Shqipëri

Ujqëria feston ditën e pamvarësisë

Një nga vendet më të mirënjohura të Bashkimit Kanibal është padyshim edhe Ujqëria. Ky vend i begatë që shtrihet në brigjet e detit Adriatik, thuhet se ka një histori të famshme dhe të lashtë. Disa historianë e gjeografë, mendojnë se ujqëtarët, pra populli modern që sot banon Ujqërinë, janë pasardhës të fiseve të famshme ujko-pellazge. Ndërsa pellazgët dihet që kanë ardhur nga rrjedhat e sipërme të lumit Danub në Rumani nga ku e ka patur origjinën edhe princi vampir Drakula, ujkot vetë mendohet se rrjedhin nga Romuli dhe Remusi, dy fëmijët që themeluan Romën e lashtë dhe që u rritën nga ujkonja apo më saktë nga Lupa Capitolina. Legjenda thotë që pasi Romuli dhe Remusi themeluan Romën, kaluan Adriatikun dhe aty themeluan edhe vendin që ishte më i dashur për ta, Ujqërinë e Lashtë.

 

Ujqëria krenare dhe fisnike i dha Romës sa e sa perandorë, biles edhe Papë. Ndër papët ujqëtarë më të famshëm mund të përmendim Papë Lupon I i cili hodhi edhe bazat e Ujqëricizmit, fesë zyrtare të Perandorisë Luponjane por edhe Bashkimit Kanibal sot. Ujqëricimi beson që tokën e krijoi një ujk, me emrin Lupo il Re, i cili më pas vdiq në kryq për të larë mëkatet e ujqëtarëve. Dhe si pasojë, vit për vit besimtarët e Lupos, ujqërikët e të gjithë botës i falen Lupo il Re-ut dhe luten që ai të ringjallet e të rikrijojë mbretërinë e tij në tokë një ditë.

 

Ujqëria, vendi për të cilin po flasim këtu në shekullin e 15të u nda Perandoria Luponjane dhe u pushtua nga Turqëria, një perandori e ngritur në Azi nga një ujk rival me ujkun e Romës, i quajtur Bozkurt. Por ujqëtarët, si popull trim dhe heroik që janë i rezistuan me armë në dorë bozkurtit të Azisë. Kryeheroi i tyre, Ujkobeu udhëhoqi për 25 vjet betejat e popullit trim dhe legjendar ujqëtar dhe i mundi turqëritë e Azisë në 25 beteja të lavdishme dhe vendimtare. Por edhe kur Ujkobeu vdiq, ujqëtarët trima dhe të lashtë e vazhduan rezistencën e tyre kundër hordhive bozkurte të Azisë. Humanistë e heronjë të Kishës Ujkolike sikur Patër Pjetër Ujkani apo Gjergj Lupishta, vazhduan luftën e tyre me pushkë dhe me penë për të çliruar vatanin. Dhe më në fund, në shekullin e 20, pas 500 vitesh robëri, Ujqëria e shporri zgjedhën bozkurte nga trojet e saj dhe u bë e lirë.

 

Në shekullin e 20 Ujqëria i dha Perëndimit Luponjan dhe Ujqëricizmit një numër të madh figurash të shquara. Këtu ja vlen të përmendim Nënë Ujkeshën, një grua trime dhe heroinë e cila e kaloi të gjithë jetën e saj në Azi, për të mundur bozkurtët dhe fenë e tyre dhe konvertuar aziatikët në fenë e Lupo il Re-së. Apo mund të përmendim edhe At Zef Sorrën, i cili i rezistoi skithëve për vite me radhë. Flamuri kombëtar i Ujqërisë moderne përmban një ujk me dy kokë. Legjenda, thotë që ky ujk simbolizon kombin ujqëtar i cili është i pangopur dhe do të hajë, vjedhë e shqyej nga të gjithë anët.

 

Sot, Ujqëria është vend model i Bashkimit Kanibal. Aktualisht ajo është vend anëtar i LUPO-s, apo më saktë Organizatës së Traktatit të Lupenjëve të Bashkuar dhe kontribuon me banda ujqërish anë e mbanë globit, për të promovuar kanibalizmin demokratik, i cili është një rend botëror ku ujqërit sundojnë e shqyejnë delet, ndërsa delet bëjnë vetëm beee. Lupejtë delet i akuzojnë për terroriste, dhe për ti zbutur dhe bërë të bindura, përdorin armë të shkatërrimit në masë, si psh. raketa, bomba, avionë etj, për të disiplinuar delet terroriste. Ndërsa delet vriten në masë, lupenjtë ulërasin e thonë që duhen vrarë edhe më shumë dele, në mënyrë që delet ti lënë metodat e tyre blegërimore të jetës, e të pranojnë pa naze dhe teka kanibalizmin demokratik dhe mundësisht edhe fene e Lupo il-Reut.

 

Megjithatë, punët nuk kanë shkuar vaj për Ujqërinë gjatë shekullit të 20. Kështu gjatë gjysmën së dytë të këtij shekulli apo më saktë nga viti 1945 deri në 1990 P.L. (dmth Pas Lupos) Ujqëria ishte pjesë e Traktatit të Skithisë, dhe vendeve të Bashkimit Skithian. Skithët donin të bënin një botë ndryshe nga kjo që sot sundohet nga Kanibalizmi. Ata shpikën një teori të re, e cila quhej deleizmi. Sipas kësaj teorie, në botë nuk duhej të kishte kanibalë, por vetem dele-dashë. Dhe të gjithë të ishin të barabartë. Por, për arsye që janë përtej këtij shkrimi, Bashkimi Skithian u mund nga lupjanët demokratik, dhe Ujqëria, menjëherë u rikthye në rrënjët e saj ujqëriciste dhe në lavdinë e dikurshme të Ujkobeut legjendar.

 

Sot, Ujqëria trime dhe legjendare, aleate e LUPO-s dhe mbështetëse e betuar e kanibalizmit lupo-atlantik, udhëhiqet nga liderë të famshëm dhe largpamës. Kryeministër i saj është Grabitqar Rama i cili për grua ka Linda Bollën. Kryetar parlamenti është Skraparli Meta i cili për grua ka Monika Kokëlopën. Ndërsa ministre të luftës kanë të famshmen Mimi Kunadhen, dhe ministre të kulturës kanë Buçe Kumbarën. Por në krye të tyre qëndron ambasadori i atashuar i Luponisë në vendin e tyre, i famshmi Aleksandër Lupoziu. Ai është mbreti i mbretërve, ujku i ujqërve dhe fjala e tij është ligj e shkuar ligjit.

 

Aleksandër Lupoziu që i merr urdhërat drejtë për drejtë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Luponisë Atlantike, Bereqet Cenziu, punon pa lodhje ditë e natë që në Ujqëri rendi kanibalesk demokratik të progresojë dhe përparojë pafund. E si pasojë e kësaj pune heroike dhe legjendare, dhe nën lidershipin e këtyre udhëheqësish legjendarë, populli ujqëtar jeton i gëzuar dhe i lumtur. Ai ka ushqime me bollëk (edhe pse të skaduara), ujë me bollëk (edhe pse me orare të kufizuara), ajër falas (edhe pse të ndotur), dhe vendi udhëhiqet nga ligjet kanibaliste demokratike, të cilat janë më të shenjta dhe të vërteta edhe sesa vetë Lupo il Re, të cilit liderët e Ujqërisë bëjnë sikur i falen për çdo Ujklindje. Është e vërtetë që gjatë dimrit vendi nuk ka drita mjaftueshëm dhe ujqëtarët mezi e ngopin barkun me bukë. Por si i thonë fjalës në ujqërisht, ujku mjegull do dhe ujku që ska uri nuk e shqyen dot qenin. Për këtë arsye, gjatë dimrit vendi pothuajse ngryset në terr dhe në të ftohtë përnatë. Ministri aktual i gjuetisë, Saikeq Tahiri, ka nisur një fushatë prerjesh të lidhjeve elektrike të të gjithë shtëpive të ujqëtarëve. Filozofia e qeverisë ujqëtare thotë që ujku i mirë jeton në errësirë. Ujku i mirë rron në të ftohtë dhe e mban barkun bosh. E për këtë arsye populli errësirën e meriton, thotë ministër Saikeq Tahiri.

 

Me rastin e festës së pavarësisë së Ujqërisë nga Turqëria, populli trim ujqëtar me në krye kryeministrin e tij Grabitqar Rama dhe gruan e tij Linda Bollën, ministren e luftës Mimi Kunadhja dhe kryetarin e parlamentit Skraparli Metën dhe Monika Kokëlopën, u mblodhën të gjithë në qytetin e Ujqinit. Aty kënduan himnin kombëtar të Ujqërisë me këto vargje:

 

Përreth deleve, të tërë bashkuar,

me një dëshirë dhe një qëllim

të gjithë atje duke u betuar

të lidhim pabesinë për të bërë kërdinë

prej grabitjes veç ai largohet

që është lindur delenxhi

kush është ujkë kurrë nuk frikësohet-ë

por shqyen, e shqyen pafund bagëti

 

Ndërsa ministrja ujqëtare Mimi Kunadhja, i kujtoi ujqëtarëve që ishin mbledhur në këtë ceremoni, që për një ujqëtar është nder i madh të vdesi duke shqyer bagëti dhe ruajtur Ujqërinë. Meqë qyteti i Ujqinit bie në krahinën e Ujqeleshit, ajo i kujtoi ujqinasve që tradita ujqeleshëse e martesës e cila është shkruar në Kanunin e Ujkobeut, thotë që babai ujk kurrë nuk ja jep ujkonjën për martesë një ujku tjetër, në qoftë se ujku dhëndër nuk shkon në fshatin fqinj dhe të shqyej një dele të fqiut. Ky përkujtim nga ministria në fjalë u prit me ulërima nga populli dinak ujqinak dhe i gjithë kombi ujqëtar. Ceremoninë e pavarësisë së vatanit të tyre ata e mbyllën me këngën: O sa mirë të jesh ujqëtar.

[Ideja mbi Ujqerine u rrëmbye nga Erjus Mezini]