Irani fiton përsëri në Irak
Me sa duket edhe Irani ashtu
si edhe pjesa tjetër e botës mbetën të habitur nga sulmi befasues në Irak javën
e kaluar që përzuri ushtrinë irakene nga Mosuli dhe Tikriti dhe bëri që sunitë
të vinin deri në pragun e Bagdadit. Me sa duket shërbimi sekret iranian ashtu
si edhe homologët e tij në Perëndim, e kanë nënvlerësuar Shtetin Islamik të
Irakut dhe Shamit (ISIS) të frymëzuar nga Al-Kaeda.
Por, Irani është shumë më i aftë ta rimarrë veten, dhe ndoshta do të dalë si
fituesi më i madh i dështimit të Irakut, duke e konsoliduar dominimin e tij në
Bagdad. Balanca e pushtetit në rajon do të anoj më tepër nga Irani.
Në Irak, gjeografia, demografia dhe historia, të gjitha janë në favor të Iranit. Irani mund të dërgojë shumë lehtë këshilltarë, ekpertë dhe forca speciale në Bagdad dhe gjetkë në Irak me pak, ose pa publicitet. Raportimet se komandanti i “Forcave të Kudsit” (divizion i Gardës Revolucionare) Kassim Sulejmani është tashmë në Bagdad, thekson se sa shpejt Teherani mund të ndërmarrë veprime dhe se sa mirë është i lidhur me regjimin e Nuri Al Malikit.
Teherani gjithashtu po inkurajon milicitë shiite të Irakut që të mobilizojë 65% të irakenëve që janë shiitë në mënyrë që të luftojnë kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Shamit. Për Teheranin, kjo është një mundësi historike që të zgjerojë ndikimin e tij në perëndim në mesin e popullatës më të madhe shiite arabe në botë.
Numri dy i Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë në Iran (MOIS) ka thënë: “Republika Islamike e Iranit është si një luan me të cilin ISIS-i nuk mund të luajë. Ashtu siç e kanë parë zemërimin e Iranit në Siri, po ashtu do ta shohin edhe në Irak.” Irani e sheh ISIS-in si një përbindësh sektar, i cili mund t’i shërbejë atij që të mbledhë shiitët arab nga Bejruti në Basra.
Kjo rrezikon të shkaktojë sulme të sunive në Iran, por Teherani është gati ta paguajë këtë çmim. Zëdhënësi i MOIS tha se Irani ka arrestuar 30 operativë në Iran kohët e fundit dhe ka prishur disa komplote. Irani pretendon se po e lufton Al-Kaedën që prej vitit 1994, kur terroristët suni vendosën një bombë në qytetin e shenjtë shiit të Mashhadit. Në fakt, marrëdhëniet e Iranit me Al-Kaedën kanë qënë një përzierje e armiqësive dhe marrëveshjeve të heshtura për vite me rradhë.
Iranianët fajësojnë për ngritjen e ISIS-it dhe paraardhësit të saj Al-Kaedës së Irakut (AQI) pushtimin britanik dhe amerikan në vitin 2003. Sigurisht, ironia është se përfituesi më i madh i luftës së ish-presidentit Xhorxh Bush ka qënë Irani. Lufta eliminoi armikun vdekjeprurës të Iranit, Sadam Husejnin, i cili ishte shkaktari i luftës tetë-vjeçare Irak-Iran. Irani e mban mend se atëherë Uashingtoni mbështeti Sadamin dhe luftoi përkrah tij në Gjirin Persik, duke fundosur shumicën e flotës së Iranit.
Irani do të bëjë premtime boshe për të rivendosur integritetin territorial të Irakut dhe për të ribashkuar kombin. Në fakt, tri shtete të vogla që përfaqësojnë Irakun – shiit, kurd dhe sunni – janë më mirë për Teheranin, në mënyrë që t’i manipulojë, se sa një Irak i fuqishëm. Pastaj, shiitët do të kenë dorën e rëndë, ndërkohë që do të ishin të varur nga Teherani.
Gjithashtu, ndihma e Iranit vjen pa kërkesa të mëdha për ndarjen e pushtetit të shiitëve me sektet e tjera në Irak, siç është kërkesa e Uashingtonit. Teherani dëshiron një njeri-shiit të fuqishëm e jo një shtete demokrat.
Tashmë Teherani e ka përshëndetur në mënyrë të heshtur mbështetjen e SHBA-ve për Al Malikin. Sulmet ajrore të SHBA-ve do të ndihmonin në zbutjen e ISIS-it pa i dhënë Uashingtonit ndonjë peshë të qëndrueshme në Bagdad. Nga kënvështrimi i Teheranit, Shtetet e Bashkuara janë një lojtar i përkohshëm në Irak, e jo një pjesë e përhershme e lojës.
Armiqtë rajonal të Iranit do të jenë të humburit. Arabia Saudite e ka humbur shumë kohë më parë betejën për ndikim në Irak, por do të shoh rolin e vet të pakësohet më tej, me dy armiq, ISIS-in dhe Iranin duke ndarë kekun në kufinjtë e saj veriorë. Nëse Irani del si shpëtimtari i shiitëve të Irakut, atëherë shiitët e Bahreinit, Kuvajtit dhe ata në Provincën veriore të Saudisë do të jenë të prirur më tej për ta parë Iranin si shpëtimtarin e tyre gjithashtu.
Meqënëse Izraeli e shikon Iranin si rivalin rajonal më të madh, edhe ai është një humbës gjithashtu. Sigurisht, të moderuarit në botën arabe do të ndihen të shtrydhur mes sunive ekstremistë dhe Iranit shiit. Ata do të jenë më pak të prirur për të marrë hapa pajtimi me Izraelin, i cili do të jetë i rrezikshëm dhe aspak popullor. Jordania është shteti i moderuar më i pambrojtur.
Nëse Irani ndihmon në ndalimin e ISIS-it për të mos hyrë në Bagdad, impakti do të ndihet edhe në Siri. Iranianët dhe aleati i tyre Hezbollahu do të fitojnë më shumë besueshmëri si e vetmja forcë në terren e cila mund t’i bëjë ballë al-kaedizmit. Irani do të dilte si lideri i një blloku shtetesh të dominuar nga shiitët, të cilat do të shihnin drejt Iranit për mbështetje dhe siguri.
Sigurisht, lideri i ISIS-it Ebu Bekr Al-Bagdadi nuk e kishte menduar fushatën e tij në Irak për t’i shërbyer interesave të Iranit, por ashtu si dhuna sektare e mentorit të tij Ebu Mus’ab Al-Zarkaui një dedadë më parë, me siguri në fund do t’i sjellë përfitim Iranit. Ndërkohë, i gjithë rajoni është në një gjakderdhje urrejtjeje sektare, të cilën është e lehtë ta ndezësh dhe pothuajse e pamundur ta ndalosh.