Shfuqizimi i Ligjit me shkatëruesit e Kosovës
Iniciativa e tre ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, tashmë drejtues të tri institucioneve kryesore të vendit, për ta proceduar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka dështuar në dy tentativat e Kryesisë së Kuvendit në mungesë të kuorumit.
Kundër kësaj iniciative kanë dalë haptas ambasadorët amerikan, gjerman, britanik dhe të Bashkimit Evropian. Sipas këtyre të fundit, shteti i Kosovës po e rrezikon të ardhmen për shkak të interesave personale të liderëve të saj, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Pavarësisht se 82 deputetë kishin votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, gjatë ditës së djeshme 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin mbledhur nënshkrimet për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Specialen.
Ashtu siç kishte bërë presion te deputetët për ta votuar Projektligjin për Specialen, PDK-ja u bë sërish iniciatore dje për ta kundërshtuar atë.
Dy partitë opozitare, lëvizja “Vetëvendosje” dhe LDK-ja, nuk morën pjesë në këtë mbledhje. Andaj seanca e jashtëzakonshme dështoi të mbahej dje, ashtu siç ishte kërkuar.
Kjo kërkesë për ta shfuqizuar Ligjin e Gjykatës Speciale ngjalli reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Gjermania e Britania e Madhe paralajmëruan Kosovën për pasojat e pariparueshme po qe se ndodh një gjë e tillë.