Turqi

Shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavushogllu ka dek

Shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavushogllu ka deklaruar të mërkurën se SHBA-të dhe Izraeli janë të vetmet shtete të cilët po mbështesin protestat aktuale në Iran. Ai në paraqitjen e tij para gazetarëve në Ankara ka theksuar se vetëm dy persona në botë publikisht përkrahin protestat në Iran, e këta janë kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidenti amerikan Donald Trumpi.

Ai shtoi se Turqia e kundërshton këtë lloj të përzierjes së huaj pasi që protestat në Iran janë çështje e brendshme e këtij vendi.”Kjo është çështje e brendshme e Iranit, por ruajtja e stabilitetit është e rëndësishme për fqinjët, për të gjithë neve. Dëshira jonë është që ky konflikt në Iran sa më shpejtë të tejkalohet dhe urgjentisht të ripërtërihet stabiliteti i Iranit”, ka porositur Çavushogllu.

Të pakënaqur me rritjen e inflacionit dhe politikën e keqe ekonomike të pushtetit iranian, të enjten mijëra iranian kanë dalë rrugëve të qyteteve veriore të Iranit, Meshhedit dhe Kashmarit. Vala e protestave është zgjeruar edhe në qytete tjera dhe kanë marrë karakterin e protestave antiqeveritare. Më shumë se 20 njerëz janë vrarë ndërsa 1000 demonstrues janë arrestuar gjatë shpërthimit të dhunës në qytetet iraniane.

Çavushogllu ka thënë se kolegu i tij iranian Xhavid Zarif në bisedën telefonike i ka thënë se situata në këtë vend nuk është e keqe. Ka shtuar se Zarifi i ka thënë se Teherani zyrtar ka qëndrim të kujdesshëm ndaj demonstruesve, porse në mesin e tyre ekzistojnë grupet e armatosur të cilët kanë shkaktuar vdekjen e disa civilëve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë iraniane.

“Më është thënë se Irani nuk është kundër zgjidhjeve të qeta dhe dialogut të brendshëm. Irani nuk po  përdor grushtin e çeliktë. Të gjitha ndryshimet në Iran duhet të vijnë nëpërmes zgjedhjeve të lira. Në rast se iranianët duan ndërrimin e qeverisë, atë duhet bërë në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen”, ka thënë Çavushogllu.

Duke komentuar thirrjen e ambasadores amerikane Nikki Haley për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për situatën e re të krijuar në Iran, Çavushogllu ka thënë se SHBA-të këtë çështje e aktualizon në skenën ndërkombëtare pasi që është kundërshtari i rreptë i administratës iraniane.

Burimi: Al Jazeera