Kulturë - Art - Fe

70 Pyetje Rreth Selefizmit - Isam Imadi

Galeria · 2 foto

Ne si Media e Lirë kemi nderin që t’iu paraqesim një seri pyetjesh dhe përgjigjesh të dijetarit të shquar nga Jemeni, profesor doktor Isam Imadi. Çështja kryesore e shqyrtuar në këtë seri shkrimesh i cili tanimë gjendet në duart tuaja, është dhënia përgjigje e shtatëdhjetë pyetjeve rreth selefizmit. Ky libër vjen si rezultat i një sërë shkrimesh të botuara në mënyrë të rregullt në portalin e lajmeve online Media e Lirë, i cili ka si faqen e tij në facebook, ashtu dhe adresën e tij në internet.

Arsyeja se përse ne si Media e Lirë zgjodhëm përkthimin e këtij libri është keqkuptimi i madh dhe njohja e pakët nga ana e lexuesve shqiptar se çfarë është selefizmi. Me këtë libër modest ne synojmë dhe shpresojmë se do t’i hapim një dritare sado të vogël lexuesit shqiptar, duke i zgjeruar atij horizontin me një çështje shumë aktuale si e lartpërmendura. Qëllimi ynë është të hedhim sado pak dritë duke zbuluar së bashku se çfarë është, çfarë beson, çfarë ndjek dhe ku bazohet selefizmi.

Duke parë nevojën e madhe që kanë lexuesi dhe publiku shqiptar për thithjen e njohurive të reja mbi këtë çëshje, e cila është në rend të ditës thuajse në çdo vend musliman dhe natyrisht përjashtim nuk bëjnë as trojet shqiptare, e pamë të udhës që të përkthenim dhe të botonim një libër, i cili do të bënte të mundur kontribuimin në përfitimin e një këndvështrimi të ri të publikut dhe botës intelektuale shqiptare. Duke qenë se jemi relativisht të rinj, të mos themi nga pionerët në botiminkëtyre lloj librave, të cilët janë duke çelur siparin dhe duke thyer tabutë në veçanti në fushën e tyre, kemi shpresë se libri do të mbushë deri diku nevojën e lexuesve shqiptarë për dije.

Duke qenë se është një çështje pak ose aspak e shqyrtuar në mesin e lexuesit dhe publikut shqiptar, qëllimi ynë është informimi dhe zgjerimi i njohurive të tyre duke iu dhënë disa përgjigjie pyetjeve në mendjen e lexuesve. Kërkojmë në shenjë dashamirësie dhe mirëkuptimi mbështetjen e lexuesit tonë në mënyrë që të mund të vazhdojmë këtë risi të bukur që kemi nisur, duke vijuar punën tonë në ndriçimin e mendjes së lexuesve.

Së fundmi duam të falenderojmë të tërë ata të cilët bënë të mundur përkthimin, redaktimin, botimin, faqosjen, shpërndarjen e këtij libri. Urojmë që Allahu i Madhëruar t’i shpërblejë me të mira dhe t’i japë shpërblime të shumta si në këtë botë ashtu dhe në tjetrën.