Kulturë

“Cilësitë e fisnikëve”, një botim i ri nga lëmi i mistikës islame

Doli nga shtypi botimi më i ri i Librarisë Dielli (www.dielli.net), vepra “Cilësitë e fisnikëve (Evsafu’l-Eshraf): trajtesë mbi rrugëtimin shpirtëror” nga filozofi, teologu e astronomi i njohur musliman, Nasir ed-Din Tusi.

 

E përpiluar në shekullin e trembëdhjetë, kjo trajtesë bën një përshkrim të shkurtër të rrugëtimit shpirtëror të njeriut nga bota materiale drejt Zotit. Duke përdorur një gjuhë të lehtë e të kuptueshme dhe duke u mbështetur në parimet e lartësuara të moralit islam, autori i shpalos para lexuesit hapat kryesorë të udhës shpirtërore (tarikat), e cila e bart njeriun nga bota e shumësisë drejt botës së njëshmërisë absolute (teuhid), ku rrugëtuesi shpirtëror asgjësohet në Qenien hyjnore.

Trajtesës së shkurtër të Tusi-ut, botuesi i ka shtuar edhe një parathënie relativisht të gjatë, të titulluar “Tiparet themelore të gnosës (Irfan-it)” e të shkëputur nga vepra “Filozofia e gnosës” e autorit Sejjid Jahja Jesribi. Në parathënie, autori bën një përshkrim të detajuar të cilësive të përbashkëta të të gjitha shkollave gnostike në botë, duke u përqëndruar më pas në tiparet kryesore të mësimit gnostik të Islamit. Përveç shpjegimeve të gjata teorike, në këtë pjesë, lexuesi do të gjejë edhe vargje të zgjedhura nga poetët-mistikë më të famshëm të Islamit, si Rumi, Sadi e Hafiz Shirazi, Mahmud Shebisteri, Feriduddin Attar etj, me një shqipërim poetik e të rimuar të vargjeve.

Një hollësi tjetër e këndshme është një jetëshkrim prej katër faqesh i autorit Nasir ed-Din Tusi, që i mundëson lexuesit  të njihet më së afërmi me këtë kolos të shkencave islame, i cili pati një ndikim të përjetshëm në zhvillimin e astronomisë, matematikës, filozofisë e teologjisë. Si një afirmim i veprimtarisë së tij të shquar, një krater me diametër 52 kilometra në hemisferën jugore të hënës, është emërtuar Nasir ed-Din. Po kështu, për nder të tij, një planet i vogël, i zbuluar në vitin 1979 nga astronomi rus Nikolai Stepanoviç Çernik, e bart emrin 10269 Tusi. 

 

Libri mund të porositet falas nëpërmjet internetit (http://dielli.net/order.php) nga çdo vend i botës dhe dërgohet me postë në adresë të lexuesit.