Fe

Testamenti

         Duke marrë parasysh se testamenti është një kontratë në formë të shkruar me të cilën i lihet pasuria (prona) e caktuar nga ana e testamentlënësit, pas vdekjes së tij, testamentmarrësit i cili është i përkufizuar sipas Ligjit mbi Trashëgimin  në Kosovë në nenin 69, paragrafi 1 i cili thotë: Testament do të thotë shprehje e vullnetit të fundit të dhënë në formën e paraparë me ligj me të cilin testatori (trashëgimlënësi) urdhëron si të veprohet me pasurinë e tij pas vdekjes së tij”.

 

         Sipas të drejtës Islame burimet bazë janë Kur’ani (porosia hyjnore), Hadithi(porosia profetike), por edhe një varg burimesh tjera si ixhmai (konsensusi i juristëve islam) dhe kisai (analogjia). Në botën Islame sunite janë të përhapura katër drejtime juridike: hanefite, shafite, hanbelite dhe malikite. Nga këto drejtime juridike më i përhapuri në botën Islame sunite është drejtimi juridik hanefit, të cilën edhe neve myslimanët në Ballkan që jemi, e zbatojnë në praktikë. Do të përqendrohem të elaborojë temën në fjalë “Testamenti sipas të drejtës Islame” vetëm sipas drejtimit juridik hanefit, pasi që karakteri i shkrimit  nuk lejon që të zgjerohem më tepër, po të ishte një punim shkencor , me siguri për temën në fjalë do të duhej të elaboroja në bazë të katër drejtimeve juridike islame.

 

         Testamenti ka një rëndësi të posaqshme për të gjithë individët në të gjitha shoqëritë ekzistuese, duke u nisur që nga shoqëritë antike e gjer në ditën e sotshme. Edhe në shoqërinë islame testamenti zë një vend të duhur dhe me rëndësi për të cilën është shkruar dhe si i tillë edhe është aplikuar në një masë më të madhe apo më të vogël varësisht nga rrethanat aktuale shoqërore prezente në botën Islame.

 

         Në këtë shkrim do të ndalem në disa çështje  kryesore apo themelore të testamentit, sikurse që janë: përkufizimi i testamentit, ligjshmëria e testamentit, kushtet e testamentit, dispozitat e testamentit, dhe në fund do të jap  një përfundim  mbi testamentin në fjalë.

        

                                  Përkufizimi i testamentit

 

Testamenti në gjuhën arabe është njohur me emrin”vasijetu” i cili ka disa kuptime, varësisht prej formës së përdorimit, por në rastin konkret te testamenti e ka domethënien, bartje apo transferim.  Testamentlënësi pas vdekjes së tij e bart apo transferon një pjesë të pasurisë së tij në formë të shkruar testamentmarrësit të cekur në testament.

 

         “Testamenti në esencë është i lejuar dhe i preferuar, por dispozita e tij ndryshon nga rasti në rast, nganjëherë është i preferuar (mustehab), herën tjetër është obligim(vaxhib),ndonjëherë është i papëlqyer (mekruh) e ndonjë herë ai është i ndaluar(haram).”[i]

 

 Nga këtu mund të konkludojmë se testamenti si i tillë që është, është një kontratë e shkruar vullnetarisht nga testamentlënësi dhe  ndryshon varësisht nga situata dhe rrethanat në të cilin ka ndodh ai, pasi që herë mund të jetë i lejuar, herë i preferuar, herë i obliguar e herë edhe i ndaluar.

 

Testamenti sipas dispozitave juridike mund të jetë katër llojesh:

“ I pari: Vaxhib(obligim i domosdoshëm)- si testament për shlyerjen e një borxhi, të cilën nuk e di tjetër njeri përveç tij, apo ka diçka të depozituar, pa i dëshmuar dikujt për të.

I dyti: Mustehab(i pëlqyer) – testamenti është i pëlqyer për të afërmit jotrashëgimtar, për raste të mira, për njerëz nevojtarë etj.

I treti:Mubah(i lejuar) – si testamenti për të pasurit nga të huajt dhe të afërmit, ky lloj i testamentit është i lejuar.

I katërti: Mekruh( i papëlqyer) – si testament për njerëz mëkatar dhe të shthurur.”[ii]

 

Nga këtu mund të shohim se testamenti varësisht prej dispozitave juridike herë herë mund të ndryshoj, në një rast të caktuar testamenti i lënë mund të jetë i obliguar për atë që e ka lënë dhe për qëllimin të cilën e ka përshkruar në testament, në rastin e dytë mund të jetë i pëlqyer, sidomos në rrallë të parë për më të afërmit e testamentlënësit që me të vërtet kanë nevoja të caktuara për shkak të gjendjes së tyre ekonomike apo financiare me të cilët përballohen, në rastin e tretë mund të jetë edhe  i lejuar  varësisht prej shtresave shoqërore, si për të afërmit e afërt njashtu edhe për të huajt, si dhe në rastin e katërt mund të ndodh që testamenti i lënë të jetë i papëlqyer në rast se i dedikohet njerëzve që këtë trashëgimi të lënë do të harxhojnë në vepra jo të mira, si p.sh. në shpenzimin e tij për të harxhuarit për pijet e ndaluara alkoolike apo  mjeteve narkotike, me të cilët veprime kryen mëkat.

 

 

 

 

Ligjshmëria e testamentit

 

         Testamenti është një kontratë në formë të shkruar, i cili si i tillë është legjitim pasi bazohet në Kur’an, sunet dhe në mendimet me konsensus të arritur të juristëve islam lidhur me çështjen në fjalë.

 

         Si tillë testamenti ceket si dispozitë në tre ajete(versete) kuranore në tre sure(kaptina) të ndryshme të Kur’anit. Në rastin e parë e kemi në ajetin nr. 180 në kapitullin Bekara ku thuhet: “ Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti(vasieti) për prindërit dhe për të afërmit, u është bërë juve obligim, por ashtu siç është drejtë. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet kryer.”[iii] Në rastin e dytë e kemi të cekur në ajetin nr.12 në kapitullin Nisa: “...,pas testamentit të porositur ose borxhit, e duke mos dëmtuar(trashëguesit).”[iv]Dhe në rastin e tretë e kemi të cekur në ajetin nr. 106 në kapitullin Maide: “ O ju që besuat, dëshmimi me rastin e atij që lë testament(vasijet) kur është afruar ndonjërit prej jush vdekja, bëhet me dy dëshmitar të drejtë nga mesi i juaj, ose dy të tjerë pos jush, nëse jeni në udhëtim(në rrugë e s’keni të afërm) dhe ju gjen telashja e vdekjes.”[v]

 

         Testamenti ceket edhe në sunetin e profetit Muhamed, me ç’rast do të cek vetëm disa hadithe në të cilin ceken dispozitat e testamentit. Transmeton Abdullah in Omeri se i dërguari i Allahut(paqja dhe mëshira e Allahut çoftë mbi të), pejgamberi Muhamedi a.s ka thënë: “ Detyrë e myslimanit që ka pasuri dhe dëshiron të lërë testament, është që të mos kalojë dy net pa e pasur të shkruar testamentin e tij.”[vi] Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Allahut, profeti Muhamed ka thënë: “ Allahu i madhërishëm ju dha për lëmoshë juve para çasteve të vdekjes suaj një të tretën e pasurisë së juaj(në formë testamenti), si mbivlerësim mbi punët tuaja.”[vii] Transmeton Sa’d ibn Ebi Vekkas  se i dërguari i Allahut, pejgamberi Muhamed ka thënë: “ O i dërguar i Allahut, a të lë testament tërë pasurin time? Ai më tha:Jo. Unë i thashë: Po gjysmën e saj? Përsëri më tha:Jo. E unë prapë e pyeta: Po një të tretën? Ai tha: Po, një të tretën, por edhe ajo është shumë.

 

Nëse ti i lë trashëgimtarët  e tu të pasur, është më mirë se sa t’i lash ata të varfër, që t’ua shtrinë dorën njerëzve.”[viii]

 

Këto ajete dhe hadise që i cekëm më lartë, paraqesin burim primar të ligjshmërisë së testamentit(vasijetnames), me ç’rast mund të konkludojmë se testamenti si kontratë e shkruar është i njohur dhe i pranuar në drejtën Islame që nga shpallja e Kur’anit dhe ardhjes së profetit Muhamed. Por për dallim  nga rregullimi i dispozitave të testamentit në të drejtat tjera civile, në drejtën Islame me testament mund të lihet vetëm  1/3 e pasurisë së gjithëmbarshme të testamentlënësit, çoftë e paluajtshme, e luajtshme, apo sasisë së mjeteve financiare, arit e argjentit, ndërsa 2/3 e pasurisë së gjithëmbarshme i takojnë trashëgimtarëve të tij legjitim ashtu që në çoftëse testamentlënësi me testament ka lënë p.sh. gjysmën apo më tepër të pasurisë së tij, ajo nuk është valide në të drejtën juridike Islame .Trashëgimtarëve të testamenlënësit nuk bën që t’ju lihet me testament kurrfarë trashëgimie, pasi që me vdekjen e testamentlënësit, trashëgimtarët fitojnë të drejtën e tyre në pasuri që e trashëgojnë. Rast i veçantë kur me testament mund të lihet e tërë pasuria, është kur testamenlënësi nuk ka trashëgimtarë të afërt apo më të largët, dhe vetëm atëherë testamentmarrësi të cilit i është dedikuar me testament mund të posedojë tërë pasurinë që e  ka përshkruar me kontratë dhe si e tillë kjo është valide sipas të drejtës juridike Islame. Edhe pse në ajetet(versetet) kuranore që flasin për testament, atë nuk e kanë kufizuar, me sunet(hadith) të profetit Muhamed është rregulluar dhe precizuar se më shumë se 1/3 nuk mund të lihet me testament nga pasurie e gjithëmbarshme e tij, përveç rastit kur testamenlënësi nuk ka trashëgimtar atëherë kjo mbetet e pakufizuar në përqindje të pasurisë që e posedon.

 

Nga tradita dhe përvoja historike tek populli ynë është i njohur termi vakëf, tokë e vakëfit, shtëpi e vakëfit, dyqani i vakëfit, mulliri i vakëfit etj. Këto vakëfe(fondacione) janë themeluar në shumicën e rasteve me testament në formë të shkruar, ashtu që testamentlënësit e ndryshëm kanë lënë Vakëfit 1/3 e pasurisë së gjithëmbarshme, po ka pas raste edhe tërë pasurin e tyre me kontratë të shkruar pas vdekjes së testamenlënësit në pronësi i ka kaluar Vakëfit, në munges të trashëgimtarëve legjitim. Edhe pse në të kaluarën ka pas shumë vakëfe nëpër qytete dhe fshatra, në kohën  tanishme ka shumë pak të ruajtura, si pasojë e nacionalizimit, eksproprijimit, konfiskimit nga ish pushteti komunist. Vakëfi sipas të drejtës Islame nuk mund të shitet fare, por në raste të veçanta  vakëfi mund të ndërrohet me një objekt tjetër i barasvlefshëm me vakëfin e caktuar, për shkak të rrethanave të posaqshme për shtetin, kur ka të bëjë me interesin e gjithëmbarshëm publik. Në këtë aspekt mund të themi se Prizreni në një masë të duhur ka ruajtur vakëfe, më shumë dyqane , e shumë pak troje, pyje dhe shtëpi individuale.

 

 

 

 

Kushtet e testamentit

 

         E drejta Islame, sipas drejtimit juridik hanefit, ka paraparë që për të lënë testament duhet të plotësohen tri kushte themelore: testamentlënësi, testamentmarrësi dhe pasuria(prona).

 

Testamentlënësi, sipas drejtimit juridik hanefit, duhet të ketë aftësi të plotë juridike dhe zotësi të veprimit, do të thotë duhet të jetë i moshës madhore(bylyk), ku mund vetëm të hyjë dhe të krijojë marrëdhënie kontraktuale, të mund të zhvillojë dhe të udhëheq me pronën e vet në mënyrë të plotë, fëmija apo i mituri nuk ka të drejtë të lejë çfarëdo çoftë testamenti, njashtu testamentlënësi duhet të jetë i aftë edhe psiqikisht, pasi që nuk lejohet fare që të lejë testament personi apo individi që vuan nga ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore. Testamentlënësi nuk duhet të ketë borxhe të mëdha, pasi që atëherë nuk mundet me lënë testament, dhe se testamenti eventual i tillë nuk është valid, ngase kthimi i borxhit është i obliguar dhe me prioritet, ndërsa testamenti mund të lihet vetëm pasi është kryer kthimi i borxhit. Testamentlënësi duhet të jetë pronar i vetëm i pasurisë që e lënë në trashëgimi testamentlënësit, nuk mundet që të len testament në rast se është në bashkëpronësi të pasurisë së caktuar që e le me testament me ndonjë individ apo person të përbashkët.

 

Testamentmarrësi, sipas drejtimit juridik hanefit, duhet të jetë i gjallë gjatë kohës së testamentit, e kjo nënkupton edhe fëmijën(fetusin) në barkun e nënës akoma pa lind, testamentmarrësi në rast e vret testamenlënësin për një apo arsye tjetër, atëherë testamenti i tillë bëhet i pavlefshëm, që të mos jetë trashëgimtar legjitim gjatë kohës kur testamentlënësi vdes, kjo nënkupton se nuk ka testament për trashëgimtar pasi që ata pas vdekjes automatikisht e trashëgojnë pasurin e testamentlënësit, në raste specifike mund të jetë vetëm atëherë kur e lejojnë trashëgimtarët e ligjshëm të tij.

 

Testamentlënësi musliman  me testament mund të lejë testament testamentmarrësit jomysliman(të krishterë apo hebre) që jeton në vendin e tij, njashtu lejohet që testamentlënësi jomysliman mund të lejë testament marrësit mysliman në vendin e tij.

 

Pasuria(prona), sipas drejtimit juridik hanefit, mund të jetë përveç pronës së luajtshme dhe të paluajtshme, edhe në mall dhe fryte, ngase çdo gjë që mund të jetë objekt i një kontrate shitblerjeje apo çirasë, mund të lehet edhe me testament në formë të shkruar. Pasuria e lënë me testament mund të jetë vetëm në maksimum gjer në 1/3 e tërë pasurisë, më tepër se kjo nuk është valide. Porse në raste specifike me pajtimin e trashëgimtarëve legjitim, apo në rast se nuk ka trashëgimtar të ligjshëm, atëherë mund të lejë me testament tërë pasurinë që e ka në dispozicion testamentmarrësit.

 

Dispozitat e testamentit

 

Sipas drejtimit juridik hanefit janë një mori dispozitash lidhur me testamentin, e cila është kontratë në formë të shkruar nga testamentlënësi për testamenmarrësin, këtu do të cek disa nga dispozitat kryesore:

“E para, i lejohet dikujt që ka lënë testament ta rikthejë dhe ta ndryshojë atë si të dojë;

 E dyta, nuk i lejohet dikujt që ka trashëgimtar të lërë testament më tepër se një e treta e pasurisë së tij;

 E treta, nuk lejohet testamenti për trashëgimtarët;

 E katërta, nuk zbatohet testamenti derisa të kryhet borxhi;

 E pesta, testamenti lejohet edhe në gjëra që realisht nuk ekzistojnë hëpërhë,

 si frytat e pemëve dhe ato që lindin kafshët;

 E gjashta, nëse dikush lë diçka të caktuar me testament, por më pas ajo    prishet, ai nuk obligohet të nxjerr pasurinë tjetër për realizimin e testamentit;

 E shtata, ai që shkruan testamentin dhe nuk ka ndonjë dëshmitar për të, një testament i tillë është i lejuar, përderisa mos të dihet se ai e ka rikthyer testamentin, e nëse dihet se ai e ka rikthyer testamentin, atëherë një testament i tillë është i pavlefshëm dhe nuk zbatohet;

 E teta, përmes tekstit të testamentlënësit, kontrata e testamentit prishet, kur ai deklaron se po e prish kontratën e testamentit të lënë për iks personin;

 E nënta, kontrata e testamentit prishet,kur testamentlënësi çmendet, ngase testamenti është kontratë e lejuar sikurse autorizimi që merr parasysh aftësinë juridike të kontraktuesit;

 E dhjeta, kontrata e testamentit prishet edhe atëherë kur objekti i lënë me testament shkatërrohet  apo prishet, për atë shkak se objekti i tillë më nuk ekziston dhe kështu pamundësohet testamenti.”[ix]

 

         Këto dhjetë dispozitat e cekura mbi testamentin janë bazike  për testamentin në të drejtën Islame sipas drejtimit juridik hanefit, i cili si i tillë dallon nga dispozitat mbi testamentin në të drejtat tjera civile, pasi që janë të formuluara dhe të parapara në një apo formë tjetër dispozitat  juridike për testamentin në fjalë si një kontratë e shkruar nga testamentlënësi për testamenmarrësin për pasurinë(pronën) e caktuar.

 

                                      

 

    Pë r f u n d i m i

 

         Në përfundim të këtij shkrimi të përgatitur  me temën: “Testamenti sipas të drejtës Islame” mund të konkludojë se tema që e kam shtjelluar dhe elaboruar është një temë e gjerë dhe për këtë arsye jam përqendruar në dispozitat dhe kushtet kryesore sipas këndvështrimit të së drejtës Islame.

         Sikurse që ceka edhe në hyrje, temën në fjalë e kam prezantuar vetëm  sipas drejtimit juridik hanefit, që është njëri prej katër drejtimeve kryesore juridike në drejtën Islame. Në këtë punim  jam munduar të përfshijë parimet themelore të testamentit, gjërat kryesore dhe esenciale të tijë.

 

         Dallimi në mes testamentit në drejtën Islame dhe testamentit sipas Ligjit mbi Trashëgimin në fuqi në Kosovë,është se me testamentit sipas drejtës pozitive në Kosovë, rregullohen marrëdhëniet trashëguese të testatorit (testamentlënësit) me trashëgimtarët dhe persona të tjerë. Ndërsa me testamentin sipas së drejtës Islame rregullohen marrëdhëniet e testatorit (testamentlënësit) me persona tjerë, e jo me trashëgimtarët e tij legjitim.

 

 

 

 

 


[i] Haziri, Ejup” Testamenti në të drejtën Islame”, Edukata Islame, nr.103, fq.48.

[ii] Po aty, fq,52.

[iii] Ahmeti, Sherif, Përkthimi dhe komentimi i Kur’anit, fq. 56.

[iv] Po aty, fq.111

[v] Po aty, fq.158.

[vi] Imam Buhariu “Sahihu”, hadithi nr.2533.

[vii] Ibn Maxheh” Sunnen”, hadithi nr.2709.

[viii] Imam Buhariu”Sahihu” hadithi nr.2537.

[ix] Haziri, Ejup, “Testamenti në të drejtën Islame”, Edukata Islame, nr.103, fq.68-70.