Kardinali Koch: Papa në Tokën e Shenjtë, shpresa të reja për ekumenizmin
Sipas Radio Vatikanit, ditët kalojnë e afrohet data 24 maj 2014, kur Papa do të shkelë në Tokën e Shenjtë në një shtegtim tejet të rëndësishëm triditor. Tri ditë, të ngarkuara me veprimtari, sa zyrtare, aq simbolike, në Tokën e Jezusit, siç na e shpjegon kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit e të krishterëve, kardinali Koch, i cila tha:
Përgjigje:
Shkasi për këtë vizitë është përkujtimi i takimit të parë të Patrikut Atenagora me Papën Pali VI, në Jeruzalem. Ishte muaji janar, 50 vjet më parë, kur u takuan fillimisht, pas shumë, shumë kohe. Kjo shënoi rihapjen e dialogut. E me takimin ndërmjet përfaqësuesve aktualë të Kishës, Papës Françesku e Patrikut Bartolomeu, shpresoj se marrëdhëniet e mira, që kemi pasur gjatë këtyre 50 vjetëve, do të thellohen më tej, për të bërë, kështu, edhe hapa të reja në të ardhmen.
Pyetje: - A mund të përfytyrojmë ndonjë hap konkret, apo flasim kryesisht në
planin ‘simbolik’ ?
Përgjigje:
Besoj se bëhet fjalë
kryesisht për plane simbolike, por në fushën e ekumenizmit planet simbolike
janë shumë të rëndësishme. Duhet dalluar dialogu i dashurisë, nga dialogu i së
vërtetës, pa harruar se dialogu i së vërtetës mbi çështje teologjike nuk është
aspak i thjeshtë e nuk funksionon, pa dialogun e dashurisë. I parë me këtë sy,
takimi i Papës me Patrikun është një ngjarje me rëndësi të dorës së parë.
Pyetje: - Ç’të re çon Papa në Tokën e Shenjtë, në këndvështrimin ekumenik?
Përgjigje:
Në radhë të parë, Papa çon vetveten e mesazhin e vet, e ky është mesazh paqeje, pajtimi e vëllazërimi në marrëdhëniet ekumenike.
Pyetje: - Ju jeni kompetent edhe për dialogun me hebrenjtë: cilat janë, edhe në
këtë fushë, shpresat, që lindin nga kjo vizitë?
Përgjigje:
Takimi me hebrenjtë dhe me përfaqësuesit e Izraelit zhvillohet në dy plane. Nga njëra anë, takimet me përfaqësuesit e Shtetit - presidentin, kryeministrin dhe autoritetet e shtetit – që synojnë në forcimin dhe thellimin e lidhjeve ndërmjet Vatikanit e Izraelit; nga ana tjetër, parashikohet takimi me Rabinin e Madh të Jeruzalemit: ky është një nga aspektet e dialogut, për të cilin kujdeset Komisioni ynë i marrëdhënieve fetare me Hebraizmin. Natyrisht edhe ky do të kontribuojë për thellimin e marrëdhënieve me Rabinatin e Madh të Jeruzalemit.
Pyetje: Vizita e Papës do të zgjasë
vetëm tri ditë por, në të vërtetë, gjithçka është shumë e rëndësishme?
Përgjigje: Koha është relativisht e shkurtër, vetëm tri ditë, por në të vërtetë, gjithçka është shumë e rëndësishme e duhet nënvizuar…Do të ketë tri përmasa: ajo ekumenike, në takimin me Patrikun Bartolomeu e në kremtimin ekumenik, gjatë të cilit Papa Françesku do të takohet edhe me patrikë të tjerë: atë grek-ortodoks të Jeruzalemit dhe patrikun e Kishës armeno-apostolike; pastaj, do të vihet theksi mbi hebraizmin, me vizitat zyrtare; e pastaj akoma, natyrisht, vizita në Murin e Lotëve, në Yad Vashem, vizita tek varri i Herzl… të gjitha, takime të rëndësishme. Pastaj është edhe takimi me Myftinë e Madh e kështu shtohet edhe përmasa ndërfetare, posaçërisht me Islamin.