Deklarata e përbashkët. Papa Françesku e Bartolomeu: Jo, Lindjes së Mesme pa të krishterë!
Sipas Radio
Vatikanit, në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Papa e Patriku shkuan në katin e
dytë të Pallatit patriarkal për bekimin ekumenik e këtu, në Sallën e Fronit, u
lexua dhe u nënshkrua “Deklarata e përbashkët”, përmes së cilës Papa e Patriku
ripohojnë angazhimin për unitetin dhe bëjnë thirrje për paqe në Lindjen e Mesme
e në Ukrainë.
Françesku e Bartolomeu ripohojnë me forcë dëshirën për të vijuar ecjen së bashku, për të kapërcyer, me dashuri e besim, pengesat që i ndajnë ende të dyja Kishat.
“Shprehim dëshirën e
sinqertë e të vendosur - lexohet në Deklaratë – që, duke iu bindur vullnetit të
Zotit tonë Jezu Krishtit, t’i thellojmë përpjekjet për promovimin e bashkimit
të plotë ndërmjet gjithë të krishterëve, në mënyrë të posaçme, ndërmjet
katolikëve e ortodoksëve”.
Ripohohet, në
Deklaratë, edhe mbështetja e dialogut teologjik, organizuar nga Komisioni i
Përbashkët Ndërkombëtar, themeluar tridhjetë e pesë vjet më parë nga Patriku Dimitrios
e nga Papa Gjon Pali II, që vijon të trajtojë çështjet më të vështira të
historisë së dy Kishave, të cilat kërkojnë studim të vëmendshëm e të thelluar.
Prej këndej, ftesa drejtuar besimtarëve t’i lartojnë lutjen e përbashkët
Jezusit “ për të qenë të gjithë një gjë e vetme, që bota të besojë!”
(Bibla, Gjoni, 17, 21).
Françesku e
Bartolomeu shprehin, më pas, shqetësimin e përbashkët për situatën në Irak, në
Siri e në gjithë Lindjen e Mesme, me një dëshirë të vetme për paqen e
stabilitetin e me vullnetin për t’i dhënë fund konflikteve, përmes dialogut e
pajtimit.
Më pas, edhe thirrja
drejtuar të gjithë atyre, që kanë në dorë fatet e popujve, që ta thellojnë
angazhimin për t’i ndihmuar bashkësitë e vuajtura, duke përfshirë edhe ato të
krishtera, e t’u krijojnë kushtet të mbeten në tokën amtare. Nuk mund të
dorëzohemi, pohohet me forcë në Deklaratë, e të pranojmë një Lindje të Mesme pa
të krishterët, që shpallin këtu, prej dymijë vjetësh, Emrin e Jezusit. Shumë
nga vëllezërit e motrat tona persekutohen e detyrohen me dhunë të largohen nga
shtëpitë e tyre. Të duket deri se ka humbur vlera e jetës njerëzore e se vetë
njeriu nuk ka më kurrfarë rëndësie e mund të flijohet për interesa të tjera.
Dhe e gjithë kjo, tragjikisht, ndiqet me indiferencë nga shumëkush.
Françesku e
Bartolomeu nënvizojnë vlerën e ekumenizmit të vuajtjes: “Ashtu si gjaku i
martirëve ka qenë farë e forcës dhe e frytshmërisë për Kishën, kështu edhe
ndarja e përbashkët e vuajtjeve të përditshme mund të jetë mjet me vlerë për
bashkim. Situata e tmerrshme e të krishterëve dhe e gjithë atyre, që vuajnë, në
Lindjen e Mesme kërkon jo vetëm lutje të vazhdueshme, por edhe përgjigjen e
duhur nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare”.
Nënvizohet, pastaj,
edhe rëndësia e vijimit të dialogut konstruktiv me Islamin, bazuar mbi
respektin e anasjelltë e miqësinë. Të frymëzuar nga vlera të përbashkëta e të
forcuar nga ndjenja të vërteta vëllazërore, myslimanë e të krishterë janë të
thirrur të punojnë së bashku për dashurinë e drejtësinë, paqen e respektimin e
dinjitetit e të drejtave të njerëzve, posaçërisht në zonat ku ata jetuan për
shekuj në frymën e bashkëjetesës paqësore, ndërsa tani provojnë së bashku,
tragjikisht, tmerret e luftës.