Vatikan

Irak, Papa të krishterëve të persekutuar: dëshiroj të jem atje, me ju!

Sipas Radio Vatikanit, bota duhet të bashkëpunojë në mënyrë të harmonishme për t’i dhënë fund dhunës çnjerëzore, që po bën kërdi mbi pakicat e krishtera, e jo vetëm në Lindjen e Mesme. Është videomesazhi i solidaritetit, që Papa Françesku ia besoi kryeipeshkvit të Lionit, kardinalit Philipe Barbarin, i cili që dje ndodhet në Erbil, në Irak, për një vizitë prej 48 orësh, që t’i sigurojë të krishterët irakianë për afërsinë në lutje të Kishës evropiane e edhe që të shikojë, në vend, mënyrën si po organizohet shpërndarja e ndihmave humanitare, ardhur nga të katër anët.
   

Të dëbuar, të mbytur egërsisht, në njëmijë mënyra, të përdhunuar, me shtëpi të rrënuara e Kisha të djegura. Kështu janë sot të krishterët irakianë e të zonave të tjera të Lindjes së Mesme, të urryer e të persekutuar nga ai, që Françesku e quan “grup ekstremist e fundamentalist”. E pikërisht Papa e rrethon këtë bashkësi heronjsh të panjohur të fesë me delikatesën dhe emocionin, që ngjall në shpirtin e atit, biri, viktimë e dhunës. E Papa e bën këtë nga larg, vetëm e vetëm sepse nuk mund ta bëjë ndryshe, por thellësia e fjalëve të tij, dhimbja e sinqertë, që ndjehet fort në mënyrën si i shqipton, përshkon cipën e videos e zhduk, për një çast, atë distancë, që Françesku do të dëshironte të mos ekzistonte:
    

“Edhe unë dëshiroj të jem atje, por me që nuk mund të shtegtoj, po e bëj kështu… por mos harroni, jam tepër, tepër pranë jush në këto çaste prove. E kam thënë, në kthim nga shtegtimi im në Turqi: të krishterët janë dëbuar nga Lindja e Mesme, me vuajtje. Ju falënderoj për dëshminë, që po jepni; ka shumë dhimbje në dëshminë tuaj. Faleminderit! Shumë faleminderit!”.
   

Duket sikur atje nuk duan të ketë të krishterë, por ju vijoni të jepni dëshmi për Krishtin, u thotë Papa besimtarëve lindorë, pa harruar për asnjë çast plagët, dhimbjen e nënave me fëmijë për gjiri, të pleqve e të shpërngulurve, plagët e atyre, që janë viktima të të gjitha llojeve të dhunës të një fushate të armatosur kundër njerëzve të pambrojtur që, thekson Papa Françesku, shkakton viktima jo vetëm ndërmjet të krishterëve, por edhe ndërmjet pakicave të jazidëve:
     

“Të krishterë e jazidë dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre, detyrohen të braktisin çdo gjë, për të shpëtuar jetën e për të mos mohuar fenë.    Dhuna ka sulmuar edhe ndërtesat kishtare, monumentet, simbolet fetare e pasuritë kulturore, gati-gati si të donte të shlyente çdo gjurmë, çdo kujtesë të tjetrit. Si krerë fetarë, e kemi për detyrë t’i denoncojmë të gjitha shkeljet e dinjitetit dhe të të drejtave njerëzore”.
    

E tha edhe kur ishte në Turqi, Françesku, se kush i shërben Zotit, duhet ta dënojë atë, që mbyt njerëz. E tani e përsëriti, duke gjetur një figurë të njohur, dramatikisht prekëse, për guximin e korpit të Krishtit, të sulmuar, të bërë copë e grimë, e megjithatë, të panënshtruar. Është figura, që e gjejmë në shkrimet e Shën Terezinës, e cila e quan Kishën e persekutuar “kallam, që përkulet nga era e shtrëngatës, por nuk thyhet kurrë”:
    

“Ju jeni kallamat e Hyjit sot! Kallamat, që përkulen deri në tokë nga era e tërbuar, por ngrihen përsëri! Dua t’ju falënderoj rishtas. E t’i lutem Shpirtit Shenjt, që i bën të reja të gjitha sendet, t’i japë secilit nga ju forcë e qëndresë. Është dhuratë e Shpirtit Shenjt”.
    Në këtë pikë Françesku i kërkon ndihmë botës, duke u bërë zë i një populli, i cili e ka zërin tepër të ligshtë, që të mund ta dëgjojnë, ta kenë parasysh, ta ndihmojnë, ta shpëtojnë:
    

“Kërkoj me forcë, ashtu siç bëra në Turqi, më shumë përkim ndërkombëtar për t’i dhënë fund konflikteve, që gjakosin tokat tuaja të zanafillës, për t’iu kundërvënë shkaqeve të tjera, që i shtyjnë njerëzit të ikin nga atmja e për të krijuar kushtet, që të mbeten aty, ose të rikthehen. Uroj që ju të ktheheni, që ju të mund të riktheheni!”

    

Posaçërisht më 8 dhjetor, ditë e Zojës së Zënë pa Mëkat, premton Françesku, lutja e të krishterëve të botës do të lartohet më e fuqishme për vëllezërit e persekutuar. “Rezistenca juaj është martirizim, vesë që pllenon”, nënvizon Papa, me keqardhje që i duhet të përfundojë. E fjalët e fundit janë bekim: “Zoti ju bekoftë e Zoja e Bekuar ju ruajtë!”.