Maqedonia

Protestë gjithëshqiptare në Shkup të Maqedonisë

Rreth 10.000 shqiptarë të Maqedonisë kanë marr pjesë në protestën e sotshme të mbajtur në Shkup, me ç’rast është kërkuar dorëheqja” e qeverisë antishqiptare dhe korruptuese të Gruevskit dhe Ahmetit”.

Protesta, iniciator i së cilës është lëvizja qytetare BESA, nuk e kanë përkrahur dy parti shqiptare, Bashkim Demokratik për Integrim(BDI),lideri i së cilit është Ali Ahmeti partner i koalicionit qeverisës VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski, por as partia opozitare Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), lideri i së cilit është Menduh Thaqi.

Sikurse përcjellin mediat në Shkup, organizatorët e protestës, rreth 40 shoqata të ndryshme qytetare dhe organizata joqeveritare, kanë thënë se policia ishte përpjekur që të parandalojë protestuesit të mos vijnë në protestë.

“Janë tubuar me mijëra shqiptar të cilët nuk duan më të jenë të nënçmuar. Ne nuk duam asgjë më shumë, por nuk pranojmë asgjë më pak se që kanë maqedonasit” ka thënë njëri nga drejtues e shoqatës qytetare BESA, Skender Rexhepi.

Mediat në shqip theksojnë se në protestën gjithëpopullore kanë marrë pjesë edhe qytetarët nga Tetova, Gostivari, Struga, Dibra, Kumanova  dhe Kërçova. Protestën e quajtur”protestë gjithëshqiptare” e kanë siguruar forcat e shumta policore, por edhe organizatorët e shumtë të protestës, kujdestarët e së cilës gjendeshin në të dy anët e rrugëve gjatë së cilës kalonin kolonat e shumta të njerëzve. Demonstruesit kanë mbajtur parulla të shumta, sikurse ”Ndaleni dhunën mbi shqiptarët”,”Ali tradhtari”.

Organizatorët, përveç dorëheqjes së qeverisë së Gruevskit dhe Ahmetit, kanë kërkuar edhe”ndriçimin e të gjitha të vërtetave shqiptare në Maqedoni” si dhe”marrëveshje të re për Maqedoninë” në mes bashkësisë maqedonase dhe shqiptare, duke shprehur mosbesimin edhe ndaj dy liderëve shqiptar, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaqit.