Lutja për paqen: Papa Françesku na ktheu guximin e fesë
Sipas Radio Vatikanit, është hera e parë në histori që brenda mureve të Vatikanit thuhen lutje nga liturgjia hebraike e lutje myslimane. E kjo veçori, e vetme, përbën fakt historik. T’i shtojmë kësaj edhe përdorimin e lutjes për të zhbllokuar gjendjen në Tokën Shenjte, gangrenizuar që prej 60 vjetësh, e do të kemi përpara një përpjekje të guximshme – që hyn edhe kjo në histori – për ta përmbysur atë tryezë, ku dështon politika e diplomacia, përmes kërkesës për ndihmë drejtuar të Gjithëpushtetshmit. Kështu e komenton, në mikrofonin tonë, presidenti i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marko Impaljaco, Lutjen e së dielës për paqen në Kopshtet e Vatikanit, ku Papa Françesku, presidenti izraelit Shimon Peresh dhe ai palestinez, Mahmud Abas u gjunjëzuan para Zotit të paqes, që Ai i Lumi të sjellë paqe në Lindjen e Mesme e në botën mbarë.
“Është mjaft domethënëse – komenton
historiani italian – që Fryma e Asizit, pra lutja e përbashkët e të gjitha feve
për paqen, dëshiruar nga shën Gjon Pali II që në vitin 1986, të jetë sot vërtet
nisma më e rëndësishme, që mund të ndërmerret për të zhbllokuar situatën”.
Kujtojmë se 27 tetori 1986, hera e
parë që mblidheshin në qytetin e Shën Françeskut, të gjitha fetë e botës, në
lutje për paqen, solli edhe një lloj armëpushimi botëror. Armët heshtën për një
ditë të tërë në të gjithë globin, duke e kthyer atë lutje në ikonë, që u jep
guxim besimtarëve të ecin në atë udhë. Papa Françesku, vazhdon Marko Impaljaco,
na e kujtoi e na e ktheu në zemra guximin e bukurinë e besimtarit, që lutet për
paqen:
“Por ajo që ndodhi të dielën ishte
edhe një çast miqësie të madhe – vazhdon Impaljaco – Pritja e të ftuarve në
pragun e Shtëpisë së Shën Martës, bisedat miqësore në mikrobus, gjesti i
mbjelljes së ullirit të gjithë bashkë, tregojnë se burrat e gratë e fesë mund
të sjellin në botë atë miqësi, që shtyn drejt dialogut e që nesër – nëse
mbruhet me guximin – do të sjellë paqen”.
Jemi gjithnjë para dy rrugëve: feja
si arsye për ndeshje, ose feja si vend dialogu, pa hequr dorë nga identiteti,
vazhdon presidenti i Bashkësisë së Shën Egjidit. Takimi i së dielës shënoi një
kthesë pozitive drejt kohës së miqësisë:
“Lutja e madhe, që deshi Papa
Françesku shtatorin e kaluar për paqen në Siri e ndali shkallëzimin e mëtejshëm
të konfliktit, i cili kishte rrezik të bëhej botëror… Pra, përballë çdo
situate, edhe asaj më të ndërlikuarës, mund të gjenden zgjidhje”.
Pikërisht Ditën e Rrëshajëve, Papa Françesku na kujtoi të papriturat, që mund të sjellë historia, nëse shihet me syrin e besimtarit. Na dëshmoi se hebrenj, të krishterë e myslimanë duhet të luten më shumë për Tokën Shenjte. E së fundi, ripropozoi dialogun dhe nxiti politikën të gjejë zgjidhje të reja.