Kosova dështoi të bëhet me ushtrinë e saj
“Nuk mund ta udhëheqin shtetin e Kosovës ata që s'janë të aftë të themelojnë Ushtrinë e Kosovës, në anën tjetër sa të zotit janë për t'u pasuruar e varfëruar Kosovën. “
Ndonëse ishte thënë e premtuar se gjatë vitit 2017 Kosova veç do të kishte Ushtrinë e saj, megjithatë Kosova edhe këtë vit nuk arriti të themelojë Forcat e Armatosura. Faji kryesor për këtë po vazhdon t`i mbetet pamundësisë për ndryshime kushtetuese, ku kërkohen dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilat nuk mund të arrihet pa votat e Listes serbe.
Por këto pengesa nuk i kishin, nuk ishin pengesë për dhënien e premtimeve nga liderët e shtetit, se deri në fund të këtij viti Kosova do të bëhet me ushtri. Presidenti i vendit Hashim Thaci, kishte tentuar që Ushtria të formohej nëpërmjet ligjit për FSK-në, por një gjë e tillë kishte rezultuar e pasuksesshme.
Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi ka thënë se mos arritja e themelimit apo krijim të Ushtrisë së Kosovës është debakël politik shtetëror.
“Lind pyetja se a ekziston shtet në botë pa sigurim ushtarak dhe përgjigja është “Jo”. Atëherë i pyesim politikanët e Kosovës, se si mund të ekzistonte Republika e Kosovës, pa një mbrojtje ushtarake, pa ushtrinë e vet. Por, nëse sulmohet Kosova atëherë vallë si do të mbrohet, kush do ta mbrojë qytetarin e Kosovës? Prandaj nuk mund ta udhëheqin shtetin e Kosovës ata që s'janë të aftë të themelojnë Ushtrinë e Kosovës, në anën tjetër sa të zotit janë për t'u pasuruar e varfëruar Kosovën. Kosova pa Ushtrinë e vet është shtet me themelet e qelqta e jo ndryshe, se e dimë që as gjysmë shteti nuk mund të quhet. Kjo është turpi botës, që po bëhen dhjetë vjet dhe Kosova është pa ushtrinë e vet. Andaj Kosova duhet të hyj në librin e Ginisit, për shkak se do festojë dhjetëvjetorin e Pavarësisë pa Ushtarë e Ushtri kombëtare e shtetërorë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Sylejman Mehazi.