Kardinali Peter Erdë: të respektohet identiteti i popujve evropianë
Sipas Radio Vatikanit, filluan, në Minsk të Bjellorusisë, punimet e Forumit IV Evropian Katoliko-Ortodoks me temë: “Feja dhe larmitë kulturore: sfida për kishat e krishtera në Evropë”. Në këtë Forum marrin pjesë 12 përfaqësues të Kishave ortodokse e 12 delegatë të Kishës katolike. I pranishëm është edhe kardinali Péter Erdë, kryetar i Këshillit të Konferencave ipeshkvnore të Evropës. Në mikrofonin e Radio Vatikanit shprehet për qëllimin e Forumit:
Përgjigje: - Përpiqemi të kuptojmë si
duhet respektuar krishterisht kjo pasuri, që gjen shprehjen e vet edhe në
larmitë e popujve, të kulturave, të kombeve, sepse Evropa është kontinent i
veçantë, ku ka shumë vende e kombe, që kanë gjuhën e tyre, historinë e tyre,
kulturën e tyre, por që të gjithë, qysh prej një mijë vjetësh, rriten e
zhvillohen mbi bazë të frymëzimit të kristianizmit, prej këndej, mund të themi
se feja jonë nuk ia heq veçantitë kulturave, përkundrazi, i frymëzon, që të
gjithë të mund të zhvillojnë gjeninë e tyre, të krijojnë e të zhvillojnë
kulturën e tyre. Bashkëjetesa, prandaj, jo vetëm në frymën e pajtimit, por edhe
të bashkëpunimit, është detyrë shumë veçantë në mbarë Evropën. Përpiqemi ta
vëmë në jetë thirrjen tonë.
Pyetje: - Diçka për sfidat e Kishës
së krishterë në Evropë, në këtë çast?
Përgjigje: - Natyrisht, është
kryesisht shekullarizimi, që ka forma nga më të ndryshmet në Lindje e në vendet
ish-komuniste, ku pas shembjes së marksizëm-leninizmit, mbeti një zbraztësi e
ndjeshme kulturore, e cila e kërcënoi shumë herë mbarë shoqërinë. Për ta
shmangur këtë edhe në nivel praktik, është shumë e rëndësishme, madje e
nevojshme, të rizgjohet feja e krishterë, për të dhënë orientimin e duhur
lidhur me bashkëjetesën njerëzore e shoqërore, e edhe për të përforcuar
vetëdijen e vlerës së jetës e të respektit të tjetrit.
Pyetje: - Pas shtegtimit, kohët e
fundit, të Papës Françesku në Tokën Shenjte dhe takimit të tij me Patriarkun
Bartolomeu I, ç’ vlera të veçanta ka ky Forum evropian katoliko-ortodoks?
Përgjigje: - Sigurisht Patriarkati
Ekumenik është njëri nga ato, që përgatit, mbështet e organizon këtë seri
takimesh. I shpreh personalisht mirënjohjen Patriarkut Bartolomeu e, natyrisht,
edhe metropolitit Gennadios së Sassismës, kryetar i Seksionit për marrëdhëniet
e jashtme të Patriarkatit Ekumenik dhe bashkëkryetar i Asamblesë. Marrëdhëniet,
pra, janë të mira, e bashkëpunimi, i ngushtë.
Pyetje: - Do të merreni, gjatë këtij
takimi, edhe me shqetësimet e të krishterëve në Ukrainë e në zonat fqinje…
Përgjigje: - Takimi, natyrisht, nuk është politik. Por ne, si të krishterë,
lutemi për paqen e lutemi edhe që dinjiteti i të gjithëve të respektohet. Edhe
situata në Ukrainë vë në dukje rëndësinë që ka bashkëjetesa, pavarësisht nga
larmitë ndërmjet popujve. Ka shumë kultura, shumë identitete në kontinentin
tonë, që duhen respektuar, por edhe duhen pajtuar. E ne nuk mund të mos lutemi
për këtë!
Burimi: Radio Vatikan