Papa Françesku: t’i shërbejmë Zotit e jo kujt na ofron sende të kota
Sipas Radio Vatikani,
Papa Françesku tha se në çdo rrethanë të jetës, i krishteri duhet të zgjedhë
Zotin e të mos joshet nga sjellje e gjendje, që e largojnë prej Tij. Duke
komentuar leximet e ditës, gjatë meshës në Shtëpinë e Shën Martës, Papa
Françesku i këshilloi të krishterët të zgjedhin të mirën, nëse nuk duan të jenë
si ata, që ai i quajti “të dështuar të suksesshëm”. Pra, njerëz të ngritur në
qiell nga turma, që i sheh si të pushtetshëm, por që, në fund të fundit, nuk
janë tjetër, veçse adhurues të gjërave të vogla, që kalojnë e s’lënë asgjë
pas.
Në qendër të liturgjisë së sotme ishte pjesa biblike, në të cilën Zoti i thotë Moisiut: “Shiko! Unë sot po të vë përpara jetën e lumturinë po edhe vdekjen e mjerimin. …sot po të urdhëroj: ta duash Zotin, Hyjin tënd, të ecësh udhëve të tija”.
Ndjekës të zotëve të parëndësishëm
Vendimi që merr
Moisiu, pohoi Ati i Shenjtë, është ai që duhet të marrë përditë çdo i
krishterë. Është vendim i vështirë. Është më lehtë ta lesh veten në dorë të
inercisë së jetës, të gjendjeve të ndryshme, të ngjarjeve të përditshme. Është
më lehtë të bëhesh, nënvizoi Papa, shërbëtor i zotërve të tjerë:
“Të zgjedhësh
ndërmjet Hyjit e zotërve të tjerë, atyre, që s’kanë fuqi të na japin gjë, vetëm
gjëra të vogla, që kalojnë. E nuk është e lehtë të zgjedhësh. Ne e kemi zakon
të shkojmë pas njerëzve, të bëjmë pak a shumë, si të gjithë. Si të gjithë! Të
gjithë e askush! E sot, Kisha na thotë: ‘Ndalu! Ndalu e zgjidh’. Është këshillë
e mirë. Do të na bëjë mirë të ndalemi e gjatë ditës, të mendojmë pak: si është
mënyra ime e jetesës? Në ç’rrugë eci?”
Monument për të dështuarit
E së bashku me këto
pyetje, të rrëmojmë më thellë në ndërgjegje, vijoi Papa, të pyesim
ç’marrëdhënie kemi me Zotin, me Jezusin… e pastaj, me prindërit, vëllezërit,
burrin, gruan, fëmijët. E këtu, Ati i Shenjtë citoi Ungjillin e ditës, ku
Jezusi u thotë dishepujve se njeriut mund t’i duket sikur ka në dorë gjithë
botën, por nëse e ka humbur e shkatërruar shpirtin e vet, nuk ka fituar asgjë:
“Udhë e gabuar është
ajo e kërkimit të suksesit personal, të mirëqënies personale, pa menduar për
Zotin, pa menduar për familjen. Këto dy pyetje: si i kam marrëdhëniet me Zotin,
si i kam marrëdhëniet me familjen? Përndryshe, njeriu mund të fitojë gjithçka,
por në fund të fundit, kthehet në njeri të dështuar. Sepse dështon. Ajo jetë
është dështim. ‘Po jo, i kanë ngritur një monument, i kanë pikturuar një
kuadër…’. Po, por je i dështuar: nuk ke ditur të zgjedhësh mirë ndërmjet jetës
e vdekjes”.
Të mos vendosim vetëm
Ta pyesim veten,
nguli këmbë Papa Françesku, cila është shpejtësia me të cilën jetoj e nëse me
lejon të reflektoj mbi veprimet e mia. T’i lutemi Zotit për guximin e nevojshëm
që të zgjedhim çdo herë. E Ati i Shenjtë këshilloi të lexohet për këtë, Psalmi
1:
Burimi: Radio Vatikani