Papa Françesku : “jo” dhunë në emër të Zotit, por as tallje për fenë
Sipas Radio
Vatikanit, në Filipine, “mesazhi do të jenë të varfërit”, sidomos mbështetja e
viktimave të tajfunit Jolanda. Kështu tha Papa Françesku në bisedën 45
minutëshe me gazetarët në avionin, që nga Sri Lanka e çoi sot në arqipelagun më
katolik të Azisë. Të rëndësishme, fjalët e Atit të Shenjtë mbi ngjarjet e
Parisit, kur theksoi se liria e shprehjes është “e drejtë themelore”, por e
tillë është edhe ajo e mospërqeshjes së fesë. Ndër temat e prekura me
gazetarët, pajtimi në Sri Lankë dhe Enciklika e ardhshme mbi temat e ambientit,
që mund të publikohet në verë. Në
vazhdim është informacioni i të dërguarit të Radio Vatikanit, në udhëtim me
Papën, Alessandro De Carolis:
“Drithërima përgjatë
shtyllës kurrizore qe e përbashkët si për kronistët ashtu edhe për kameramanët,
kur Papa Françesku, pyetjes mbi të drejtën e lirisë fetare e atë të shprehjes,
siç e ka zakon, nuk i bën bisht, por i përgjigjet drejtpërdrejt. Pyetja vjen
nga një gazetar francez e vë në shënjestër vlerësimin e Atit të Shenjtë për
ngjarjet e fundit në Paris. Këto liri, pohon Papa, ‘janë të dyja liri
themelore’. Por ashtu si ‘lajthit’ kush pretendon ‘të vrasë në emër të Zotit’,
kështu edhe gabon kush fyen fenë, duke valëvitur flamurin e së drejtës për të
thënë ç’të dojë. Në këtë pikë, Papa është pa mëdyshje: sigurisht, duhet thënë
çdo gjë, që kontribuon në ndërtimin e ‘së mirës së përbashkët’ e sigurisht, nuk
duhet reaguar me dhunë kundër fyerjes, ama, as ‘nuk duhet provokuar’. ‘Nuk mund
të shahet feja e të tjerëve – ngul këmbë – nuk mund të tallesh me fenë”, sepse
‘ka kufi’, ai i ‘dinjitetit’, që e zotëron çdo fe.
E ashtu si mund të
kemi një reagim të keq, kur tallemi me diçka të shenjtë për dikë, ashtu njeriu
mund të mbetet viktimë e natyrës së shfrytëzuar tepër prej tij. Një nga temat e
konferencës së shtypit qe pikërisht Enciklika e ardhshme mbi temën e ambientit.
Papa Françesku dha lajmin, që pritej prej kohësh: dokumenti duhet të jetë gati
për qershor-korrik. Në fund të marsit, tha Ati i Shenjtë, do t’i kushtoj një
javë përfundimit të tekstit, i cili ka arritur në bocën e tretë. Pas së parës,
përgatitur nga kardinali Turkson, së dytës, rishikuar nga vetë Papa me ndihmën
e ekspertëve, boca e tretë është hartuar me kontributin e teologëve. Ky
variant, tregoi Françesku, është përmirësuar edhe nga Kongregata për Doktrinën
e Fesë, Sekretaria e Shtetit dhe nga teologu i Shtëpisë Papnore. Papa dëshiron
që Enciklika të vlejë si kontribut për mbledhjen e ardhshme mbi ambientin në
Paris. Takimi i shkuar në Peru, shtoi Papa Françesku, ‘më ka zhgënjyer’ për
‘mungesën e guximit’.
Duke folur për etapën
srilankeze të udhëtimit apostolik, Papa Françesku shpjegoi se përsa u përket
shpalljes së shenjtorëve të rinj, preferon “ungjillëzuesit e mëdhenj”. Kështu
do të ndodhë në shtator, kur, gjatë udhëtimit në SHBA-të, do të shpallë shenjt
Junipero Serra, i cili çoi Ungjillin në perëndim të vendit. Të fuqishme edhe
fjalët për përdorimin e të rinjve e fëmijëve si kamikaze, praktikë e njohur në
konfliktin e Sri Lankës. Përveç problemeve psikike, Papa Françesku nënvizoi se
sheh ‘një çekuilibër njerëzor’ në atë që vendos të vetëvritet, për të vrarë të
tjerët. Kamikaze, tha, është njeri që jep jetën, por nuk e jep për të mirën, në
ndryshim nga shumë misionarë, që kanë dhënë jetën, por për të ndërtuar diçka të
mirë. Gjithsesi, për Papën, t’i vendosësh një bombë në brez një fëmije s’është
tjetër, veçse një mënyrë e tmerrshme për ta kthyer atë në skllav.
Burimi: Radio Vatikan