Sejdiu përmendi emrat e politikanëve që po e shkatërrojnë Kosovën
Deputeti Korab Sejdiu gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se tre liderët kryesorë të vendit: presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, si dhe kryeparlamentari Veseli, me veprimet e tyre të fundit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale po e shkatërrojnë Kosovën.
Sipas tij, një blof i tillë ishte për ta shpëtuar veten nga Specialja, si dhe për t’i rritur pazaret në prag të arrestimeve të para
Juristi Sejdiu thotë se në lidhje me iniciativën e fundit nuk bëhet fjalë për një ligj të rëndomtë, por, për një përpjekje pak më të madhe në kontekst të votave që nevojiten për ta bërë një ndryshim, i cili ka edhe implikime kushtetuese dhe një investim shumë të madh nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti nga SHBA-ja dhe BE-ja.
“Pra, në rastet si këto kur ne hyjmë në obligime që kanë edhe implikime ndërkombëtare nuk mund pastaj të luajmë me ata të cilët janë pjesë e procesit, sepse, siç edhe po shihet, këtë ata nuk e tolerojnë”, ka pohuar Sejdiu.
Ky i fundit madje është shprehur i gatshëm që ta japë votën e tij pro mocionit për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëse opozita punon në këtë drejtim.