Papa në Sheshin e Xhamive: Të mos e kthejmë emrin e Hyjit në vegël të dhunës!
Sot, sipas Radio Vatikanit, në ditën e fundit të udhëtimit të Papës në Tokën e Shenjtë, dy takimet kryesore janë vizita në Yad Vashem të Jeruzalemit dhe Mesha në Çenakul me ordinarët e Tokës së Shenjtë. Paradite Papa Françesku u takua me Kryemyftiun e Jeruzalemit, në ndërtesën e Këshillit të Lartë, në Sheshin e Xhamive, dhe i quajti myslimanët “miq” dhe “vëllezër të dashur”: “jam mirënjohës – tha Papa – që mund t’ju takoj në këtë vend të shenjtë. Ju falënderoj nga zemra për ftesën që më drejtuat dhe në veçanti ju falënderoj Ju, Shkëlqesi, dhe Kryetarin e Këshillit të Lartë Mysliman”.
“Duke ecur në gjurmët e paraardhësve
të mi – vijoi Ati i Shenjtë – veçanërisht në vazhdën e ndritur të udhëtimit të
Palit VI para pesëdhjetë vjetësh, i pari i një Pape në Tokën e Shenjtë, kam
dëshiruar shumë të vija si shtegtar, për të vizituar vendet që kanë parë Jezu
Krishtin të pranishëm në tokë. Por ky shtegtim i imi nuk do të ishte i plotë po
të mos përfshinte edhe takimet me njerëzit dhe bashkësitë që jetojnë në këtë
tokë, prandaj jam veçanërisht i lumtur që takohem me ju, vëllezër myslimanë,
vëllezër të dashur”.
Në këtë çast – tha Papa –më vjen
ndër mend figura e Abrahamit, që jetoi si shtegtar në këto toka. Myslimanët, të
krishterët dhe hebrenjtë, në mënyra të ndryshme, e njohin Abrahamin si atin në
fe dhe, një shebull i madh, që duhet ndjekur. Ai u bë shtegtar, u nda nga
njerëzit e vet, nga shtëpia e vet, për të nisur aventurën shpirtërore për të
cilën e thërriste Hyji.
“Shtegtari – vijoi Papa Françesku – është një
njeri që bëhet i varfër, që vihet në udhë, priret drejt një pikësynimi të madh
dhe të shumëdëshiruar, jeton me shpresën e një premtimi, që i është bërë (khs
Heb 11,8-19). Kjo qe gjendja e Abrahamit, ky duhet të jetë edhe qëndrimi ynë
shpirtëror. Nuk mund të mendojmë kurrë se jemi të vetëmjaftueshëm, pronarë të
jetës sonë; nuk mund të kufizohemi, duke u mbyllur, të sigurtë në bindjet tona.
Përballë misterit të Hyjit jemi të gjithë skamnorë, e ndjejmë se duhet të jemi
të gatshëm për të dalë nga vetvetja, duke e dëgjuar thirrjen që Hyji na
drejton, të hapur ndaj të ardhmes që ai dëshiron të ndërtojë për ne”.
Në shtegtimin tonë tokësor –
nënvizoi Papa – nuk jemi vetëm: ndeshim në udhë besimtarët e tjerë, nganjëherë
ndajmë me ta një pjesë të udhës, nganjëherë jetojmë së bashku një ndalesë, që
na përtërin. I tillë është takimi i sotëm, dhe unë e jetoj me mirënjohje të
veçantë: është një vendpushim i pëlqyeshëm i përbashkët, i mundësuar nga
mikpritja juaj, në këtë shtegtim, që është jeta jonë dhe ajo e bashkësive tona.
Jetojmë një komunikim dhe një shkëmbim vëllazëror, që mund të na ushqejnë dhe
të na japin forca të reja, për të përballuar sfidat e përbashkëta, që na
presin”.
“Nuk mund të harrojmë, në të vërtetë
– vërejti – se shtegtimi i Abrahamit qe edhe një thirrje për drejtësi: Hyji e
deshi dëshmitar të veprave të tij dhe imitues të vetin. Edhe ne do të
dëshironim të ishim dëshmitarë të veprimit të Hyjit në botë dhe për këtë,
pikërisht në këtë takim tonin, ndjejmë se thellë brenda nesh tingëllon thirrja
për të qenë veprimtarë të paqes dhe të drejtësisë, thirrja për t’i kërkuar në
lutje këto dhurata dhe për të mësuar mëshirën, madhështinë dhpirtërore dhe
dhembshurinë, që vijnë prej së larti”.
Pastaj përfundoi: “Të dashur
vëllezër, të dashur miq, nga ky vend i shenjtë u drejtoj një thirrje me gjithë
zemër të gjithë njerëzve dhe bashkësive që mbështeten tek Abrahami: ta
respektojmë dhe ta duam njëri-tjetrin si vëllezër e motra! Të mësojmë ta duam dhimbjen
e tjetrit! Askush të mos e bëjë emrin e Hyjit vegël të dhunës! Të punojmë së
bashku për drejtësinë e për paqen! Salam!