Një sqarim për publikun
Me këtë shkresë dëshirojmë të japim sqarime rreth bastisjes që iu është bërë Institutit për shkencat humane “Ibni Sina” nga policia e Republikës së Kosovës.
Të mërkurën, më datë 24. 06. 2015 Policia e Kosovës ka ardhur në objektin e Institutit dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka kryer bastisje dhe ka konfiskuar gjashtë kompjuterë, dokumentet, libra (nga një kopje) dhe disa gjëra tjera si CD, USB. Gjatë gjithë bastisjes është ruajtur respekti reciprok dhe janë zhvilluar biseda të tipit pyetje-përgjigje. Në fund, pasi përfundoi bastisja, policia na tha se kjo bastisje është realizuar për arsye se donatori i juaj, z. Hasan Azari është nën hetime. Në këtë mënyrë dikur pas dite, Prokuroria Speciale e Kosovës në portalin e saj bëri publike lajmin http://www.psh-ks.net/?page=1,8,763.
Lajmi i prokurorisë pastaj mori dhenë dhe disa media të caktuara të Prishtinës dhe Tiranës duke mos respektuar integritetin dhe dinjitetin e punëtorëve të këtyre OJQ-ve filluan spekulimet dhe kalkulimet e tyre, ku tregonin një joprofesionalizëm dhe amaterizëm të llojit të vet. Tituj bombastik lajmesh si “Goditen 5 organizata, pastronin para duke mbështetur grupet ekstremiste” (http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=300996&IDCategoria=1), “Pastrim parash për grupe ekstremiste, kontrolle në 5 OJQ” (http://www.ikub.al/Lajme/15/06/24/Kosove-Pastrim-parash-per-grupe-ekstremiste-kontrolle-ne-5-OJQ–0140.aspx) e shumë të tjerë si këta ku nuk respektoheshin fare rregullat etike të gazetarisë (ngase as nuk shkruhej fjala “dyshohet” dhe as nuk apostrofoheshin foljet me të cilat akuzoheshin këto organizata) vërshuan gjithandej në internet. Duhet theksuar se në brendësi të këtyre lajmeve nuk thuhej diçka tjetër përpos se bëhej ‘paste’ lajmi i prokurorisë së Kosovës. Ky diskreditim dhe linçim mediatik kulmoi me lajmet e gazetës “Koha Ditore” dhe “Gazeta Express”. “Koha Ditore” në numrin e saj të 25 qershorit, i akuzonte organizatat në fjalë (përfshirë edhe Institutin “Ibni Sina”) për lidhje me terrorizmin dhe shkruante se ato financojnë hoxhallarë selefistë të linjës shi’ite. Koncepte tw tilla joprofesionale si ‘hoxhallarë selefistë të linjës shi’ite’ mund të hasen vetëm në Koha Ditore e cila mbahet si media kredibile e me gazetarë që kanë fituar çmime të shumtë. Edhe lajmi i gazetës Express me titull “Kush qëndron prapa OJQ’ve islamike të bastisura për shpëlarje të parave?” është një mishmash që nuk merret vesh gjë: sa akuzon shi’itët e Iranit, sa selefistët e Arabisë Saudite e sa BIK-un. Siç dihet, në fund të këtyre bastisjeve nuk ka pasur asnjë të arrestuar, por mediat vazhdimisht përdornin fotografi të personave të arrestuar, të cilët ishin me mjekra dhe në këtë mënyrë cenonin dinjitetin dhe integritetin e këtyre qytetarëve të Kosovës që nuk kishin të bënin fare me organizata në fjalë. Një veprim i këtillë profesionalisht konsiderohet dhunim i parimeve gazetareske dhe se media dhe gazetarë të tillë duhet të japin llogari para drejtësisë.
Tani meqë mediat Institutin “Ibni Sina” e akuzojnë për shpëlarje parash dhe financim të terrorizmit, duke mos treguar një dëshmi të vetme, atëherë e shohim të udhës që të japim disa sqarime për aktivitetin e Institutit tonë.
Instituti për shkencat humane “Ibni Sina” është i regjistruar si OJQ me numër 5113908-9 në Ministrinë e Administratës Publike/Departamenti i Regjistrimit dhe Ndërlidhjes së OJQ-ve, me datë 03.15.2012. Ai kryen veprimtari në fushat e arsimit, kërkimit shkencor, studimeve filozofike, studime në fushën e kulturës dhe civilizimit islam dhe oriental dhe veçanërisht, iranologjinë, gjuhën dhe literaturën perse. Kjo veprimtari shkencore – kulturore e Institutit mund të shihet qartë në revistën shkencore “Hikmet” dhe në librat që janë publikuar. Motoja e Institutit është luftimi i fanatizmit nëpërmjet arsyes dhe dijes, ngase besojmë se fanatizmi –qoftë ai laik apo fetar – është fenomeni kryesor që devijon realitetin dhe mbjellë injorancën. Instituti jonë, për dallim nga disa, fanatizmin, radikalizmin dhe terrorizmin e lufton me aktivitete intelektuale dhe shkencore e jo me fyerje, diskreditime dhe linçime. Sepse është i bindur se ne një shoqëri ku mbizotëron dija dhe arsyeja aty nuk mund të ketë ndikim radikalizmi dhe fanatizmi. Prandaj dhe ne besojmë se të gjithë dashamirët e këtij vendi dhe këtij populli duhet të na ndihmojnë ne realizimin e këtij qëllimi fisnik.
Por, të hedhësh baltë mbi veprimtarinë shkencore – kulturore të një Instituti të tillë dhe ta akuzosh atë për financim të terrorizmit e shpëlarje parash është tejkalim i çdo norme profesionale dhe humane, për të mos thënë kërcënim e shantazhim ndaj studimeve shkencore dhe kulturore në vendin tonë.
Gjithashtu shprehim dyshime se tejtheksimi dhe stërmadhimi i këtyre OJQ-ve, ku bënë pjesë edhe Instituti “Ibni Sina”, si organizata shi’ite dhe të Iranit nga disa media, bëhet me qëllim që instituti dhe punonjësit e tij të paraqiten si objekte të sulmeve të ISIS, ngase tashmë jemi të informuar për kërcënimet e kësaj organizate terroriste në vendin tonë dhe se objekti i parë i kësaj organizate (duke u nisur nga realiteti ne rajonet konflikuteze ne Lindje tw Mesme) janë shi’itët. Kështu dhe Instituti “Ibni Sina” dhe punonjësit e tij pas këtyre etiketimeve si “organizatë islamiste”, “organizatë shi’ite” (e që në fakt ai është vetëm një institut shkencor), ndjehen të kërcënuar seriozisht se mund të jenë cak i ndonjë sulmi terrorist. Për çdo pasojë të këtillë ne do t’i mbajmë përgjegjës këto media dhe gazetarët e tyre.
Në fund ne në emër të Institutit “Ibni Sina” mohojmë çdo lidhje me organizata dhe persona të dyshimtë për terrorizëm dhe gjithashtu dënojmë akuzat e pabaza të disa mediave dhe ato i konsiderojmë si kërcënim dhe shantazhim ndaj mendimit, studimit, kritikës dhe një ambienti të lirë dhe demokratik.
Instituti për shkencat humane “Ibni Sina”
Burimi: İbni Sina İnstutiti