Udhëheqësi i Kishës Ortodokse Siriane kërkon veprim ndërkombëtar për të ndaluar mizoritë e ISIS-it në Siri
Mar Ignatius Aphrem II, Patriarku i Antiokisë dhe Udhëheqësi Suprem i Kishës Lindore, i Kishës Ortodokse Siriane kërkon një dënim ndërkombëtar të krimeve tmerruese të organizatës terroriste ISIS që po kryen në Hasaka.
Gjatë ditëve të fundit, ISIS i ka shndërruar në gërmadha fshatrat e provincës verilindore, duke kryer akte të tmerrshme të vrasjeve dhe ka rrëmbyer banorë të fshatrave.
Mizoritë e ISIS-it, gjithashtu, kanë lënë qindra banorë të zhvendosur, shtëpi djegura dhe objekte të rrënuara, duke përfshirë edhe një kishë antike në fshatin Tal Hermerz e cila konsiderohet si më e vjetra në Siri.
Duke folur nga Holanda, ku ai është në një vizitë patriarkale, Patriarku Aphrem bëri një apel për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë për të punuar për ndalimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të organizatave terroriste që veprojnë në Siri.
Kjo përpjekje, vuri në dukje ai, mund të bëhet përmes zbatimit të rezolutës përkatëse të Këshillit të Sigurimit.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për të marrë masa për të lehtësuar lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë njerëzve të rrëmbyer dhe të mbajtur rob nga ISIS-i.
Rreth njëqind civilë vetem nga fshatrat e rajonit të Hasaka-s janë arrestuar nga ISIS-i në sulmin e tij të armatosur i cili filloi të hënën e kaluar.
Patriarku i bëri thirrje njerëzve me ndikim në botë për të punuar seriozisht për të ndaluar aktet e vrasjeve dhe shpërnguljes sistematike të të krishterëve, duke bërë thirrje edhe për ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare për të mbështetur një zgjidhje paqësore në rajon.
Burimi: SANA