Gjykata Speciale – “Përpjekjet e subjekteve politike të kota dhe naive”
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, janë të paevitueshme, qoftë në formën, e cila ka marrë miratimin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015, qoftë në formën alternative, që do ta merrte pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Ata i kanë cilësuar si të kota dhe naive, siç thonë ata, përpjekjet e subjekteve politike në pushtet, të cilat ditën e premte, kanë tentuar dy herë që ta dërgojnë para deputetëve të Kuvendit propozimin për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të shtunën, sërish e ka cilësuar Gjykatën Speciale si “të padrejtë” për Kosovën, ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vlerësuar se ajo që ka ndodhur ditën e premte, ka qenë “proces që është zhvilluar konform ligjeve të vendit dhe qëndrimeve politike të secilit subjekt”.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës që nga dita e shtunë është futur në pushim dimëror, deri në javën e tretë të muajit janar.