Hipokrizia e partive politike shqiptare të Maqedonisë.
Propagandat ditore
partiake parazgjedhore, në media, në rrugë dhe kudo tjetër, më detyruan dhe më
dhanë një impuls për të shkruar një shkrim në lidhje me gjërat që kanë ndodhur
më parë deri në gjendjen e sotshme të politikës shqiptare në Maqedoni. Këto ditë
jemi deshmitarë për një luftë votash, ndërmjet partive qeveritare dhe atyre
opozitare, dhe secila përdor forcën e vet, pra mjetet e tyre manipuluese për
t’i nënshtruar qytetarët sa më shumë në “klikën” e tyre. Trushpërlarja dhe
manipulimi që po përdorin sot partitë politike është shumë e vështirë të
kundërshtohet nga njerëz që me vite e kanë duartrokitur atë, edhe pse nuk panë
hajr nga ajo. Disa prej tyre hiqen sikur nuk i kuptojnë “majmunllëqet” e tyre,
për shkak se janë të varur nga ajo, apo se për shkak iu lëpihen sa për të
fituar punë, apo disa prej tyre i kuptojnë mirëpo përsëri veprojnë ashtu si e
përmenda më herët.
Sot mblidhen të
rinjtë nëpër mitingje dhe shtabe të partive, për të cilat investohet në mënyrë
perfekte, për këtë punë janë të zotët, dhe qytetarët janë thjeshtë dhent e
tyre, të mashtuar nga ujku i mbuluar me kostume sikur një prej tyre. Udhëheqja
e deri tanishme në Republikën e Maqedonisë, nga dy palët shqiptare dhe
maqedonase, ka qenë udhëheqje mizore që ngjan me modelin e udhëheqjes komuniste,
apo sundimeve të tjera të perandorive të rrepta, ku liria e fjalës nuk
respektohej fare. Ky sundim mizor, që po i shtyp qytetarët e mjerë, dhe shpëton
nga rënia e saj falë propagandave masive dhe bombastike që i përgadisin për çdo
zgjedhje, ku shfrytëzohen milionat për t’ua mbushur mendjen qytetarëve se ne
kemi qenë gjithmonë për ju apo kemi qenë ndihmës për ju, kurse më tutje nëse na
votoni do të jemi “megandihmës”. Buxheti që nuk përdoret për t’i plotësuar
interesat e qytetarëve, një pjesë e saj përdoret për ta kryer procedurën e
propagandës (billborde, shtabe, pilaf nëpër mbledhje, etj). Pastaj vijojnë
propagandat e stilit të “jo presidentit të njëanshem” apo “u tha u bë”. Ata jo
që e kanë hallin se sa me të vërtetë qenka presidenti i njëanshem, por kjo
është thjeshtë politikë e tyre për ta ruajtur lidershipin dhe marrëdhënjet me
qeveritarët e tjerë të palës tjetër.
Thua ti se këta
qenkan aq hulumtues të mirë dhe të drejtë, dhe e nxorën këtë lloj konkludimi që
nuk duhet votuar presidenti. Para disa ditësh lexova nje skandal, ku bëhej
fjalë për “mutasiteb” lidhjen e shoqatave joqeveritare turke në Maqedoni, ku
një injorant si Tahsim Ibrahimi, kishte shpreh në një tekst, përkrahjen e tij
ndaj Gjorgje Ivanovit. Po mirë thash unë, po këto partitë tona çfarë bënë deri
sot? Të gjithë filluan duke sharë turqit, mirëpo nuk menduan se edhe partitë
tona e bënë të njejtën gjë, vetëm se këto tonat e bënë në mënyrë indirekte.
Unë si një apolitik
që po shkruaj tani, kam shkruar një shkrim kritik ndaj partive shqiptare, ku i
gjykoj gjërat me neutralitet nga animi i ndonjë partie. Qëllimi i shkrimit
është të tregoj partitë politike shqiptare që abuzojnë me fe, komb dhe me
sinqeritetin e popullit. Unë nuk do të thellohem shumë se cila parti ka bërë më
shumë për popull, apo cilat janë dështimet e tyre, por qëllimi im është të
tregoj abuzimet e tyre të ndryshme, dhe që shpëtojnë lëhtë pa fituar vëmendjen
e popullit, për ti kritikuar ata. Unë personalisht i shoh me sy kritik të dy
partitë rivale më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, si parti që rrallë herë e
kanë perfaqësuar popullin shqiptarë siç duhet. Rrallë herë populli i donte ata
më të vërtetë, por në shumë raste, ose ata kishin lidhje të ngushtë me ata, ose
ishin të varur, ose silleshin rreth tyre për punë, ose i perkrahin ata në
mënyrë që ta shohin keq partinë tjetër qe e urrejnë. Nëse ne sot e bëjmë një
anketë, shumë prej shqiptarëve, por edhe prej maqedonasve, nuk i duan partitë e
tyre me të vërtetë. Pra, shumë vendime ndodhin për shkak të inatit. Prandaj dhe
kur vie koha e zgjedhjeve, ndodhin incidente të ndryshme, meqë populli të
vepron në bazë të emocioneve, në shërbim të atyre që organizuan incidentit. Kur
edhe partitë shqiptare garojnë në fushatat zgjedhore, ata më shumë mundohen ta
poshtërsojnë njëri tjetrin, se sa ta fitojnë influencimin në politiken e
Maqedonisë. Të dyja akuzojnë njëra tjetrën për padrejtësi ndaj popullit
shqiptarë dhe për krime, ama shpejtë harojnë Monstrumin dhe
Brodecin. Ndërkohë që PDSH’ja akuzon BDI’në për ofendimet nga projekti 2014,
ata harojnë se vet ata e votuan atë projekt kur ishin në pushtet. Apo heshtja e
BDI’së për çështjen e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Dhe kështu me
rradhë, akuza pa fund. Dikush luan tek ne politikën e parimit përça e
sundo, prandaj tek partitë tona nuk bëhet fjalë për unifikim dhe
konsensus.
Për ta bërë
qytetarin entuziast dhe të bërtas si i çmendur nëpër mitingje për një parti të
caktuar, liderët e partive shpesh herë i perdorin ndjenjat e tyre fetare dhe
kombëtare. Pra perdorimi i dashurisë ndaj kombit apo nacionalizmit dhe
përdorimi i fesë, ndaj të cilave shqiptarët janë shumë sensibël. Kur them
nacionalistë, e kam fjalën për ata që kontributin dhe produktivitetin e tyre
gjatë të qenurit në pushtet, mundohen ta argumentojnë me përrallat se ku dhe si
flitet gjuha shqipe, ku është ngritur flamuri me dy krena, thua ti se jemi në
kohë lufte, dhe kjo dëshmon se ne ende paskemi luftë iluzionare flamuri dhe jo
“luftë” për të drejtat elementare, për të drejtat që ne si popull shqiptarë
kemi vendin e dytë në mazhorancë në Maqedoni duhet të kemi barazi me
maqedonasit. Me kot mundohet ti mbron Bujar Osmani kur thot se 30 % e
investimeve bëhen tek shqiptarët, për ta kundërshtuar këtë statistikën e tij
unë duhet ta mar atë për dore dhe ta bëjmë një shëtitje në Bit Pazar,
Çairçankë, Gazibabë dhe pastaj të kalojmë nëpër lagjen Avtokomandë, Aerodrom,
Karposh dhe shihet në mënyrë drastike dallimi i urbanizimit. Sot, të rinjtë nuk
kanë një fakulltet të mirëfilltë për studime, sepse jo çdokush ka kushte të studion
në privat, dhe detyrohen të shkojnë në UT’jat e politizuara deri në kulm, me
konviktet e tyre të premtuara prej kohësh. Po edhe aty të duhen para sepse
kërkohen para për të fituar nota nga profesorët plagjuaristë e injorantë, që e
kanë mendjen vetëm tek paraja. Po të ishin ata atdhedashës dhe nacionalistë, do
të kishin vendosur ndonjë Pjetër Bogdan, Jusuf Bager apo hero të tjerë të
nacionalistëve në qendër të Shkupit, si pjesë e projektit 2014, por jo, Car
Dushani edhe pse nuk është pjesë e historisë maqedonase, ai qëndron aty. Ata si
nacionalistë që shiten duhet ta rrëzonin, por nuk munden sepse marrëveshjet e
shumta i detyruan ta ulin kokën kur kalojnë ka mahalla e Dushanit, sepse forcat
policore e mbrojnë atë natë e ditë. Ata si nacionalistë do të duhej ta
vendosnin ndonjë flamur shqiptar në Kalanë e Shkupit, meqenëse e konsiderojnë
atë të ndërtuar nga ilirët. Ata si nacionalistë që shiten do të duhej ta
largonin gjuhën maqedonase nga klasa e dytë, sepse nacionalizmi këto gjëra i
konsideron për herezi. Por jo, këta nacionalistë dijnë vetëm të të shpallin
tradhtar të kombit nëse del në votime për president. Kush i ka autorizuar ata
që të ma përcaktojnë mua kombësinë?
Këta njerëz janë
herë nacionalistë herë fetarë. As mish e as peshk. Ali Ahmeti në një prej
mitingjeve, ndërpren fjalimin e tij kinse për respekt ndaj ezanit(me inspirim
nga Sali Berisha). I njejti person që thot se në xhenet nuk shkohet me namaz
dhe me agjërim, por shkohet duke e ndihmuar popullin sikur xhaxhi Ali. Pra
përdoret nacionalizmi tek një popull që shumë prej tyre lehtë mashtrohen pas
flamurit. Opcioni tjetër që përdoret për propaganda partiake, është përdorimi i
fesë. Meqenëse shqiptarët e Maqedonisë, kanë qenë në një ambient ku nuk është
de-fetarizuar nga faktoret e ndryshëm, si krijimi i dy shteteve shqiptare, ku
pushtetarët laikë shqiptarë, muslimanët i shohin si një bllokazhë për
importimin e modernizimit. Shqiptarët fetarë, shpesh herë mashtrohen nga
hutbetë që i mbajnë disa liderë e politikanë qeveritarë dhe opozitarë,
duke manipuluar me fjalë si “Allahu Ekber”, “këtu është vendi i xhamive dhe jo
i kishave”, ndërprerja e predikimit “madhështor” të Alisë për respekt ndaj
ezanit, etj. Të gjitha këto janë mjete propagandistike që ndërmeren për tu
përshtatur me ideologjitë që populli i beson, në mënyrë që ata ti duan.
Promotorët e ndryshëm, dhe aktivistët e ri që sipas tyre janë liderë të
ardhshëm, i përdorin të dyja opcionet. Shumë prej këtyre aktivistëve
prapa shpine i shajnë ata, dhe e pranojnë mafiozllëkun, tenderizmit, haraçet e
tyre, ata prapë ju shkojnë pas sepse thonë do të fitojmë punë apo
me hup kohë, me i mar 500-1000 den(edhe pse jo gjithkushë paguhet,
një pjesë e mirë e tyre nuk marrin gjë). Kur ata thonë ne e kemi rininë me
vehte, dihet mirë se si e kanë.
Këta pseudofetarët,
po të ishin ata me të vërtetë fetarë sa tregohen para zgjedhjeve, ata do të
bënin diçka në lidhje me Burmali xhaminë, ku ndërkohë në hyrje të qendrës së
Shkupit ke kishë ortodokse, dhe me pas në zemër të qendrës së Shkupit po
ndërtohet dhe një kishë e re ortodokse. Po të ishin ata me të vërtetë fetarë,
do ta rikthenin lëndën e edukatës fetare nëpër shkolla publike, të cilën e
patëm vetëm gjatë një viti para disa viteve, dhe me pas u eliminua. Hoxhallarët
shqiptarë të Maqedonisë, duhet të ngriten në këmbë dhe ta denoncojnë
hipokrizinë e politikanëve shqiptarë që abuzojnë me fe. Të politizohet feja
është gjëja më e ulët që mund t’ia bësh fesë. Ky konotacion i gabuar që i bëhet
fesë, është ofendim për të gjithë besimtarët muslimanë, por problemi qëndron se
sa janë të vetdijësuar ata në lidhje me qëndrimet e tyre? Pavarësisht se sa
anti-islam ishte Arben Xhaferi, mirëpo ai nuk u tregua hipokrit të bëj pazar me
fenë islame siç bënë kolegët e tij, mirëpo ai e bëri publike islamofobinë e tij
me dallim prej politikanëve të tjerë, të cilët tregohen si besimtarë vetëm sa
për ti rreshtuar shqiptarët në votime. Idiotizmi tjetër është dhe kur një
deputet para një kohe, del dhe thot “rretho numër 1, sepse ky numër simbolizon
Zotin”. Apo rekllamuesi i kosmodiskave Gjorgje Ivanov, i cili thot se “edhe
Zoti ka nevojë për ndihmë në demokraci”. Kjo i bie t’iu përkulesh në dy guj
qytetarëve dhe t’iu lutesh aman më votoni se nuk me ze gjumi natën.Po e përmend
një fjalë që e kam thënë edhe më parë “ne i votojmë ata që tërë vitin i
mallkojmë”. Njëashtu dhe siç thot një thënje se, ne pranojmë samarin por pastaj
na vjen çudi kalërimi. Zoti thot nuk do ta ndryshoj gjendjen e një populli
përderisa ata ta ndryshojnë vehten e tyre, përderisa ata nuk iu nënshtrohen
partive që nuk kanë dobi prej tyre, por i keqperdorin votat e tyre.
Të dalim tani te
konkurenti për president Stevo Pendarovski. Sipas mendimit tim, ai duket si një
njeri i thjeshtë, një profesor i sjellshëm, nuk duket se është nacionalist, nuk
manipulon me popullin e tij maqedonas me nacionalizëm, duket si një njeri që
kërkon paqe, kërkon bashkëjetesë ndëretnike, ndërkohë që partitë e tjera bëjnë
thirrje në mënyrë më ekstreme. Flet ndonjë fjalë shqip edhe para kamerave, e jo
sikur disa të tjerë që duan të tregohen kinse nacionalistë, dhe e flasin vetëm
gjuhën e tyre. Ashtu siç e e tregon një rast shumë të mirë në shkrimin e tij
z.Ramadan Ramadani, se kur e kishte parë Stevon në Çarshi, ai shëtitej sikur të
ishte në vend të vetin, e jo sikur Gjorgje Kazakhistanov, i cili ecte me shumë
siklet. Unë po i pyes tani të gjithë ata që bëjnë thirrje për bojkotim votimeve
për president, çfarë të keqe ka që ta votoj Stevon apo Iljaz Halimin? Nëse ka
dikush ndonjë spjegim, le të urdhëron.
Unë jam një njeri
neutral ndaj partive, që e përkrahi më së shumti opozitën, por jo partitë
opozitare, por vullnetit e vërtetë të popullit, që shumë prej tyre kanë frikë
ta bëjnë publike. Unë mund ta përkrah ndonjë parti apo individ për ndonjë rast
të caktuar, qoftë pozitar apo opozitar, mirpo nuk jam simpatizant i asnjë
partie, nuk anoj nga asnjëra anë. Unë iu drejtohem të gjitha partive shqiptare,
që nëse duan besimin tonë, dhe tua japim votën, mos të abuzojnë me fe dhe me
komb për interesa politike. Mos të politizohen gjëra që nuk duhet politizuar me
ta. Ata nuk do të udhëheqin kalifat apo ndonjë Shqipëri etnike, apo perandori
mesjetare, që neve të na flasin për ato gjëra, ata duhet të na e dëshmojnë se
sa janë të denjë që popullin shqiptarë ta integrojnë sa më shumë, të vijojë sa
më shumë progrese dhe jo regrese, dhe të arrijnë në atë shkallë që të jenë
vullneti i vërtetë i popullit, e jo vullneti i zorrit dhe presionit.