Ajetullah Sejjid Ali Hamanei

Mesazh i Ajetullah Sejjid Ali Hamenei, Udhëheqësit të Revolucionit Islamik, për të rinjtë e Europës dhe të Amerikës Veriore

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

 

Për të rinjtë në Europë dhe në Amerikën e Veriut

 

   

Ngjarjet e fundit në Francë dhe ngjarje të tjera të ngjashme në disa vende të tjera perëndimore, më kanë bindur mua që të flas drejtpërdrejtë me ju në lidhje me këto ngjarje.  

   

Po ju drejtohem juve, rinisë së Europës dhe në Amerikën e Veriut,  sepse e ardhmja e kombeve dhe shteteve tuaja do të jetë në duart tuaja dhe për faktin se e ndjej se interesimi dhe dëshira për të ditur të vërtetën është më e zjarrtë në zemrat tuaja.

    

Nuk po ju drejtohem politikanëve dhe funksionarëve tuaj, sepse besoj se ata me ndërgjegje të plotë e kanë ndarë rrugën e politikës nga rruga e drejtësisë dhe e të vërtetës.

   

Do të doja të flas me ju në lidhje me Islamin e në veçanti mbi imazhin e Islamit që po ju paraqitet juve. Gjatë dy dekadave të fundit e sidomos që prej shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, janë bërë përpjekje të shumta që kjo fe e madhe hyjnore të paraqitet si një armik i tmerrshëm dhe i dhunshëm. Provokimi i ndjenjës së frikës, urrejtjes, terrorit dhe shfrytëzimi i kësaj ndjenje për qëllime të caktuara ka një dosje të gjatë në historinë politike të Perëndimit.

   

Këtu, nuk dua të flas për frikësimet e ndryshme me të cilat janë indoktrinuar popujt e shteteve perëndimore. Një analizë e thellë e studimeve themelore në fushën e historisë do të dëshmojë për ju faktin se trajtimi hipokrit dhe i pasinqertë i kulturave dhe i popujve të tjerë nga ana e qeverive perëndimore, është censuruar në historiografitë e reja. Historitë e SHBA dhe Europës janë të turpëruara nga skllavëria, nga periudha e errët e kolonializmit dhe nga shtypja e egër e njerëzve me ngjyrë dhe e jo-kristianëve.

   

Studiuesit dhe historianët tuaj janë thellësisht të turpëruar nga gjakderdhja mizore në emër të fesë mes katolikëve dhe protestantëve, apo në emër të nacionalizmit dhe racës gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Ky qëndrim i tyre është i admirueshëm.

  

Pse bëhen kaq shumë përpjekje për të evituar njohjen e popujve me një çështje kaq të rëndësishme si trajtimi i kulturës dhe mendimit islamik? Ju e dini mirë se poshtërimi dhe përhapja e urrejtjes dhe frikës fiktive nga “të tjerët” ka qenë tipar i përbashkët i të gjithë shtypësve.    Do të doja që ju të pyesnit veten se përse frika dhe urrejtja po sulmojnë Islamin dhe muslimanët me një intensitet të paparë? Pse struktura e pushtetit në botë dëshiron që mendimi islam të luftohet dhe izolohet?   Cilat koncepte dhe vlera të Islamit shqetësojnë programet e superfuqive dhe çfarë interesash mbrohen duke luftuar Islamin?

    

Tani, kërkesa ime e parë është: Studioni dhe hulumtoni se cilët janë nxitësit që fshihen pas valës së gjerë të përpjekjeve për të dëmtuar imazhin e Islamit.

     

Kërkesa ime e dytë është që në vend që të reagoni dhe të ndikoheni nga vala e paragjykimeve dhe e fushatave dezinformuese, përpiquni të njiheni drejtpërdrejtë me fenë islame. Logjika e shëndoshë e kërkon që ju të kuptoni natyrën dhe thelbin asaj nga e cila ata ju frikësojnë dhe nga e cila duan t’ju mbajnë larg. Nuk insistoj që ju të pranoni fjalët e mia apo të pranoni fjalët e fesë Islame. Ajo që dua të them është: Mos lejoni që realiteti dinamik dhe efektiv i botës së sotme t’ju imponohet me anë të shpifjeve, dredhive dhe paragjykimeve.

   

Mos i lejoni ata që në mënyrë hipokrite, terroristët e rekrutuar nga vetë ata, t’ju paraqiten si përfaqësues të Islamit. Njihuni me Islamin me anë të burimeve të tij  kryesore dhe origjinale. Merrni njohuri mbi Islamin nëpërmjet Kur’anit dhe jetës së Profetit të madh të Islamit. Dua t’ju pyes, a e keni lexuar direkt Kur’anin e muslimanëve? A keni studiuar mësimet e Profetit të Islamit dhe doktrinat e tij etike dhe humane? A e keni marrë ndonjëherë mesazhin e Islamit nga burime të tjera përveç mediave? A e keni pyetur ndonjëherë veten se mbi bazën e cilave vlera Islami arriti të krijojë civilizimin më të madh shkencor dhe intelektual në botë dhe krijoi shkencëtarët dhe intelektualët më të famshëm për shekuj me radhë?

   

Nuk dua që me fjalët e mia të krijoj një distancë emocionale mes jush dhe realitetit dhe të evitoj mundësinë e një gjykimi të paanshëm nga ju. Sot, mediat e komunikimit kanë fshirë kufijtë gjeografikë, prandaj mos lejoni që ato t’ju rrethojnë me kufij mendorë e të fabrikuar. Megjithëse askush nuk mundet që individualisht të mbushë hendekun e krijuar, secili nga ju mund të ndërtojë një urë mendimi dhe mirësie për të ndriçuar veten dhe rrethin që ju rrethon. Ndërkohë që kjo përballje e planifikuar mes jush dhe Islamit është e padëshirueshme, ajo mund të krijojë pyetje të reja për mendjet tuaja kurioze dhe hulumtuese.   Përpjekja për të gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’ju ofrojë një rast të çmuar për të zbuluar të vërteta të reja.

   

Prandaj, mos e humbni rastin për të fituar një kuptim të drejtë, të saktë e pa shtrembërime të islamit dhe shpresoj që në sajë të ndjenjës së përgjegjësisë që keni ndaj të vërtetës, brezat e ardhshëm do të munden t’a shkruajnë historinë e kësaj përplasjeje mes Islamit dhe Perëndimit me një ndërgjegje më të pastër dhe me më pak pendim.

 

Sejjid Ali Hamenei 21 Janar 2015