Shqipëri

Maqedonia dhe Albanofobia – opinion nga dr. Sali Berisha

Pas shpalljes së pavarësisë, në vitet në vazhdim të dekadës së fundit të shekullit që shkoi, Maqedonia arriti konsolidimin e pozicionit të saj ndërkombëtar, i rezistoi përpjekjeve të Milosheviçit dhe bllokadave të Greqisë për destabilizim. Por duhet thënë se, që në muajt e parë të jetës së saj, një faktor tjetër pre-ekzistues që ishte kultivuar për gjatë shekullit që kaloi, me potencial destabilizues, madje dhe më të madh se të gjithë faktorët e tjerë, doli fuqishëm në skenën e shtetit të pavarur të Maqedonisë. Kjo dukuri ishte albanofobia, frika e etnisë maqedonase ndaj shqiptarëve.

Natyrisht, albanofobia nuk është një fenomen specifik i Maqedonisë, ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë omniprezente tek fqinjët e tjerë direkt të shqiptarëve në Ballkan. Por, për një seri arsyesh në këtë vend ndofta ka qenë, herë herë, dhe më e harbuar. Tito, për të garantuar epërsinë e maqedonasve, sundimin e tyre, ndoqi ndaj shqiptarëve në këtë republikë politikën e:
• spastrimit të tyre të qetë, të planifikuar etnik, nëpërmjet emigracionit të organizuar;
• mosshkollimin e tyre, duke menduar se kështu do të dizinteresoheshin për vehten dhe të drejtat e tyre;
• asimilimin e qindra dhe mijëra shqiptarëve ortodoksë të Rekës dhe zonave të tjera në këtë vend.

Para pavarësisë së Maqedonisë, terrori ndaj shqiptarëve në këtë vend ishte i njëjtë me atë të Milosheviçit në Kosovë. Aty, historia e shqiptarëve, gjuha shqipe, flamuri, këngët patriotike gjer edhe muret rrethuese të banesave, konsideroheshin armiqësore.

Por, pas shpalljes së pavarësisë dhe sanksionimit me kushtetutë të Maqedonisë si shtet i maqedonasve, albanofobia, si trashëgimi e të shkuarës dhe proces i pandalshëm, do të dëshmohej një gjyle e rëndë në këmbët e këtij shtetit dhe shumë shpejt, do minonte stabilitetin e tij. Kjo dukuri primitive shprehej, në politika të qarta zyrtare, diskriminuese antishqiptare.

Banorë të trojeve të tyre shekullore, dhe me identitet të konsoliduar shqiptarët, konisderoheshin nga maqedonasit, një rrezik real, ndaj dhe duheshin shtypur dhe mbajtur si qytetarë të dorës së dytë.