BE me tre ‘Kërkesat Urgjente’ për Thaçin e Vuçiqin
“Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini, theksoi rëndësinë që BE i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar;
- me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe,
- marrëveshjen e Energjisë dhe
- të vazhdojë me përfundimin e urës së Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëkohësisht edhe nënkryetarja e Komisionit Europian, u takua sot me presidentët, Aleksandar Vuçiç të Serbisë dhe Hashim Thaçi të Kosovës dhe diskutuan në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Përfaqësuesja e Lartë e ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kujton se përparimi i të dy vendeve në agjendat e tyre të integrimit në BE është i lidhur fort me progresin në Dialog.