Amerike

Senatori amerikan John McCain viziton Kosovën akuzonë Rusinë

Senatori amerikan, John McCain ka arritur në Kosovë. McCain gjatë ditës së sotme po qëndron në Kosovë si vazhdimësi e vizitave që u ka bërë shteteve të rajonit.

Senatori amerikan, John McCain, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. Ai pritet të takojë liderët e institucioneve dhe partive politike.

Nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është bërë me dije se senatori amerikan do të nderohet me çmimin “Urdhri i Lirisë”.

Ky çmim, senatorit McCain i ndahet për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, që për Kosovën konsiderohet “aleat i përjetshëm”.

McCain do të takohet edhe me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Gjithashtu senatori ka qëndruar edhe në Serbi,  gjatë qëndrimit në Beograd  ka takuar presidentin e ri të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, mesazhi për kolegët e mi në Senat, presidentin dhe popullin amerikan, është se çdo gjë që ndodh në pjesën lindore të Evropës është me interes jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve”, ka thënë McCain në Beograd.

Në deklaratat e bëra gjatë këtij turneu diplomatik, ai ka akuzuar Rusinë për bashkëpunim me Sirinë në kryerjen e një sulmi të dyshuar kimik.

"Rusët kanë qenë në dijeni për armët kimike, sepse kanë operuar saktësisht nga e njëjta bazë", ka thënë McCain.

Ndonëse ishte pritur, megjithatë ai nuk ka vizituar Maqedoninë.

Fakti që ky senator, me ndikim nga radhët e republikanëve dhe ish-kandidat për president, anashkalon Maqedoninë, është një porosi e fuqishme diplomatike për krizën në Maqedoni, kanë vlerësuar analistët.

Sidoqoftë, vizita e senatorit amerikan dhe ato të zyrtarëve tjerë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor vlerësohen si tregues i përkushtimit amerikan për rajonin, në kohën e interesimit të Rusisë për të rritur ndikimin e vet në këtë pjesë të Evropës.