Papa Françesku në Diyanet: Krerët fetarë të denoncojnë dhunimin e të drejtave
Sipas Radio
Vatikanit, menjëherë pas takimit me autoritetet dhe me kryeministrin e Turqisë,
Papa Françesku shkoi në presidencën e Çështjeve Fetare të vendit, apo
“Diyanet”, siç quhet në turqisht. Pikërisht
presidenti i Diyanetit e priti Papën Françesku për ta shoqëruar fillimisht në
studion e tij për një takim privat me krerët myslimanë e pastaj, në Sallën, ku
Ati i Shenjtë u foli krerëve politikë e fetarë, myslimanë e të krishterë, të
pranishëm në vendin ku ka qenë edhe Benedikti XVI, në nëntor 2006.
E Papa Françesku vuri në dukje menjëherë marrëdhëniet e mira ndërmjet feve:
“Marrëdhëniet e mira dhe dialogu ndërmjet
krerëve fetarë kanë rëndësi të madhe. Ato përfaqësojnë një mesazh të qartë,
drejtuar bashkësive, për të shprehur faktin se respekti i ndërsjellë dhe
miqësia janë të mundshme, pavarësisht nga ndryshimet. Kjo miqësi, përveçse
është vlerë në vetvete, merr domethënie të veçantë e rëndësi të mëtejshme në
kohë krizash si kjo e jona, kriza, që, në disa zona të botës, kthehen në drama
të vërteta për popullsi të tëra”.
Luftrat, tensionet,
konfliktet ndëretnike e ndërfetare, uria dhe varfëria, që dhjetojnë miliona
njerëz, dëmet shkaktuar ambientit: ishin këto imazhet, me të cilat Papa
Françesku përshkroi gjendjen, për të hyrë më në thellësi në disa situata të
veçanta të Lindjes së Mesme. Ati i Shenjtë përmendi vuajtjet e patreguara të
fëmijëve, të nënave, të të moshuarve e të refugjatëve, që pësojnë dhunë të çdo
lloji:
“Vërtet tragjike
është gjendja në Lindjen e Mesme, sidomos në Irak e Siri. Të gjithë vuajnë nga
pasojat e konflikteve dhe gjendja humanitare është shqetësuese në kulm. …Për
shkak të një grupi ekstremist e fundamentalist, bashkësi të tëra, sidomos të
krishterët dhe jazidët – por jo vetëm ata – kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë
nga dhuna çnjerëzore, për arsye të identitetit të tyre etnik e fetar. Janë
dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre, u është dashur të braktisin çdo gjë për të
shpëtuar jetën e për të mos e mohuar fenë. Dhuna ka goditur edhe vendet e
shenjta, monumentet, simbolet fetare dhe trashëgiminë kulturore, si të
dëshirohej të zhduket çdo gjurmë, çdo kujtim i tjetrit”.
S’kishte si të fliste
më qartë se kaq, Papa Françesku, për pasojat shkatërrimtare të luftës së nisur
nga integralistët e të vetëquajturit “Shtet Islamik”. Jeta e njeriut, denoncoi
Papa, është e shenjtë, prandaj dhuna e justifikuar me anë të fesë meriton
dënimin më të madh, pikërisht sepse Zoti i Gjithpushtetshëm - emrin e të cilit
e zënë në gojë kot fundamentalistët - është Hyj i jetës dhe i paqes. Nga të
gjithë ata, që thonë se e adhurojnë, nënvizoi Papa, bota pret të jenë njerëz të
paqes, pavarësisht nga ndryshimet. Pastaj iu drejtua krerëve fetarë e politikë:
“Denoncimi duhet pasuar nga puna e përbashkët për të gjetur zgjidhje të
përshtatshme. Kjo kërkon bashkëpunimin e të gjitha palëve: qeveri, krerë
politikë e fetarë, përfaqësues të shoqërisë civile e, burra e gra vullnetmirë.
Në veçanti, prijësit e bashkësive fetare mund të japin një kontribut të çmuar,
sipas vlerave të pranishme në traditat e tyre përkatëse”.
Ne, myslimanët e të
krishterët, vijoi më tej Papa Françesku, trashëgojmë thesare të paçmueshme
shpirtërore, të cilat i kemi të përbashkëta, pavarësisht nga tradita specifike
e secilit. E këto janë adhurimi i Zotit të mëshirshëm, Abrahami si pikë
referimi, lutja, lëmosha, agjërimi… Janë elemente, theksoi Ati i Shenjtë, që
nëse jetohen me sinqeritet, mund ta shndërrojnë jetën e njerëzve, duke krijuar
kështu, një bazë të sigurtë për dinjitetin e për vëllazërimin ndërmjet tyre. Ky
thesar i përbashkët shpirtëror duhet promovuar edhe përmes dialogut ndërfetar,
tha Papa, sepse na ndihmon të mbrojmë vlerat morale, paqen e lirinë edhe në
shoqëri:
“Njohja e shenjtërisë
së njeriut, nga të dyja palët, është bazë për dhembshurinë e përbashkët,
solidaritetin e ndihmën konkrete ndaj më të vuajturve. Përsa i përket kësaj,
dua të shpreh vlerësimin tim për ç’po bën populli turk, mysliman e të
krishterë, për qindra mijëra të ikurit nga vendet e tyre, për shkak të
konflikteve. E ky është shembull konkret se si mund të punojmë së bashku për
t’u shërbyer të tjerëve, shembull për t’u inkurajuar dhe përkrahur”.
Papa vlerësoi edhe
bashkëpunimin e “Diyanet”-it me Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke
uruar që ai të vazhdojë edhe në të ardhmen për të mirën e të gjithëve. E së
fundi, kërkoi e premtoi lutje për të pranishmit e për popullin turk.