Nënshkruhet në Vatikan, marrëveshja Seli e Shenjtë-Palestinë
U nënshkrua sot në Vatikan, marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Palestinës, përsa u përket “aspekteve thelbësore të jetës dhe të veprimtarisë së Kishës në këtë shtet”. Në të ripohohet mbështetja e Vatikanit për një zgjidhje paqësore e politike të gjendjes në rajon. Në notën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, saktësohet se kjo “marrëveshje globale” u nënshkrua nga Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher dhe ministri i jashtëm palestinez, Riad Al-Maliki.
Është e qartë vazhdimësia me Marrëveshjen-kuadër që Selia e Shenjtë dhe Organizata e atëhershme për Çlirimin e Palestinës, patën nënshkruar më 15 shkurt të vitit 2000. Risia qëndron në pasqyrimin e zhvillimeve në zonë, por sidomos në njohjen e lirisë për “Kishën Katolike, personat juridike kanonike dhe çdo katolik” (Neni 2, § 3), mbi bazën e interpretimeve dhe normave më bashkohore të së drejtës ndërkombëtare. Kujtojmë se muajin e fundit, Izraeli shprehu pakënaqësinë e tij për arritjen e kësaj marrëveshjeje, ku përkrahet hapur zgjidhja e dy shteteve të pavarura, njëri palestinez e tjetri izraelit.
Ministri i Jashtëm palestinez, Riad el-Maliki, e quajti historike marrëveshjen, duke vënë në dukje, “Marrëveshja përfshin për herë të parë një njohje zyrtare të Palestinës si shtet nga Selia e Shenjtë, në njohje të së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje, liri dhe dinjitet, në një shtet të pavarur të tijin, i çliruar nga prangat e pushtimit.”
Paul Gallagher, Ministri i Jashtëm i Vatikanit, bëri thirrje për rinisjen e negociatave të drejtpërdrejta mes izraelitëve dhe palestinezëve, për të shkuar drejt zgjidhjes së dy shteteve. “Kjo kërkon sigurisht vendime kurajoze, por gjithashtu ka për të dhënë një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin në rajon,” tha ai.
Palestinën e njohin 135 shtete të OKB-së, ndërsa 160 prej tyre e njohin Izraelin.
Marrëveshja e nënshkruar ka sjellë zemërimin e Izraelit, që e ka quajtur atë, “një hap të nxituar që dëmton perspektivën e shkuarjes drejt një marrëveshje paqeje.” Në të njëjtën kohë, u la të kuptohej se kjo mund të kishte rrjedhoja në marrëdhëniet diplomatike me Vatikanin.