Amerike

Fundi i hegjemonisë së SHBA-ve

Kriza në Ukrainë tregoi që shtetet si Rusia dhe Kina në të ardhmen do të sfidojnë dominimin e SHBA-ve, të paktën në rrethin e tyre më të afërt.

         Ndërtesa më e lartë në botë gjendet në Dubai, rafineria gjithëpërfshirëse e naftës është në Indi, ndërsa kompania më e madhe e bursës është në Kinë, i ka numëruar para ca kohësh Farid Zakaria shenjat e dobësimit të perandorisë amerikane dhe ardhjes së rendit ndërkombëtar post amerikan. Sot si shtojcë e tezës për fundin e botës unipolare do të mund të shtohej, se edhe përkundër dëshirave të SHBA-ve kryengritësit rus gjenden në lindje të Ukrainës, xhihadistët në Irak kurse Bashar al Asadi në krye të qeverisë në Damask. Nga rënia e perdes së hekurt dhe humbjes së komunizmit dhe ish Bashkimit Sovjetik në Luftën e Ftohtë, Amerika ka qenë e vetmja fuqi botërore. E papenguar nga rivalët të cilët do të shkaktonin rregullimin e botës, ka luftuar në gjirin Persik, është përfshirë në konfliktin në Bosnjë e Hercegovinë, ka bombarduar Serbinë dhe ka filluar luftërat kundër Afganistanit dhe Irakut. Bota në 25 vitet e fundit ishte bota amerikane në të cilin SHBA-ja nuk ka marr parasysh se çfarë do të thonë të tjerët. Megjithatë viteve të fundit zhvillimi i ekonomisë së Rusisë, Kinës, Indisë dhe Brazilit si dhe ambiciet politike të Moskës dhe Pekinit kanë filluar të zbehin kurorën e forcës amerikane, e cila mbetet forca ekonomike, politike dhe ushtarake, por e cila shumë më rëndë e luan rolin e policit botëror. Në rendin ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë SHBA-të kanë diktuar rregullat e lojës nëpërmjet institucioneve dhe organizatave sikur që janë Fondi Ndërkombëtar Monetar, Banka Botërore, Organizata botërore tregtare, NATO-ja dhe G-8-ja. Shtetet tjera kryesisht kanë dashur të jenë pjesë e këtij sistemi, duke pranuar epërsinë amerikane dhe fitoren e vlerave amerikane, sikurse janë tregu i lire dhe demokracia. Moska ka kërkuar pranimin  në Organizatën botërore tregtare, ka hyrë në G-8 dhe ka bashkëpunuar me aleancën atlantike të NATO-së si shtet partner. Për këtë ka fituar shumë lëvdata, gjer në vitin 2008 kur ka përkrahur pavarësinë e krahinave të Abhazisë dhe Osetisë Jugore dhe ashtu i ka varrosur shpresa për zgjerim të NATO-së në Gjeorgji. Ronald Regani, ish presidenti amerikan ka deklaruar se Moska është armik për shkak të ideologjisë së rrezikshme totalitare të saj. Pas rrënjës së komunizmit janë zhdukur dallimet ideologjike në mes Rusisë dhe SHBA-së, por sikurse shohim tani, nuk ka është zhdukur rivaliteti i cili nuk ka lidhje me kapitalizmin, demokracinë dhe komunizmin, por ka të bëjë me lojën gjeostrategjike për  zona interesi të mëdha dhe dominimi.

         Francis Fukujama ka supozuar se pas rënies së murit të Berlinit dhe humbjes së Bashkimit Sovjetik dhe ideologjisë së saj komuniste ka ardhur “fundi i historisë”, gjegjësisht shkalla e fundit e zhvillimit të shoqërive, në të cilin gati të gjitha pikat në planetë pranojnë demokracinë, tregun e  lirë, kapitalizmin dhe drejtat njerëzore. Teza e Fridmanit për botën liberale pa luftëra, të cilët tani janë të pamundshme pasi që bota është e lidhur me qarkullimin e lire të njerëzve, mallit dhe kapitalit,  me parashikimet e Fukujamës një kohë të gjatë i ka drejtuar mendimtarët dhe politikanët. Megjithatë tani më pak flitet për globalizimin i cili bashkon planetin, më shumë flitet për luftën e re në mes Perëndimit dhe Rusisë, por edhe të forcave tjera të reja, Sikurse Kina, India dhe Irani. Moska e forcuar me ardhura nga nafta dhe gazi si dhe lidhjeve ekonomike me Evropën, për SHBA-në përsëri u bë problem kur vitin e kaluar me ndihmën e atëhershëm të kryetarit prorus Viktor Janukoviqit, ka zgjedh që ta ndajë Kievin nga Bashkimi Evropian dhe ta lidhë më forte me Rusinë. SHBA-ja dhe BE kanë përkrah ndërrimin e Janukoviqit dhe ardhjen e qeverisë së re properëndimore e cila ka premtuar Ukrainës Bashkimin Evropian dhe NATO-në.

Në lindje të vendit, me mbizotërim të popullsisë proruse ka shpërthyer kryengritja e armatosur pas së cilës Ukraina është shndërruar në fokus si shtet jo stabil dhe si e tillë shumë vështirë anëtare e paramenduar të organizatave perëndimore. Rusia me mbështetjen e kryengritësve dhe aneksimin e Krimesë ka dashtë të porosit NATO-në se nuk mund të strehohet në oborrin e saj dhe ta rrethojë atë. Pikërisht kjo është sfidë më e madhe për SHBA-në dhe NATO-në, të cilin gjer tani nuk e kishte munduar kur ishte zgjeruar në ish republikat sovjetike dhe anëtare të ish bllokut lindor, edhe pse edhe atëherë i është afruar rrezikshëm kufijve të Rusisë. Përveç kësaj Moska ka arrit të mbajë aleatin e vet Bashar el Asadin në krye të Sirisë dh ka parandaluar aksionin ushtarak të përgatitur kundër tij. Besohet se Moska ka parandaluar edhe sulmin e Perëndimit edhe kundër i

Iranit, duke u përpjekur për bisedimet ndërkombëtare me Teheranin për zvogëlimin e programit të tij nuklear. Teokracia shiite është shumë ndikuese në Irak, vendin në të cilin gjer në vitin 2011 amerikanët i kishin trupat e veta, dhe se pjesërisht janë kthyer gjatë kësaj vere të ndihmojnë qeverinë     qendrore në luftë kundër xhihadistëve sunit. Për të fituar kundër tyre të cilët kërcënojnë të shkatërrojnë Irakun, amerikanët ndoshta do të bashkohen edhe me kundërshtarin e vet Asadin. Nga ana tjetër është e qartë se Kina e cila sipas parallogarive të Fondit Monetar Ndërkombëtar për 5 vjet, do të marr nga SHBA-ja pozicionin e vendit të pare në listën e ekonomive më të forta, nuk do të jetë ajo që ishte Japonia pas Luftës së Dytë Botërore, që të pranojë varshmërinë e SHBA-ve në këmbim të mbrojtjes ushtarake dhe qasjes në tregun amerikan. Kina është pronar më i rëndësishëm i borxhit amerikan, po fillon ngadalë të kontestojë rreth disa territoreve të shteteve aziatike të cilët janë aleat amerikan dhe me të madhe udhëheq luftën sajber kundër Uashingtonit. Kur flitet për rritjen në ardhmëri, nuk pritet shumë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, porse parashikohet përparimi i mëtejshëm i Kinës dhe shteteve tjera të organizatës BRIKS( Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës Jugore). Ato do të mund të jenë blloku i ri, si kundër balans BE-së dhe SHBA-së. Pas sanksioneve perëndimore Moskës, Rusia me këto shtete të lartcekura ka rënë dakord themelimin e bankës së posaqshme zhvillimore e cila do të ul ndikimin e Bankës Botërore dhe FMN-së. Me shtetet latino amerikane ka kontraktuar këmbimin tregtar të zgjeruar, ndërsa me Pekinin ka lidh marrëveshjen energjetike të vlefshme 400 miliard dollar gjatë 30 viteve të ardhshme.

Për këtë shkak sot flitet për botën multipolare në të cilin SHBA-ja, BE-ja, Rusia, Kina, India, Brazili dhe disa vende tjera do të luajnë rolin kryesor. Gjatë kësaj duhet marr parasysh se SHBA-ja edhe më tej është forca më  e madhe ushtarake, pasi që SHBA-ja dhe aleatët e saj shpenzojnë 75% të buxhetit botëror për ushtrinë, dhe se Uashingtoni është në aleancë ushtarake me 60 shtete. Rusia akoma ka probleme të mëdha ekonomike, India po lufton varfërinë, Kina nuk i respekton të drejtat e njeriut dhe nuk po tregon shenjat se do të demokratizohet. Por kjo nuk zvogëlon rëndësinë e theksimeve se shekulli i XXI do të jetë i Kinës, Azisë dhe Pacifikut. Nëse ky rajon do të rritet ekonomikisht, atëherë fuqitë, para se gjithash SHBA-ja dhe Kina, do të përpiqen të marrin pjesën më të madhe të kulaçit. Për këtë shkak Azia do të mund të jetë pika më e rrezikshme në planetë pasi që atje Kina do të provojë të sfidojë dominimin disa dekadash amerikan që shumë përkujton Evropën para shpërthimit të dy luftërave botërore. Evropa vite prapa po del nga fokusi amerikan, e cila tani drejtohet drejt rajonit të Oqeanit Pacifik, por kriza në Ukrainë prapë e ka rikthyer kujdesin e SHBA-së në miqtë dhe armiqtë e saj të periudhës së Luftës së Ftohtë. Stiven Koen, profesor i historisë ruse në Universitetin e Nju Jorkut, thekson se ky është çasti më i rrezikshëm nga rrënja e perdes së hekurt dhe se përballemi me gjasat më të mëdha për luftë gjatë 25 viteve të fundit. Në këtë aspekt, në dyer të mëdha po kthehen realistët, sikur Henri Kisinxher apo Xhon Mershajmer të cilët paralajmërojnë se ndarja e sferave të interesit nuk është relikt i së kaluarës, por realitet për të cilin duhet pas parasysh, nëse Perëndimi hedh sytë në Ukrainë, apo Rusia p.sh. në Kanada. E gjithë kjo flet për tezën e botës multipolare në të cilin disa qendra të fuqishme botërore do të konkurrojnë në sa më shumë qasje drejt resurseve natyrore, tregjeve dhe territoreve gjeostrategjike. Në epokën e re, shtetet sikurse Kina dhe Rusia do të sfidojnë dominimin global amerikan, të paktën në rrethin  e tyre.  Si do të jetë kjo epokë e re, shumë do të varet nga Amerika, gjegjësisht se si ajo do të vendos ajo të përgjigjet në sfidat nga të cilat për gjysmë shekull të kaluar ka qenë e kursyer.