Imamët Kosovarë shembulli më i keq, shpifës dhe frikacakë
Kur një grua konsiderohet prostitutë? Dhe kur ajo është rrospie dhe kurvë?
Përgjigjet për këto pyetje kaq direkte mund t’i gjeni të zhvilluara edhe nga disa imamë kosovarë, të cilët pasi zgjidhën të gjitha çështjet themelore të besimit dhe sfidave të tij moderne, siç janë keqkuptimet madhore të vlerave fetare dhe ekstremizmi i dhunshëm (apo nuk i kanë zgjidhur?), kanë ca kohë që kanë përveshur mëngët për të futur duart e turinjtë në çështjen e lashtë dhe mistike të virtytit femëror.
Së fundmi, ishte hoxha kontrovers Shefqet Krasniqi, ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, i cili tha se gratë që shkojnë në plazh i konsideronte prostituta. Në një reagim publik të pak ditëve pas publikimit të videos së tij nga portale në Kosovë dhe Shqipëri, ai i përgënjeshtroi artikujt duke pretenduar se ishte deformuar kuptimi. Por nuk tha se çfarë kishte nënkuptuar duke përdorur në të njëjtën fjali termat “femra” dhe “prostituta”. Ata që kanë dyshime le ta shohin vetë videon.
Gjithashtu, si i bëhet për ato gra që shkojnë në plazh me burrat dhe fëmijët? Apo ato që mund të jenë ende të virgjëra? Cili është prostitucioni i tyre?
Është tronditës ky shfrenim, kjo shthurje e disa imamëve kosovarë, por është të paktën po aq tronditës mosreagimi i institucioneve të Kosovës ndaj keqbërjeve të tilla dhe përdorimit të hapur të gjuhës poshtëruese e të urrejtjes ndaj qytetareve të këtij vendi. Edhe më tronditëse është heshtja e imamëve të tjerë, të cilët duke mbyllur gojën, veçse i përligjin ligjërata e mendësi të tilla të përdala.
Nga ana tjetër, është e pashmangshme të mos vërehet një diskriminim në trajtimin e mëkatarëve të hamendësuar. Islami ka kufizime të kodit të veshjes si për gratë, ashtu dhe për burrat, por Shefqet Krasniqi zgjodhi të theksonte rastin e “femrave”, duke i konsideruar ato prostituta e jo “meshkujt”. Gjithashtu, kuvërimi konsiderohet mëkat serioz në Islam, por imoraliteti trajtohet i njëjtë për të dyja gjinitë. Megjithatë, Irfan Salihu i quajti “rrospie dhe kurva” pothuajse vetëm gratë, dhe vetëm në një rast përmendi edhe amoralët meshkuj por me termin shumë më të butë “zinaqar”.
Përmes këtij mllefi diskriminues, imamët nuk kanë cenuar thjesht normat konvencionale për barazi gjinore, por vetë parimet e Islamit. Ata janë shpifës, frikacakë dhe shembulli më i keq sesi (nuk) duhet të sillet një klerik. Ata nuk vlejnë as të konsiderohen burra, sepse burrat e vërtetë nuk shkojnë poshtë e lart duke përgojuar gratë me fjalët më të ndyra që u përmban fjalori. Këto jargavitje e qyrre urrejtjeje që i vërtiten publikut pa teklif, janë akti më i lodhur dhe banal i stereotipit të “mashkullit të egër shqiptar”.
Këto pra janë disa përshkallëzime turbulluese në nivel të spekulimeve burracake të mizogjinëve që mbajnë petkun e klerikut. Janë pjesë e rrenës morale që disa e quajnë “krenari e shqiptarit”, apo që disa të tjerë tentojnë ta etiketojnë si “krenari e myslimanit”.
Këto janë vetëm turpe e neveri që shiten si vlera kombëtare e fetare nga disa individë që për shkak të shoqërive vegjetale ku jetojmë, vazhdojnë ende sot të quhen “hoxhë” dhe të flasin në emër të Islamit e myslimanëve.