Amerika e ka në dorë njohjen e Kosovës nga Serbia
Një raport i ri për dialogun Prishtinë-Beograd bën thirrje për njohjen e Kosovës nga Serbia. Autori i raportit, David Phillips, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin profilin në negociatat mes dy vendeve, si pjesë e interesave strategjike për t’i bërë ballë ndërhyrjeve ruse në rajon.
Disa mendime nga intervista / VOA
David L. Phillips: Është diçka pozitive që qeveria e Kosovës do të krijohet. Ka kaluar një kohë tepër e gjatë. Qeveria do të gjykohet nga ajo që do të bëjë dhe jo nga vonesat në formimin e saj, prandaj është e rëndësishme që qeveria e re të përqendrohet tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe ajo do të ishte prova për suksesin e saj.
David L. Phillips: Aktualisht Rusia ka vendosur një vijë të re fronti në Luftën e Ftohtë me Perëndimin dhe është në Ballkanin Perëndimor. Sipas njoftimeve, ka ngritur një bazë zbulimi në Nish, ka dërguar armë të sofistikuara në Serbi. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i forcojnë partneritetet me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë interesa strategjike në atë pjesë të botës, mund ta ushtrojnë ndikimin e tyre, përmes një roli më të madh në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm me angazhimin amerikan, ky proces do të mund të ecë përpara.