Papa Françesku në Ankara: Të drejtat dhe liria fetare për të gjithë, bazë për paqen
Sipas Radio
Vatikanit, Papa Françesku u nis sot, rreth orës 09.00 për Turqi. Është
shtegtimi i tij i gjashtë apostolik. Etapa e parë e shtegtimit, Ankaraja, ku
arriti rreth orës 13.00.
Vizitën e parë e bëri
në Mauzoleun e Atatürk-ut, për të shkuar, pastaj menjëherë, në Pallatin
presidencial “Ak Saray” ku për ta pritur kishte dalë presidenti i Republikës,
Rexhep Taip Erdoan, shoqëruar nga një regjiment kalorësie. Papa i drejtoi rojës
së nderit fjalët “Përshndetje, ushtarë”, në gjuhën turke.
Këtu Pap Françesku u
takua me autoritetet, të cilave u drejtoi fjalimin e parë në tokën turke.
Foli për Turqinë, si
për një vend të pasur, me gjurmë nga qytetërimet e lashta, urë natyrore, që
lidh dy kontinentet dhe kulturat e ndryshme; tokë e Shën Palit i cili, në këto
troje, themeloi disa bashkësi të krishtera; truall i shtatë Koncileve të para
të Kishës; vend i pranisë së asaj, që tradita e quan “Shtëpia e Marisë”, pranë
Efezit, cak devocioni, ku rrajnë shtegtarë nga të katër anët e botës, e jo
vetëm të krishterë, por edhe myslimanë.
Më pas vuri theksin
mbi arsyet, që e shtynë të bëjë këtë vizitë në tokën turke:
“Vizita është vijim i dialogut plot nderim e respekt, që patën bërë i Lumi Pali
VI, Shën Gjon Pali II e Benedikti XVI, dialog i përgatitur e i favorizuar nga
veprimtaria e Delegatit të asokoshëm Apostolik, imzot Angelo Giuseppe Roncali e
nga Koncili II i Vatikanit”.
Në vijim Papa kujtoi se ndjehet fort nevoja e
dialogut, për të thelluar njohjen e për të vlerësuar shumë gjëra, që i
bashkojnë të dyja palët e, njëkohësisht, edhe ndryshimet, duke çuar, kështu,
përpara, angazhimin për ndërtimin e paqes së qëndrueshme, të bazuar mbi
respektimin e të drejtave themelore e të detyrave, që lidhen me dinjitetin e
njeriut:
“Për këtë qëllim,
është themelore që qytetarët myslimanë, hebrenj e të krishterë- si në
dispozitat ligjore, ashtu edhe në zbatimin e tyre - të gëzojnë të njëjtat të
drejta e të respektojnë të njëjtat detyra”.
Liria fetare dhe liria e shprehjes, të garantuara për të gjithë, bëhen
mjete paqeje, tha Papa. E, menjëherë pas, duke zgjeruar horizontin, kujtoi
mbarë Lindjen e Mesme, prej vitesh teatër luftërash vëllavrasëse, që duket
sikur lindin njëra tjetrën e të krijojnë përshtypjen se e vetmja përgjigje, që
mund t’i jepet luftës e dhunës, duhet të jetë përherë një luftë tjetër e një
dhunë tjetër.
Ndërsa, theksoi me
forcë Papa, duhen përdorur ndershmërisht e vendosmërisht të gjitha mjetet, për
të arritur objektivat konkrete, në shërbim të paqes e të zhvillimit të
qëndrueshëm:
“Një kontribut i
rëndësishëm mund të vijë nga dialogu ndërfetar e ndërkulturor, për t’i dhënë
fund, kështu, çdo forme të fundamentalizmit e të terrorizmit, që e poshtërojnë
rëndë dinjitetin e gjithë njerëzve dhe e përdorin fenë si mjet për të arritur
qëllime të caktuara, që nuk kanë të bëjnë fare me të”.
Papa i ftoi gjithë
besimtarët t’i kundërvënë fanatizmit e fundamentalizmit solidaritetin, që ka në
themel respektin e jetës njerëzore, lirinë e kultit e lirinë për të jetuar
sipas etikës fetare, përpjekjen për të garantuar gjithçka është nevojshme për
jetën dinjitoze dhe kujdesin për ambientin natyror:
“Për këtë kanë
nevojë, me urgjencë të veçantë, popujt dhe shtetet e Lindjes së Mesme, për të ndryshuar
rrugë e për të çuar përpara procesin e paqësimit, duke hequr dorë nga lufta e
nga dhuna e duke vijuar rrugën e dialogut, të së drejtës e të drejtësisë. Jemi
dëshmitarë të konflikteve të rënda. Në Siri e në Irak, posaçërisht, ushtrohet
dhuna terroristike, shkelen ligjet humanitare më fillestare lidhur me të
burgosurit dhe me grupe të tëra etnike; vërehen persekutime të rënda,
posaçërisht në dëm të grupeve të vogla, të krishterëve e jazidëve sidomos, e jo
vetëm të tyre, por edhe të qindra mijëra njerëzve të tjerë, që detyrohen të
braktisin shtëpitë e atdheun, për të shpëtuar jetën e për t’i qëndruar besnikë
fesë së tyre”.
Së fundi Papa
nënvizoi bujarinë e Turqisë ndaj mijëra refugjatëve:
“Bashkësia ndërkombëtare ka detyrim moral ta ndihmojë në këtë drejtim. Sepse
nuk mund të mbetesh indiferent përballë shkaqeve, që përgatitën këtë tragjedi”.
Është e ligjshme ta
ndalosh agresorin e padrejtë, por pa harruar kurrë respektimin e së
drejtës ndërkombëtare, e, sidomos, pa ia besuar rrugëzgjidhjen e problemeve,
vetëm armëve:
“Burimet ekonomike
nuk duhen përdorur për armatime, por për luftën kundër urisë e sëmundjeve, për
zhvillimin e qëndrueshëm e mbrojtjen e krijimit, për zhdukjen e formave të
shumta të varfërisë e të përjashtimit nga radhët e shoqërisë”.
Turqia, me historinë
e vet të pasur, me pozitën gjeografike të favorshme e me rëndësinë e saj në
zonë, ka një përgjegjësi të madhe; rrugëzgjidhjet e saj, shembulli i saj kanë
vlerë të veçantë. Mund të ndihmojnë shumë në favorizimin e takimit të qytetërimeve
e në gjetjen e udhëve të drejta për paqen e progresin.
Kështu u shpreh Papa në takimin me autoritet turke e më pas bisedoi me
presidentin Erdoan, me kryeministrin Davutoglu e kreun e Diyanet, departamentit
për çështjet fetare e autoritete të tjera.
Stamboll: adhurimi i heshtur i Françeskut, në Xhaminë Blu
Pas ditës së djeshme,
kaluar në Ankara, Françesku jetoi sot, në Stamboll, një paradite pa fjalime
publike, por me gjeste shprehëse simbolike. Papa vizitoi Xhaminë e Sulltan
Ahmetit, që njihet edhe si Xhamia Blu. Këtu, nënvizon atë Federiko Lombardi, u
ndalua një çast në adhurim të heshtur. Çast i bukur dialogu ndërfetar, shton
drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit. Na kujton gjestin e Benediktit XVI në
Xhaminë e Stambollit, tetë vjet më parë.