Jemeni

Jemenasit po përpiqen të mbijetojnë duke ngrënë gjethe

Për shkak të luftës 4 vjeçare në Jemen, populli po vuan nga uria.

Pamjet e publikuara nga kanali i lajmeve angleze Sky News, kanë treguar se pasi nuk po gjejnë ushqim, jemenasit po përpiqen të mbijetojnë duke ngrënë gjethe.

Në pamjet e marra nga rajoni Aslam në veri të vendit, një grup i jemenasve të përbërë kryesisht nga gra dhe fëmijë treguan për vështirësit që ata i përjetojnë.

Jemenasit u shprehën se atyre nuk iu ndihmon askush dhe se për të mbijetuar, ata janë të detyruar që të vlojnë gjethet e pemëve dhe t’i hanë ato.

Në këto pamje shihen fëmijë duke ngrënë gjethe dhe një njeri i cili është deformuar për shkak të humbjes së indeve për shkak të kequshqyerjes.

‘NJERËZIT VDESIN DHE MË NUK MBETET DIÇKA E TILLË SI POPULLI JEMENAS’

Duke folur për Sky News, doktori i fëmijëve palestinez, Fatum Muhammed El Maktari u shpreh se: “Dua që bota ta ndalë këtë luftë. Të paktën njerëzit e Jemenit duhet të pajisen me ushqim. Nëse kjo nuk bëhet, njerëzit vdesin dhe më nuk mbetet diçka e tillë si populli jemenas.”

Përfaqësuesi i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) në Jemen, Mertixell Relano u shpreh se: “Kjo është padyshim një situatë që mund të parandalohet. Arsyeja e kësaj gjendje është padyshim lufta e vazhdueshme. Për sa kohë që konflikti vazhdon, vendi gjithnjë e më shumë do të zvarritet në humnerë.”

Lufta katërvjeçare në Jemen ka sjellë vendin në prag të një krize humanitare. Kombet e Bashkuara (OKB) paralajmërojnë se 400 mijë fëmijë në vend përballen me rrezikun e urisë.

Me rënien e qytetit Al Hudaydah nën kontrollin e lëvizjes Houthi  nën rrethimin nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia  Saudite dhe për shkak të mbylljes së portit, nuk mund të arrihet ndihma ushqimore në rajonet veriore të vendit.

Burimi: Sputnik News