisë serbe të shkencave dhe artit, Maticës serbe dhe diasporës serbe, ndoshta edhe të tjerëve”, ka deklaruar ipeshkvi Irinej i cili njëkohësisht është edhe zëdhënësi i kishës ortodokse serbe.

Ai ka thënë se Kisha ortodokse serbe me këtë rast duhet të kontaktojë jo vetëm të gjitha kishat ortodokse simotra në botë, por edhe  Vatikanit i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, edhe pse kjo mund të shkaktojë histerinë e të ashtuquajturve ”super ortodoksëve”.

“Është e pritshme të shkaktohet histeria, sidomos të atyre të cilët kurrë nuk  kanë shkel këmbën në tokën e shenjtë dhe martire të Kosovës e Metohisë, e posaqërisht të cilët nuk e kanë mbrojtur, as me armë, as me pendë, disa bile edhe e kanë tradhtuar apo e kanë shitur”, ka thënë përveç tjerash, ipeshkvi serb Irinej.

Ministri serb i punëve të jashtme, Ivica Daçiqi, në fund të korrikut ka bërë thirrje Kishës Ortodokse Serbe dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve Serbe, që të inkuadrohen së bashku me organet shtetërore në përpjekjet që të parandalohet pranimi i Kosovës në anëtarësimin në UNESCO.

Burimi: globalcir