Beteja për mos anëtarësim në UNESCO
Autoritetet e Serbisë kanë konfirmuar se janë duke bërë betejë për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).
Me 16 korrik zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati theksuar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se beteja për këtë anëtarësim ka nisur tash e gjashtë muaj. Ndërsa. zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se Kosova është angazhuar që përmes lobimit tek vendet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të sigurojë dy të tretat e votave të shteteve në këtë organizatë.
“Është një betejë shumë e vështirë dhe Kosova nuk e ka lehtë. Por, me të gjithë partnerët tanë, me shumë shtete tjera, ne do të vazhdojmë fazën e dytë e më pas edhe të tretë të lobimit, që t’i sigurojmë votat”.
Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë: “Për aq sa mundemi, ne jemi duke luftuar për këtë. Ne vërtetë jemi duke luftuar dhe jemi duke dhënë gjithçka nga vetja që ta pengojmë një gjë të tillë me të gjitha mjetet paqësore, demokratike dhe politike. Serbia më nuk është e pafuqishme siç ka qenë dikur. Unë edhe më tej nuk do të mbiçmoja rolin tonë, por as nuk do ta nënçmoja. Për mua është qesharake që Deçani, Graçanica dhe Bajska të jenë pjesë e trashëgimisë së dikujt tjetër dhe jo të të trashëgimisë kulturore serbe. madje, për mua kjo është tragjikomike”, ka thënë Vuçiq.
Në përgjigje të kësaj deklarate të Vuçiqit, Zëvendësministri i Jashtëm, Selimi, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk është ndonjë sulm ndaj kishave serbe, por, sipas tij, bëhet fjalë për nevojat e Kosovës që ndërlidhen me edukimin, shkencën dhe kulturën.
Selimi: “Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO vetëm se e avancon pozitën e trashëgimisë serbe në Kosovë. Ajo do të jetë urë lidhëse në mes Serbisë dhe Kosovës e jo vijë ndarëse. Prandaj, unë po shpresoj që Serbia do ta ndërpresë politikën e bllokadës dhe izolimit të Kosovës”.
Pas aplikimit të Kosovës në UNECO, në tetor të këtij viti, në këshillin ekzekutiv të kësaj organizate do të votohet për rekomandimin pozitiv për Kosovën, ku nevojiten 51 për qind e votave.
Më pas, në nëntor, në konferencën e përgjithshme, do të nevojiten dy të tretat e votave të atyre që janë prezent dhe votojnë, në mënyrë që Kosova të pranohet pjesë e UNESCO-s.